NGA ISHMI TE PYLLI MAGJIK: UDHA E ARTË E KRIJIMEVE TË URIM MEZINIT
Urim Mezini është relativisht një autor i ri, përsa i përket kohës kur ka filluar të botojë vëllimet e para poetike. Por tashmë një autor i njohur që i është ofruar lexuesit shqiptar me disa vëllime poetike si " Loton malli", " Shpirti i trazuar", " Dhimbje e shëruar", " Bota në udhëkryq" etj.Ndërkohë ka shtypur edhe vëllimet me poezi " Midis dy rrahjesh" dhe " Ishmi- Ballkon i Shqipërisë", me poezi dedikuar vendlindjes.
Por ai nuk është ndalur vetëm tek poezia, por me pasion dhe përgjegjësi prindërore është ulur të shkruajë edhe për fëmijët. I shtyrë nga dashuria për katër mbesat e tij, Elen, Raya, Daisy, dhe Chloe, ai sjell përpara lexuesit të vogël librin e tij të titulluar, "Ketrushja Èlen dhe arrat magjike" ku janë përfshirë poezi, fabula , përralla e rrëfenja të ndryshme.
Libri ndahet në katër pjesë, poezitë, dedikimet për mbesat, fabulat e rrëfenjat.
Poezia e autorit Urim Mezini është e ndjerë, e shkruar bukur, dhe harmonizohet më së miri me botën fëmijërore.
Ja si shprehet ai në poezinë " Një diell për ta ndërtoj":
"Të kisha mundësi, një diell do ndërtoja
nga dhimbja, shpresa dhe dashuria;
ta ndizja në qiell për fëmijët në nevojë,
që zemra t’u ngrohej nga lumturia."
Poezia e tij është një rreze mirësie: një dëshirë e pastër për t’u dhënë fëmijëve dritë atje ku ka errësirë. Me metaforën e diellit, poeti nis e ndërton një botë ku dashuria shëron, ngroh dhe ngjyros jetët e vogla që momentalisht vuajnë. Është një varg i butë, i ndjeshëm dhe plot shpirt, që na kujton se zemra njerëzore mund të jetë vetë si një diell i ngrohtë për të tjerët, kur ka dashuri brenda saj.
Tek poezia " Mbesat e mia atdhetare" ai shkruan;
"Çdo Nëntor vijnë në Shqipëri,
Me veshjen e bukur kuq e zi,
të festojnë ditën e Pavarësisë
nga Ishmi – ballkoni i Shqipërisë."
Edhe në kēto vargje poezia e Urim Mezinit rrezaton krenari dhe mall, si një flamur që valëvitet mes dy brigjeve. Mbesat e tij shfaqen si ura të gjalla mes Italisë dhe atdheut, duke mbajtur gjuhën, ngjyrat dhe shpirtin shqiptar në zemrën e tyre të vogël. Në vargjet e tij, Nëntori bëhet festë e gjakut dhe e kujtesës, dhe fëmijët me veshjet kuq e zi bëhen simboli më i pastër i dashurisë për Shqipërinë.
Por ai e ngjyen penën e tij edhe ne fabula apo rrefime poetike dedikuar botës së kafshëve. Në poezinë " Kafshët festojnë bashku" ai paraqet nevojën e gjallesave për të jetuar së bashku në harmoni.Poezia është një lojë e ëmbël fantazie, ku ferma shndërrohet në një botë paqeje dhe gëzimi. Kafshët festojnë si miq të vërtetë, duke vallëzuar, kënduar dhe ndarë gëzimin. Në vargjet e poetit, pushimet marrin ngjyrat e fëmijërisë, të thjeshta, të qeshura dhe plot lumturi.
Por në këtē libër të bukur, përtej poezive e fabulave, nuk mungojnë as përrallat e rrëfenjat, të cilat janë shkruar njëra më e bukur se tjetra.
Psh, tek rrëfenja " Ketrushja Elen dhe arrat magjike" me të cilën titullohet edhe libri do të mrekulloheni nga shpirti i dlirë i ketrushes dhe nga magjia që krijon një shpirt i tillë.
Rrëfenja e autorit Urim Mezini është një përrallë e ndritshme, ku zemra e vogël e Élenit shndërrohet në magji e shembull altruizmi. Çdo gjest mirëdashës ndez një dritë të re, dhe pylli mbushet me ngrohtësi po aq sa me aromën e arrave të arta. Është një tregim që na kujton se bujaria ka shkëlqimin e vet , sepse sa më shumë e ndan atë me të tjerët, aq më shumë rritet, si shporta e mrekullueshme e ketrushes Élen.
Por kemi edhe përrallën me titull " Rrëfenjë për yllin që nata e harroi" e cila na mbush me dashuri e frymëzim. Sepse êshtë diçka e bukur dhe inkurajuese. Rrëfimi i autorit është një poezi e gjatë në prozë, një udhëtim ku drita, natyra dhe zemra e një fëmije bashkohen në një magji të qashtër. Liri bëhet urë mes tokës dhe qiellit, ndërsa ylli i harruar shndërrohet papritur në simbolin e ëndrrave që presin të ngrihen. Çdo paragraf rrezaton butësi dhe mister, duke e kthyer pyllin, kodrën dhe pemën e lashtë në hapësira të shenjta ku mirësia ka fuqi të vërtetë. Është një tregim që flet për guximin e zemrave të vogla dhe për mrekullitë që lindin kur njeriu beson në dritë.
Pra si përfundim, mund të themi se koleksioni i poezive dhe rrëfenjave të mësipërme është një udhëtim i butë drejt botës së pastër ku zemrat e vogla fëmijërore, natyra dhe drita e mirësisë marrin formë. Çdo poezi rrezaton dashuri, krenari e shpirt atdhetar; çdo tregim hap një derë drejt magjisë që lind vetëm aty ku fëmijëria takohet me imagjinatën. Fëmijët, kafshët, yjet dhe pyjet nuk janë thjesht figura letrare, por zëra që flasin për humanizëm, bujari, guxim dhe ëndrra që mbajnë gjallë botën.
Në këto vargje dhe rrëfime, dashuria për atdheun merr ngjyrat e flamurit, mirësia shpërndahet si arrat magjike të Élenit, kafshët festojnë si miq të një bote ku nuk ka urrejtje e mërzi, ndërsa Liri udhëton drejt një peme të lashtë për të kthyer në qiell një yll të harruar. Siç e shihni këto krijime mbajnë brenda vetes një dritë të veçantë , dritën e shpirtit që kërkon të ngrohë, të mbrojë dhe të frymëzojë çdo kënd.
Ndaj e ftojmë lexuesin e vogël të shfletojē faqet e këtij libri me zemër të butë e të hapur sepse çdo rresht është një prekje drite, një buzëqeshje e vogël dhe një kujtesë se bota është më e ndritur kur e shikojmë me dashuri.
Rifat ISMAILI
30- 11- 2025
Urim Mezini u lind në Ishëm të Durrësit më 29 Gusht 1966. Arsimin fllor e tetëvjeçaren i ka kryer në vendlindje.Shkollën e mesme Mekanike katër vjeçare e ka kryer në Shkozet të Durrësit.Ndërsa studimet e larta i ka kryer në Tiranë për Inxhinjeri Elektro-Mekanike.
Pasioni për letërsinë ka qenë i hershëm,qysh në rininë e tij.Por me botime vjen vetëm në Nëntor 2024, me dy vëllimet e para poetike "Loton malli" dhe "Shpirti trazuar",ndërsa në Korrik 2025, botoi dhe dy vëllimet e tjera me poezi "Dhimbje e shëruar" dhe "Bota në udhëkryq".
Me poezitë e tij është përfshirë në 10 libra antologjik dhe ka marrë edhe disa çmime letrare.
Është mjaft aktiv në postimin e krijimtarisë së tij në rrjetet sociale
Disa prej poezive i janë përkthyer e botuar nga një numër i madh gazetash e revistash prestigjoze të vendit dhe të huaja. Së shpejti erdhi me tre botime të reja. "Ishmi-Ballkoni Shqipërisë"( Dedikuar vendlindjes), Vëllimin për fëmijë "Ketrushja Élen dhe arrat magjike" si dhe vëllimin poetik "Midis dy rrahjesh".