Panajot Boli - Cikël poetik

Panajot Boli - Cikël poetik
PA NA TRADHËTUAR DETI
 
Eh, ky deti im me sytë kaltërosh
Buzëqeshjen nga gjumi ma zgjon
Një pulëbardhë më puth qepallat
Hap shpirti dritarën,drita vërshon
 
Fërkon sytë i përgjumur horizonti
Më përtim po shkund çarçafin gri
Zbret dielli ca flutura drite me naze
Të luajnë në gjoksin e Jonit,kaltërsi
 
Ta ndihmoj horizontin ta bëj jastek
Të dërgoj pulëbardhën të sjell dhe ti
Në dëlirin e agut, në sallonin e Jonit
Pa na tradhëtuar deti, vetem ne të dy
 
TEK TI, O DET
 
Si hije e vetmuar ,i heshtur,shpirt trazuar
Zvarriten në breg,ngushëllim të gjej tek ti,o det
Valeve u dhimbsem,prapa krahëve më vinë
Na thuaj ç'dreq të trishton,pse na e mban sekret?
 
Fytyren dhe sytë
Nga ti e kthej
 
Det,të kam zili për urtësinë si filozof i lashtë
Det,të kam zili për rebelimin si Prometeu guximtar
Det,të kam zili për shpirtin e thellë blu të paanë
Det,të kam zili për bukurinë e valeve argjendlarë
 
Pak kaltërsi dua
Të shuaj etjen e shpirtit tim
 
Se ndodh të rebelohem si Hamleti për botën e shthurrur
Se ndodh të më gjunjëzoj një fjalë me helm e terë
Se ndodh  të urrej barin e egër që mbiu në arën time
Se ndodh të kem frikë nga brirët e injorancës tmerr
 
Ndaj erdha tek ti, o det
Një copezë nga shpirti yt
Edhe imi të këtë
 
MË NDODH SHPESH
 
Më ndodh shpesh...
Tek shikoj një gjethe që bie
Aty,
Në plagën e hapur të mëmës
Sythët e gjelberimit rizgjohen
 
Më ndodh shpesh...
Tek shikoj një lule të çelur
Aty,
Në farën që ngjizet me diellin
Ringjallja zgjat duart e qeshur
 
Më ndodh shpesh...
Tek shikoj një lot që rreshqet
Aty,
Në dhimbjen që tretet  ngadalë
Shpirti hap perden për ditën e re
 
Më ndodh shpesh...
Tek shikoj buzëqeshjen e një vajze
Aty,
Në ngjyrën e petaleve të lumturisë
Dashuria ngazellehet, oh sa ëmbël
 
Më ndodh shpesh...
Tek shikoj sytë e detit tim Jon
Aty,
Në kërkim të përlës si zhytës
Mat dhe thellësitë e shpirtit tend
 
Më ndodh shpesh...
Vertet shpesh...
Kur kundroj sytë  e tu të mënduar..