URRA ERDHEN!
Ka kaluar kohe që atëherë, thuajse 20 vite. Por e çuditshmja ndodh se, çdo vit që ka kaluar nga ajo ditë, mua më përsëritet njëjtë shpirtërisht ajo ngjarje. Aq e fortë ka mbetur, sa ngrehinave të saj më duket sikur më shkëputet diçka e fortë brënda meje. Sa herë vjen muaji dhjetor, muaj vigjiljesh në të cilin bëhen përgatitjet e festave të fundvitit kjo ngjarje më kacavirret sysh. Vitet vrullojnë vorbullës së kohës, ecin turrit të tyre, brofin fort e na marrin para me euforinë e tyre, por kjo ngjarje ka krijuar xhepa të brendshëm në memorien time, ku dora e mendjes futet lehtë brënda saj, e rrëmon të gjejë sa më shumë, atë njerëzoren, vetëm në kujtesa të tilla. Ishte ftohtë, një nga ato ditë që të binte për thonjsh siç thoshin të vjetrit. Dita qe e vranët si mot dëbore, e megjithatë njerëzit ngisnin kush e kush të kryente punët e përditshme, plus kësaj dhe detyrimet e festës së fundvitit. Ishte dita e datës 31 dhjetor. Çdokush shihej tek blinte xhinglat e festës, dhe ushqimet dhe frutat e nevojshme për darkën e asaj nate. Ndodhesha pas një gruaje e cila ishte me vajzën e saj të vogël, e cila dukej që po mbërdhinte se i ishte skuqur maja e hundës. Ishte diku tre vjeçe, por shihej mjaft e shkathët aq sa goja nuk i pushonte tek fliste, aq sa më bënte kureshtare ta ndiqja me sy gjatë gjithë rrugës. Vajza ishte hutuar e shikonte me ngulm njerëzit me çantat ndër duar, dhe pyeste të ëmën gjithë habi se kur do t’i blinin dhe ato gjërat, se dhe babi i shoqes së saj i kishte blerë. Dukej që makthi i saj qe i madh se e pyeste vazhdimisht të ëmën, me pyetje të pandërprera e që nuk merrnin përgjigje. Po ne nuk e kemi në shtëpi as gjelin siç e ka ai burri atje, dhe shikonte gjithë ngulm një burrë që mbante në dorë nja dy gjela ,e që shëtiste trotuarit ku e ku ti shiste, s’kemi as mollët se nuk i kam parë në shtëpi. E ëma e zënë ngusht, dikur i thotë ,shih se më duket ai atje larg në rrugë që po vjen drejt nesh, është babi e ka blerë portokallet. Vajza mori hov të ecte më shpejt e thërriste gjithë gëzim, urra, urra, erdhën portokallet, erdhën portokallet. Gëzimi në sytë e saj ishte aq i madh, sa dukej sikur përpara saj ti kish hedhur babagjyshi i vitit të ri një thes me portokalle dhuratë. Vrapoi e gëzuar të gjente të atin e bashkë me të dhe portokallet e saj të festës.