Tregim
IKJA E MIKUT REFUGJAT
Kampi ishte i stërmbushur me refugjatë. Në kamp kishte shumë objekte, magazina të mëdha në të cilat banonin refugjatët. Deri në pesëdhjetë familje me nga shtatë-tetë anëtarë apo dy-trembëdhjetë anëtarë flenin në një magazine të madhe, njësoj si në një dhomë kolektive. Gjatë ditës refugjatët silleshin vërdallë nëpër kamp si të humbur. Shqetësimi i tyre se a do të përfundonte shpejt lufta në Kosovë, shihej në fytyrat e tyre të zverdhura. Brenga kryesore e tyre ishte që lufta në Kosovë të përfundonte sa më shpejt dhe të ktheheshin në shtëpitë e tyre. E vetmja temë e refugjatëve ishte përfundimi i luftës dhe kthimi në Kosovë. Ata edhe pse tepër të mërzitur dhe të zhgënjyer, megjithatë i mbante shpresa se një ditë do të ktheheshin.
-Të gjithëve na përzunë ore, të gjithëve! Dëbim masiv dhe i dhunshëm ka ndodhur në Kosovë! Na përzunë gra, fëmijë, pleq, plaka, burra…! Në shekullin e kompjuterizmit të ndodhë kjo, është fare e pabesueshme dhe e tmerrshme?! Në Kosovë kanë mbetur vetëm ushtarët e UÇK-së dhe ku ta dimë se a janë gjallë, a kanë ushqim…ku ta dimë???!!! –refugjatët shprehnin brengën e thellë që kishin në shpirt.
-Një milion refugjatë në Shqipëri, një milion refugjatë në Maqedoni, kurse shumë pak njerëz kanë mbetur në Kosovë. -thoshte një tjetër refugjat. Të gjithë brengoseshin për atë se sa do të zgjaste lufta në Kosovë, ndërsa në anën tjetër shpresat për të përfunduar lufta sa më parë dhe me fitore për Kosovën, ishin të mëdha te të gjithë refugjatët. Thuaja se të gjithë ishin optimistë për kthim në atdhe. Kjo i bënte ata të fortë dhe të qëndrueshëm. Kjo i bënte ata që t’i kalonin më me lehtësi ditët e vështira në kamp, përkatësisht ditët më të rënda që kishin përjetuar ndonjëherë në jetë. Ata jetonin të mërzitur dhe në ankth. Nuk dinin a u kishin shpëtuar të afërmit, kushërinjtë, miqtë, nuk dinin a u kishin shpëtuar shtëpitë pa u djegur!?
-O burrë, hiq s’di gjë. A më kanë shpëtuar kushërinjtë, a më kanë shpëtuar të afërmit, miqtë, dajët, djemtë e hallës, vajzat e tezes, dhëndurët…?! Ama hiq nuk e di…a kanë shpëtuar…?! -ia shpaloste brengën e tij një refugjat një tjetrit.
-O Zot i madh, kur do të përfundojë lufta? Kur do t’i vjen fundi kësaj katrahure, kësaj vuajtjeje të tmerrshme që po e përjetojmë? A jetohet kështu ore? Edhe pse në kamp nuk e kemi keq, kemi kuzhinë, ushqimin e marrim të gatshëm tri herë në ditë, ka ujë për pije dhe pastrim, ka kushte për jetë, megjithatë mërzia na mbyti…! -thoshin refugjatët.
-Vetëm të bëhet mirë! Vetëm të bëhet puna që edhe një herë të kthehem në shtëpinë time, në vendin tim, në vendlindjen time, në Atdheun tim, nuk dua asgjë tjetër në këtë botë! -fliste miku im ato ditë kur ishim refugjatë në Shqipëri.
-Do të flej në rrugë, në oborr të shtëpisë sime të djegur, do të rri me javë pa gjumë, do të këndoj rrugëve të Prishtinës, do t’i puth të gjithë, të njohur e të pa njohur…! -fliste miku im refugjat.
-Edhe unë posa të shkoj në Kosovë, do të këndoj me zë të lartë rrugëve të qytetit në Prishtinë, sepse me liri nuk ka gjë më të mirë në këtë botë!”, ndërhyri një tjetër refugjat.
E gjithë qenia njerëzore e refugjatëve nga Kosova, të përzënë me dhunë nga forcat policore, ushtarake, paramilitare e militare serbe, nga atdheu i tyre, për Shqipëri dhe Maqedoni, shndërrohej në një fjalë të vetme: KTHIM! Banorët vendës të Komsisë, të Francit, të Burrelit dhe rrethinës, vinin në kamp dhe i vizitonin refugjatët, vëllezërit nga Kosova. Ata atyre u thonin fjalë optimiste dhe lehtësuese për t’ua hequr mërzinë.
–Mos u mërzitni! Shumë shpejt keni për t’u kthyer në shtëpitë e juaja!
Këto fjalë ishin ngushëllim për refugjatët, duke u dhënë shpresë se një ditë, madje shumë shpejt, do të ktheheshin në shtëpitë e tyre.
-Ju lumtë goja o vëllezër për fjalët e mira e shpresëdhënëse që po na i thoni që shpejt kemi për t’u kthyer në shtëpitë tona! Ne me fjalët e juaja të mira dhe shpresëdhënëse, ndjehemi të lumtur dhe u falënderojmë nga zemra! –ua kthenin refugjatët banorëve vendës. Nuk kaluan shumë ditë, pas këtyre bisedave, vërtetë ndodhi KTHIMI, madje KTHIMI BIBLIK siç e quajtën të gjithë, vendës e ndërkombëtarë. Një javë më pas, në Kosovë hynë forcat e NATO-s. Ishte fillimi i qershorit 1999. Atë ditë kur hynë për herë të parë forcat e NATO-s në Kosovë, ishte një gëzim i papërshkrueshëm në kamp. Të gjithë refugjatët u gëzuan aq shumë sa që e përqafonin njëri tjetrin për këtë ngjarje të madhe. Në buzëmbrëmje të kësaj dite, refugjatët u mblodhën në mes të oborrit të kampit për të shikuar televizorin, përkatësisht lajmet qendrore të mbrëmjes të orës 19.30. Në gjithë kampin prej tre-katër mijë refugjatëve, ky ishte televizori i vetëm, të cilin e kishin vënë në një tavolinë jashtë objektit. Madje, të gjithë u habitën se nga erdhi ai televizor. Të gjithë u mblodhën për të shikuar e dëgjuar lajmet më të reja të ditës. Panë në ekran pamjet e hyrjes së NATO-së në Kosovë. Të gjithë duartrokitën dhe bërtitën me zë të lartë: NATOOO, NATOOO, NATOOO…! Ju lumtë! Ju lumtë! Ju lumtë! Zoti ju bekoftë! Zoti ju ndihmoftë! -dëgjoheshin urimet e refugjatëve. Në këto momente kishte lot gëzimi, kishte përqafime dhe puthje mes refugjatëve. -Të faleminderit NATO! Thenk you NATO! -bërtisnin refugjatët me zë të lartë dhe të humbur nga gëzimi. Pas një jave ndodhi kthimi i shumëpritur i refugjatëve për në shtëpitë e tyre. Çdo ditë, dy javë rresht ishte një lumë i gjatë dhe i pafund i refugjatëve nga Shqipëria për në Kosovë. Kolonat me traktorë dhe maune nuk ndaleshin as ditën as natën. Ushtonin malet nga zhurma e traktorëve. Nuk u ndalë as lumi i gjatë dhe i pafund i refugjatëve edhe nga Maqedonia. Maunet, traktorët me rimorkio të mbuluara me najlone të bardha, veturat, furgonët, autobusët, minibusët…nuk ndaleshin as ditë as natë, duke lëvizur rrugëve gjarpërore të kodrave të mëdha, të larta e shkëmbore të Shqipërisë. Refugjatë, refugjatë… lum refugjatësh…pa fund! Zhurma e makinave prishte qetësinë e natës nëpër ato kodra të rrëpinjta e të rrezikshme. Këtë kthim të refugjatëve të Kosovës, të cilët ktheheshin nga Shqipëria dhe nga Maqedonia, bota e quajti “kthim biblik”. Vërtet me të drejtë është quajtur “kthim biblik”, sepse ka qenë kthim historik që e ka parë bota. Pas kthimit të refugjatëve në vendin e vet, në shtëpitë e veta, me flamurin e fitores, pas përzënies së të zinjve barbarë nga Kosova, të gjithë njerëzit dhe çdo gjë në Kosovë buzëqeshte dhe dukej bukur. Jo vetëm njerëzit që ishin gëzuar shumë se ishin kthyer në shtëpitë e tyre, qoftë edhe të djegura, por edhe zogjtë dhe dallëndyshet ishin gëzuar se më në fund në Kosovë kishte arritur paqja dhe liria. Lufta kishte shkatërrur gjithçka. Mbi 200 mijë shtëpi ishin djegur deri në themel, mbi 15 mijë njerëz ishin vrarë dhe masakruar, mbi 7 mijë njerëz ishin rrëmbyer me dhunë nga paramilitarët dhe kriminelët dhe ishin zhdukur pa gjurmë dhe nuk dihej për fatin e tyre. Të gjithë e dinin se edhe ata ishin pushkatuar e masakruar dhe i kishin futur në gropa të mëdha apo varreza masive. Pasuritë, makinat, maunet, veturat, traktorët, teknika e bardhë, mobiliet… e çka jo tjetër, ishin plaçkitur nga barbarët ardhacakë. Liria e shumëpritur fatmirësisht kishte ardhur, por vendi ishte shkatërruar thuaja se tërësisht nga lufta e tmerrshme. Megjithatë, përkundër kësaj gjendjeje, Kosova buzëqeshte anë e kënd, sepse kishte arritur liria, e cila nuk vjen dot pa flijime, pa vuajtje, pa sakrifica të mëdha. Edhe zogjtë e malit dhe të fushës, edhe dallëndyshet, ishin gëzuar për kthimin e refugjatëve, sepse këndonin pa ndalë.
–Mami, shikoji zogjtë sa bukur po këndojnë! A thua mami, çfarë kënge po këndojnë ata zogj? -pyeti Blendi i vogël. Nëna e tij ia ktheu: “Zemra e mamit, zogjtë po e këndojnë këngën e lirisë dhe kthimin e refugjatëve, sepse edhe ata janë gëzuar që janë kthyer njerëzit! –i tha fëmiut të vetë zonja Bukurije.
Kaluan katër vjet nga kthimi i refugjatëve. Miku im i cili në kamp fliste me mallëngjim për kthimin sa më të shpejt në shtëpi, në Kosovën tonë të dashur, në kohën sa ishim refugjatë, tash pas katër vitesh, ishte bërë një tjetër njeri. Kishte ndryshuar i tëri. Ishte tjetërsuar. Fjalët e atëhershme të cilat i kishte thënë në kamp si refugjat, i kishte harruar fare.
-Më duhet të ik nga këtu sa më parë. Jam duke i numëruar ditët. Pasaportën e UNMIK-ut e kam futur në xhep dhe ika për Gjermani. -më tha miku im ish refugjat. Unë i mllefosur nga këto fjalë, nuk u durova dhe ia ktheva shkurt e shpejt: “Po a e di ti se çka thoje kur ishim në kamp të refugjatëve? A i ke harruar fjalët që i thoje “A është jetë vetëm edhe një herë të kthehem në Kosovë, asgjë tjetër në këtë botë nuk dua!” A i paske harruar ato fjalë që i thoje? -i thash.
-Jo jo, nuk kam harruar, por ka kaluar tash ajo kohë. -sikur u mundua të nxirrej miku im ish refugjat, i cili disi u gjend ngushtë.
-Po ik a???!!! Po Kosova? Po Kosovën ku po e lë? A e di se çka flisnim si refugjatë në Burrel? -ia përsërita këto fjalë në formë të pyetjes. Ai u shtang për një çast. Nuk foli asgjë. Pas pak foli disi si i humbur dhe i nervozuar.
-Kot e ke të më flasësh këso fjalësh. Unë ika. -tha miku im ish refugjat, duke shikuar katrorët e trotuarit dhe duke e lëvizur njërën këmbë sa para, sa prapa.
-Çka po vizaton me këmbë? -i thash.
-Asgjë. -ma ktheu miku.
-O lum miku, mos u ngut. Mendo edhe pak. Për një vendim të tillë, duhet të mendosh më gjatë. Mos u ngut! –ia ktheva prerazi dhe u përshëndeta me të.
-Pse ore ikin njerëzit nga Kosova? Çka mendojnë ata? A mos vallë mendojnë se ikja nga Kosova është shpëtim? A mos mendojnë se në vendet e huaja ka pula të pjekura të varura nëpër pemët e trotuareve? A mos mendojnë ata se atje është parajsa dhe lumturia e botës? -më përpëliteshin mendimet në kokë.
-Jo jo. Ju garantoj se ikja nga Kosova nuk është shpëtim! Përkundrazi, është vuajtje. Mos ikni nga Kosova se ai është vendi i juaj, se ai është Atdheu i Juaj, se ai është vendi më i bukur në botë! Kosova është vendi që u ka lindur, rritur dhe ushqyer. Lumturia është vetëm në atdheun tënd. Lumturia kurrë nuk ekziston në vendin e huaj.
Në vendin e huaj ekziston diçka që të djeg e përvlon shpirtin. Ai diçka është malli për atdheun. -më silleshin nëpër kokë këto mendime. Derisa po ecja rrugës kryesore të qytetit, në Prishtinë, pranë rrugës në skajin e trotuarit, më ra në sy një billbord i madh ku shihej një fotografi e madhe me ngjyra me disa njerëz me valixhe në krahë, të cilët prisnin në radhë për të hypur në aeroplan, ndërsa poshtë nën pllakat shkruante me germa të mëdha: MOS IKNI NGA KOSOVA! -Sa pllakat i bukur! -thash më vete.
-A thua kush e ka vënë këtë pllakat? Ju lumtë! Sigurisht qeveria ose komuna. -mendova në atë moment.
-Ç’koincidencë! -thash dhe u habita pozitivisht nga ky pllakat i bukur dhe domethënës, nga ky pllakat me mesazh të qartë. U gëzova shumë kur e pashë, sepse pllakati dhe fjalët “Mos ikni nga Kosova”, do t’i vetëdijësojë njerëzit që mos ta lëshojnë vendin e vet pa ndonjë arsye tepër të madhe. Pllakati kishte një mesazh të fortë dhe të qartë për vetëdijësimin e njerëzve me ato mendime sikurse të mikut tim ish refugjat, që njerëzit të mos largohen nga vendi i tyre i bukur, nga Kosova e dashur.
-Ju lumtë atyre që e kanë vendosur këtë pllakat! -thash. Në këtë moment u takova me një mik, i cili asnjëherë nuk ka dashur ta lëshonte vendin. U gëzova kur e pashë. I tregova për shqetësimin. Edhe ai u shqetësua bukur shumë.
-Çfarë njerëz janë ata ore që ikin nga vendi i vet?! –tha miku. Ia ktheva shkurt: Edhe unë po e bëj të njejtën pyetje dhe po habitem pa masë. Në Sheshin “Shën Tereza” në restorantin “Freskia”, nën hijen e blinit e gjetëm një tavolinë të zbrazët. Aty u ulëm dhe pimë nga një pije të ftohtë “coca cola”, ngase vapa e madhe e gushtit na kishte molisur fare. Nëpër Sheshin “Shën Tereza” në Prishtinë lëviznin përplotë njerëz qetë dhe të lumtur për ardhjen e lirisë.