MARGARITA (vazhdim...)
E di Tani, e dua vjeshtën! Gjithmonë më është dukur se unë dhe ajo kemi një lidhje të një lloji e dimensioni të veçantë, ndryshe, të ngjizur që prej lindjes. Unë ndryshe në këtë stinë, e njëjta por ndryshe. Si të ta shpjegoj? E di që tingëllon çuditshëm, por e ka një shpjegim logjik, ndonëse ndonjëherë gjërat nuk kanë ose më mirë të themi ne nuk dijmë ose mundemi të bëjmë një shpjegim të tillë midis ekzistencës dhe funksionit apo ndikimit të tyre tek ne, të drejtpërdrejtë apo indirekt.
Them jam ndryshe duke patur parasysh sesa e vërtetë dhe vetvetja jam. Unë gjej veten time në çdo gjethe që e lirë vendos të shkoj në drejtimin që do, me erën e mëngjesit apo të mbrëmjes. Më duket aq e pavarur kjo stinë.
Ajo i lë gjërat të rrjedhin dhe nuk ka frikë t'i humbas ato sepse e di që të lësh dikë të lirë të bëj atë që do, largim qoftë ky shpesh herë, do të thotë qëndrim. Qëndrim në atë që beson e do. Atë e që do fort, lëre gjithmonë të lirë sepse përveç frymëmarrjes dhe prehjes në krahët e ajërta të kohës që të gjithë duam herë pas here, ai do të rikthehet sërish tek ty, më i mirë, më i bukur për të të dashur më shumë dhe për të të vërtetuar se në fakt ka qenë me ty gjithmonë.
Tani po e shihte me aq admirim e ndjenjë dhe me një kujdes sikur po mbarte një kurorë kristali i vendosi një kurorë me gjethe mbi flokët e artë, pa guxuar të thoshte një fjalë, kafshon lehtë buzën dhe zhytet i gjithi në aureolën e fjalëve të saj...
Ritës i ndrinë dy yje të ujshëm në qiellin gri të syve të saj.
- Një shi i ri shoh të trokas,- tha Tani,- në qiellin e vetëm ku unë jam vetvetja dhe me dorën e djathtë i rregulloi kurorën që desh të mënjanohej dhe me të majtën i ledhatoi lehtë flokët...
Sa ishte rritur Margarita në kaq muaj!
I dukej më e zgjuar, më e matur dhe o Zot, shumë më e bukur!
Ai shton një moment:
-Zemër si do ta komentoje shprehjen:
"Ka burra që i bëjnë gratë e bukura dhe ka burra që i shohin gratë të bukura."?
- Tani,- ajo hepohet një moment,- unë i kam frikë ata burra që të bëjnë të bukur. Ata janë si shiu në një verë të gjatë që i jep gjallëri natyrës, e harlis atë në degë dhe gjetheve ju jep idenë e vazhdimësisë, ripërtëritjes dhe kjo është e mrekullueshme.
Por shirat e verës zakonisht janë sporadik, të rrallë saqë në disa raste e vende nuk vijnë ta vizitojnë fare tokën e thatë të pritjes, përveç se dërgojnë disa bubullima e vetëtima dukejsh e zhdukjesh dhe zhduken...
Preferoj një burrë që më shikon të bukur, e para se nuk ka një femër të pabukur dhe se zotësia është ta gjesh të bukurën e ta shijosh atë në çdo grimkohë e formë të shfaqjes së saj.
Këta burra janë si shirat e vjeshtës; të bekuar, të vazhdueshëm, të qetë, romantik, prodhues mbi tokën në të cilën farërat e drithërave presin të ngjizin jetën...
Ndërkohë ata ishin ndalur në një stol.
Parku ishte thuajse i zbrazur.
- Rita ime,- e di që çfarëdo që të them nuk do të jetë kurrë aq e bukur dhe delikate sa ti e meriton të jetë dhe sa ti e bën të jetë dhe kur nuk është. Unë jam njeri i veprave dhe me ato flas më plotësisht ndonëse ndonjëherë ato kanë folur ose më mirë të them është dukur se kanë folur kundër meje.
Çdo gjë në jetë e ka një shpjegim e qëllim. Si takimi ynë i parë, si largimi im dhe kjo riardhje...
Ndonjëherë zgjedhim të qajmë pas një dere që mbyllim me qëllimin që ta ruajmë tjetrin nga një vuajtje e pamerituar.
- A nuk do të ishte më mirë ta pyesnim atë tjetrin përpara se ta mbyllnim derën?
Mbase ai zgjedh të vuaj me ty. Mbase ajo vuajtje është ajo që ai ka pritur sa kohë ajo është pjesa jote dhe ti je kuptimi i tij?,- ndërhyn Rita me një zë që kujton një fëmijë të lënduar kur i kërkojnë falje për një ndëshkim të dhënë pa e pyetur se si kishte ndodhur.
- Nuk je pa drejtë në këtë që thua, por ja që ka momente që njeriu edhe pse niset nga qëllimi më i mirë për të ruajtur tjetrin dhe zgjedh të vuaj për dy, sërish lëndon...
-Tani,- flet Rita me zërin që i dridhet si teli pas nisjes së një dallëndysheje në fluturim...
- Mos më ndërprit të lutem Rita, më dëgjo:
- Nuk jam një burrë i përkryer. Kam frikërat e dyshimet e mia, sprovat e faturat e mia të papaguara ndaj kohës, por unë s'jam djall. Shënoje këtë!
Jam një burrë i cili gjithë jetën ka pritur një grua ta dojë kështu si ti, pa dje e pa nesër, pa përse e sikur, pa ndoshta...
Një grua që ndjehej e bukur në vetminë e paplotësinë e saj dhe që nuk priste një burrë ta bënte të bukur!
Rita, unë e dua vjeshtën si ti ndaj zgjodha të rivij si shiu i parë i saj.
Një shi i butë, i vazhdueshëm, i dëshiruar të bëjmë kopshin tonë një festë stinësh.
Kam ardhur sepse kam zgjedhur të rri atje ku më duan pa përse e sikur...
Zgjodha ta bëj me ty rrugën e mbetur këtu Rita dhe më tej...
-Tani...
-Shsssssssssssh,- më vonë ...
Të tjerat më vonë...Më puth dhe i ke thënë të gjitha.
Nje puhizë e lehtë nga Joni përkarshi iu ledhatonte fytyrat që nën diellin e pasdites ju jepte një shkëlqim e gjallëri si një të sëmuri pasi mjeku i ka dhënë lajmin se sëmundja e keqe u mposht përfundimisht!
Parku ishte zhytur i gjithi në një atmosferë romantike sa asnjë gjethe nuk guxonte të lëvizte e të prishte këtë moment magjik.
Vetëm dritat e qytetit u ndezën njëkohësisht.
Kishte rënë mbrëmja.
Një mbrëmje vjeshte në një ishull dashurie nuk ka të ngjarë të jetohet dy herë njëlloj...