Adem Gashi - "DITA TJETËR E JETËS"

Adem Gashi - "DITA TJETËR E JETËS"
"DITA TJETËR E JETËS"
(Fragmente nga romani im, 2013)
*
Atje ka dhe një vend për varr. E kupton ç'do të thotë një varr krejt i lirë në vendin tënd, midis tokës e qiellit, ku të vizitojnë me radhë stinët dhe derdhin sipër lule bjeshke të erëndshme dhe era e vendit tënd të pëshpërit në gjumin e përjetësisë: fli i qetë, im bir!
*
Si për ironi të fatit, ndanë rruge, mimozat kishin çelur qëkur.
Moralistët e pandreqshëm një ditë do të shkruajnë traktate për mëkatet e atyre që nuk e përfillën bukurinë e mimozave. Të kishin gojë edhe ato do të shfrynin: Ç'bëhet me ju, o njerëz!? Po venitemi nga shpërfillja juaj, nga mosshija juaj për bukurinë e aromën.
Më mirë që s'kanë gojë se po të kishin gojë do të kishin edhe vesh e do të dëgjonin për gjëmën e do të bëheshin krizantema e lule varresh.
*
Si ardhësit, si vendësit, si transitet, megjithatë i bashkonte një element: shikimi i hutuar. Një përpjekje për tejpamje, tutje të padukshmes. Dukej sikur secili përpiqej t'i lexonte mendimin dhe ndjenjën tjetrit:
- Ç'ka ndodhur?
- Asgjë, veçse atje...
- Ku, atje?
- Atje, në Veri...
- Çfarë atje, në Veri? Thuaje të shkretën!
- Paj, atje, në Veri, luftë bëhet.
- Bëhet luftë? Po për luftën kemi ardhur ne...