Bedri Tahiri - KËNGA EPIKE E PERIUDHËS SË RILINDJES KOMBËTARE NË DRENICË (Kumtesë)

Bedri Tahiri - KËNGA EPIKE E PERIUDHËS SË RILINDJES KOMBËTARE NË DRENICË (Kumtesë)
Kumtesë
 
KËNGA EPIKE E PERIUDHËS SË RILINDJES KOMBËTARE NË DRENICË
 
Përkufizimi
 
“Rilindja Kombëtare Shqiptare ishte një lëvizje e gjerë dhe e gjithanshme kombëtare, me një përmbajtje të re ideologjike, politike-kulturore, ekonomike-shoqërore dhe organizative që synonte të çlironte vendin nga sundimtarët e huaj osmanë, të bashkonte trojet shqiptare në një shtet të vetëm e të pavarur, t’u hapte rrugën zhvillimit e përparimit ekonomiko-shoqëror e kulturor të Shqipërisë”.[1]
Kjo Lëvizje, që zë fill në vitet ’30-’40 dhe përfundon me Pavarësinë e Shqipërisë, 28 Nëntor 1912, solli elemente të reja edhe në organizimin e drejtimin e lëvizjes çlirimtare shqiptare. U forcua ndërgjegjja kombëtar dhe u organizuan Kuvende e Besëlidhje gjithëkombëtare, si: Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878-1881), Lidhja Shqiptare e Pejës (1899-1900) etj. Ajo, edhe pse në fakt ishte lëvizje ideore, me intelektualë të zot që e drejtonin, karakterizohej edhe me veprime të armatosura të shtresave të gjera popullore kundër sundimtarëve osmanë.
“Shekulli XIX është shekulli i zgjimit kombëtar për të gjithë popujt e Evropës, pra edhe për popullin shqiptar. Kjo frymë kryengritëse e liridashëse do të ndihet edhe në Drenicë, e cila asnjëherë nuk do ta lëshojë nga dora flamurin kryengritës të luftës për liri”.[2]
Kështu, në të gjitha Lëvizjet Kombëtare Çlirimtare, drenicasit ishin në ballë të tyre. Në LSHP kishte shumë pjesëmarrës, por më të dalluarit ishin: Zenel Obria, Hetem Kozhica, Januz Çupi, Ramadan Bajraktari, Del Prekazi, Ramë Lutani etj.
Dihet se shqipja, edhe pse gjuha më e vjetër ballkanike, bijë e ilirishtes së lashtë, mjerisht, vonë, është lejuar të marrë frymë në variantin e shkruar. Sa qenë otomanët, shkronjat e gjuhës sonë të bukur shqipe i shpallen haram, përkundër faktit se popujve tjerë të robëruar ua kishin lejuar shkollat amtare. Nën sundimin e egër të krajlit serb, gjuha e shkruar shqipe ishte një sakrilegj që dënohej rëndë dhe të kushtonte edhe me kokë.
Megjithatë, edhe këtë mallkim historik e sfiduam me formën tjetër të të shprehurit, përmes këngës. Lahuta dhe çiftelia shënuan besnikërisht të gjitha ngjarjet tona historike. “Përmes këngëve historike kujtesa popullore ka bërë kronikën e ngjarjeve të mëdha historike, ka bërë të pavdekshme trimëritë e fisnikëve shqiptarë e deri dhe të njerëzve të thjeshtë që dhanë jetën për trojet e të parëve. Këto kanë qenë argëtim, art, por dhe mesazhe për brezat pasardhës. Kështu brumoseshin njerëzit nga gjenerata në gjeneratë”.[3]
Në Drenicë, në këtë drejtim priu i madhi dhe i pavdekshmi, gjeniu ynë popullor, Dervish Goxhuli (1870-1938), që me lahutën e tij e mbajti gjallë kujtesën tonë historike, duke i përjetësuar trimat e lirisë më bukur se vetë historia, i cili kurrë nuk bëri këngë me porosi, sepse thoshte: “Kënga del prej grykës së pushkës”.
“Kënga historike u bëri jehonë akteve heroike të masave popullore, asaj force të pathyeshme e të pa gjunjëzuar të kombit që iu kundërvu si shtypjes nacionale, ashtu edhe shfrytëzimit klasor”.[4]
“Këngët popullore të Rilindjes Kombëtare, të cilat kanë karakter luftarak dhe frymë liridashëse, shquhen për vlera të qëndrueshme letrare artistike. Pos këngëve që i kushtohen periudhës së lavdishme të Skënderbeut, vend të posaçëm në poezinë tonë zënë ato që shtjellojnë tematikën e zgjimit kombëtar dhe të luftës së masave për çlirim nga sundimi i gjatë i Perandorisë Osmane”.[5] “Ato në folkloristikën tonë përbejnë një kapitull krijimesh interesante në opusin e epikës sonë historike në përgjithësi, sepse ato në vazhdën e traditës pasqyrojnë me një realizëm, jo vetëm lëvizjet çlirimtare më intensive në kuadrin e popullit tonë, por edhe kthesat e mëdha që bëhen në arenën ndërkombëtare”.[6]
Megjithatë, gjatë kohës së Rilindjes Kombëtare, në Drenicë, numri i këtyre këngëve është paksa më i kufizuar, krahasuar me periudhat tjera historike. Në fakt, rezistenca kundër osmanëve, zë fill pikërisht në Drenicë, kur trimi Millosh Nikollë Kopiliqi, në vitin 1339 theri për vdekje sulltan Muratin I.
 
1.      Lufta për mbrojtjen e tërësisë shqiptare
 
“Drenica përherë ishte vatër e kryengritjeve dhe e luftërave për liri e pavarësi kombëtare. Prej vitit 1878-1912, përmendet Zeqir Llausha, në luftë kundër invazionit serb të Milan Obrenoviqit, në territorin shqiptar prej Nishit e këndej...
Kënga “Prej Prokuplje deri në Nish” është ndër krijimet e para gojore kushtuar luftërave heroike të popullit shqiptar, kryesisht drenicas, në mbrojtje të Sanxhakut të Nishit, nën udhëheqjen e Zeqir Llaushës, i cili ra heroikisht në krye të luftës dhe sipas amanetit të tij varroset atje. Kjo këngë radhitet në mesin e kryeveprave të epikës sonë historike dhe vjen si jehonë e luftërave shqiptaro-serbe të dhjetëvjeçarëve të fundit të viteve të shekullit XVIII, të atyre të fillimit të shekullit XIX si dhe atyre të viteve 1876-1878.[7]
“Kjo këngë e krijuar përafërsisht 200 vjet më parë, këngë shumë e preferuar në të kaluarënishte ndaluar në periudhën e bashkim vëllazërimit të shqiptarëve me popujt sllavë, në periudhën e sundimit titist rankoviqist...Kënga me përmbajtje historikePrej Prokupjes deri në Nish, apo sikur quhet ndryshe edhe “Kënga e Maliq Pashës”, është krijuar në kohën e luftërave të përgjakshme shqiptaro-serbe, të fillimit të shekullit të 19-të, të cilat zhvilloheshin me flamurin osman nën komandën e Maliq Pashë Gjinollit, njërit ndër pashallarët më gjakatarë të kohës”.[8]
Në qendër të këngës del trimi i ri drenicas, Zeqir Llausha, i cili shkëlqen në betejën e përgjakshme, që i ka mbushur tri llogore me gjak e duke mos e lëshuar nga dora Flamurin e rënduar nga gjaku, të cilin e fitoi pasi, sipas traditës, krehri i qëndroi në mustaqe (e futi në mish mbi buzën e epërme):
 
O Zeqir, Zeqir Llausha,
Krejt llogoret gjak na i mbushe...
Ço Zeqir bajrakun
S’mund po e luej prej gjakut...
Bajraktari i Llaushës, Zeqir Kurti, bashkë edhe me dy trima sypatrembur: Kurt Rezallën dhe Dan Zatriqin e Dukagjinit, udhëhiqnin mirë shqiptarët, të cilët korrnin fitore.
 
 
Kundërshtimi i reformave turke
 
“Në korrik 1907, në Drenicë erdhi deri te një konflikt i hapur, dhe në një luftë të shkurtër, pos tjerash u vra edhe Bejtë Galica, babai i Azemit”[9]- shkruan Hasan Prishtina në kujtimet e veta.
Gjatë marsit të vitit 1903 lëvizja kundër reformave kaloi në ofensivë të armatosur. Disa mijëra shqiptarë, më 29 mars 1903, nën udhëheqjen e Ramë Lutanit të Turiqefcit hynë në Vushtrri, morën qytetin dhe vendosën ta sulmojnë Mitrovicën për të zbatuar vendimin e Kuvendit që të dëbojnë konsullin rus Shqerbinin”.[10]
Ndër këngët më të hershme të kësaj periudhe, e cila flet për heroizmin e drenicasve është “Drenic’ e kuqe u çue n’kam”. Brenda 13 vargjesh është sintetizuar një histori e tërë, e luftërave herokie të shqiptarëve, konkretisht drenicasve, që kurrë nuk u nënshtruan:
 
Shat’karli i kish Evropa
Shtat’krali na msyn’ me topa
Po shtat’ zemra n’gjoks t’shqiptarit,
Shtat’ her’ vritet, tet’ her’ ngjallet! [11]
 
Mirëpo, kënga më e fuqishme e kësaj periudhe është ajo kushtuar luftës së drenicasve kundër Jashar Pashë Gjinollit, i cili në verën e vitit 1837, kishte provuar ta nënshtroi e ta poshtëroi Drenicën, e njohur si “Kënga e Jashar Pashës”.[12]
Varësisht nga variantet, ndryshon edhe vendi i ngjarjes. “Pashai, me kohortën e tij (sipas tekstit të këngës) fillimisht kishte ngritur çadrat në fshatin Pjetreshticë, në vendin e quajtur “Lama e Spahive”. Përmes tellallit kishte ftuar parinë për konsultim:
 
Çka po ban Pasha i Turkisë,
Ka marrë rrugën për Drenicë,
Po i nge çadrat në Petreshticë...
 
Këngëtari popullor vetëm me tri vargje e jap qëllimin e pashait:
 
Si n’e paçit ju barkun thatё,
Si n’i paçi shpijat me kashtё,
Urdhni i Pashёs me i pru gratё...[13]
 
Këtë kërkesë nuk e përballuan dot drenicasit dhe, i madh e i vogël, u ngritën nё kёmbё. I zënë ngushtë, Jashar Pasha merr ikën në drejtim të Kamaranit dhe ndalon në Çikatovë. Edhe aty has në rezistencë. Këtё më së miri e ka pasqyruar këngëtari popullor:
 
N’Drenicë ka ra Jashar Pasha,
S’dojke luft’ po dojke vasha,
Lypke vasha, haj medet,
Për mej ba Pashe hyzmet.
           
            Në këtë luftë, drenicasit, përveç armëve të zakonshme, për herë të parë përdorën edhe topin, të cilin, nga trungu i qershisë e me rrathë hekuri e kishte bërë luftëtari dhe armëtari i njohur baicas Zeqir Kiçina. Kjo pati efekt të madh dhe ndikoi shumë, si në trembjen e ushtrisë turke, në njërën anë, ashtu edhe në trimërimin e shqiptarëve në anën tjetër.
 
Çka po thotë Zeqir Kiçina,
Ndalu pashë se ta mbërrina!
Zeqir Kiçina t’madhe bërtet,
Osmanlitë i baj tim vetë,
Pasha nerën e shqyptarisë,
Sa ta kam ketë top t’qershisë,
S’i la ven kun’ osmanlisë,
S’ja marrë ftyrën krejt Drenicës...
 
Në këtë luftë heroike, u shqua edhe trimi i njohur dhe udhëheqësi i kryengritësve, Tahir agë Gradica[14], i cili posa dëgjoi urdhrin, i vajti Jashar Pashës brenda në shatorë e i tha:
A po ngon, pashë, çka po t’tham,
  t’tanë Drenicën mprapa e kam,
ja zullumin m’e nalue,
ja prit luftën, dojmë me luftue,
n’Drenicë tonë s’sundon i huaj,
nuk i dhamë vasha kërkuj...
 
 Kur pashai mendjemadh, e nënçmoi dhe nuk e përfilli fare, ai i thirri drenicasit anë e mbanë dhe ia krisi luftës. “Tahir aga i Gradicës dhe paria e fshatrave tjera të Drenicës lëshuan kushtrimin që me armë e me mjete tjera të sulmohej tabori i Jashar Pashës”.[15]
Jashar Pasha, kur e pa se kryengritësit drenicas po e sulmonin edhe me top, la shumë ushtarë të vrarë e të plagosur dhe ia krisi vrapit:
 
Kur ia mbërrini Ramë Lutani,
N’Korroticë ngat ni gardhi,
Mirë e rrxoi pashën pej kali,
Po ban pasha: kuku nanë,
E la kalin, iku kamë.
 
            “Në shenjë hakmarrjeje, ushtarët turq që shpëtuan, i zunë ca meshkuj të fshatrave të pjesës jugore të Drenicës, i dërguan në Prishtinë dhe i ekzekutuan atje”[16].
            “Epilogu i ekspeditës së Jashar Pashës në Drenicë është tragjik, por edhe komik, sipas këngës popullore. Ai, duket sikur e kishte kuptuar më në fund se sundimi shekullor turk në Drenicë kishte marrë fund...”.[17]
 
Jashar Pashë he budall,
Çka ke lyp n’Drenicë me ardh?
A ki dit si s’te lëshojmë për t’gjall’,
S’nijmë për mret as për pashallar’,
Dej sa t’desim plak e i ri,
Kamë e turkut n’Drenicë s’ka me hi![18]
 
Rrënimi i Hamidisë
 
Kishin kaluar plot 336 vjet nga pushtimet osmane dhe Drenica ende s’e kishte provuar robërinë as nënshtrimin. Formalisht ajo i takonte kazasë së Vushtrrisë a në të vërtetë ajo qeverisej nga pesë bajraqet e veta: Bajraku i Llaushës, i Klinës, i Polluzhës, i Plluzhinës dhe i Shtuticës[19].
Drenicasit lirinë e çmonin më shumë se jetën. Dhe, çdo përpjekje për t’i futur nën kthetra u kishte vajtur huq. Këtë e kishte provuar edhe Jashar Pasha!
Mirëpo, reformat turke nuk pushonin. U bënë plane që pushteti osman të shtrihet edhe në Drenicë.
            Saraji HAMIDI (u quajt ashtu për nderim të sulltan Abdyl Hamitit II, që shqiptarët e quanin “Sulltani Gjakatar”) lëshonte shtat midis Llaushës, Polacit e Prekazit. Heshtja dhe mosinteresimi i vendësve i trimëronte edhe më. Dhe punët vazhdonin. I emëruan nëpunësit dhe kajmekamin. E zgjodhën më të ashprin, Kahreman beun. Ditën e premte, më 14 janar 1891, do të vinte edhe vetë Xhelil pashai...
            Kënga popullore thotë:
 
Shih çka bajke ajo Turki,
N’Drenicë nisi ni sheher t’ri,
Ja ngjet emnin Hamidi,
Donë me ba këtë ven Turki.
 
            Kjo i tmerroi drenicasit, të cilët shpejt thirren edhe Kuvendin, ku u dalluan krerët: Ramë Lutani i Turiqefcit, Xhemail Obria, Adem Bajraktari i Llaushës, Halil Haxhia i Vitakut, Hetem Kozhica, Temë Dobrashevci, Rexhë Delia i Prekazit, Bejtë Galica (babai i Azem Galicës) dhe Oruç Selimi i Makërmalit.[20] Të gjithë ishin të një mendjeje: Pushteti turk nuk duhej pranuar kurrsesi!
Vargjet e këngës na thonë:
 
 U idhnun t’parët e Drenicës,
Fjalë po i çojnë pashës t’Prishtinës,
S’durojmë këtu na sheher t’ri,
Do ta bajmë shkrum e hi.
Se kjo tokë asht e jonë,
Të partë tanë na e kanë lanë,
Jemi të zotët e vendit tonë.
 
            Kështu, rreth 2000 kryengritës e sulmojnë ashpër dhe patën sukses. Kajmekami mezi arrin të shpëtojë i gjallë e Saraji u dogj rrafsh me tokë. Sulltani kur dëgjoi, nga inati, zuri të fliste me vete:
 
Vet me vete llaf po banë,
Shih çka banë populli shqiptar,
Sot Sarajin ma paska kallë.
Nuk a punë me këtë milet,
S’lanë n’Drenicë me vnu pushtet,
Donë me vnue hyqmin e vet...
 
            As Porta e Lartë nuk qëndroi duarkryq. Fill organizoi forca të mëdha dhe, më shumë me dredhi se sa me trimëri, arriti t’i zë disa krerë e të parë nga Drenica: Ramë Lutanin, Oruq Selimin, Xhemail Obrinë, Halil Haxhinë, Hetem Kozhicën, Temë Dobrashefcin, Bajraktarin e Klinës, Bajraktarin e Llaushës, Bejtë Galicën (vërejtja ime- B.T.) Rexhë Delinë etj. Ata u dërguan në Vushtrri (aty ishte qendra administrative turke), ku gjyqi ua shqiptoi nga gjashtë vjet burg. Të gjithë, pos Xhemail Obrisë që u lirua, e vuajtën dënimin gjashtëvjeçar në burgjet e Anadollit: Brusë, Kojë dhe Edanë[21].
 
Kënga e Sylë Rezallës
 
Derisa në këngët e para flitet për një rezistencë kolektive për mbrojtjen e dinjitetit dhe moralit kombëtar, në këngën e Sylë Rezallës, del në pah trimëria individuale, për mbrojtjen e nderit të mikpritjes dhe bujarisë shqiptare. Mbledhësi ynë i folklorit, i madhi Anton Çetta shkruan: “Me këtë qëndrim të vetin Syla mbron moralin e traditës”.[22]
Kjo këngë, edhe pse del në disa motërzime[23], në përmbajtje ka pak ndryshime. “Për këtë këngë, ngjarja e së cilës ka ndodhur para mesit të shek. XIX, bashkëfshatarë dhe disa njohës të folklorit tonë thonë se e ka krijuar dhe e ka kënduar shpesh Dervish Goxhuli”.[24]
Gjatë hartimit të këtij punimi, kam analizuar edhe tri variante të kësaj kënge, përafërsisht të njëjta në përmbajtje e në numrin e vargjeve (nga 35), por që dalin me tituj të ndryshëm: Kanga e Sylë Rezallës[25] , Syl’ Rezalli pika e djalit[26]dhe Sylë Rezalli.[27]
Ngjarja ka ndodhur në vitin 1883. Sipas këngës, Sylë Rezalla me një kushëri të vetin, Ramë Hakollin, kishin qenë duke shkuar së pari te një mik në Hade. Mirëpo, sipas tregimeve të pasardhësve të Sylës, ai kishte qenë tek e motra e madhe, Sherifja, e martuar në Prishtinë, te Haxhi Mehmeti.
Sido që të jetë, trimi Sylë Rezalla del figurë e ndritshme luftëtari të pastër, i cili i befasuar më çaushin, Tahir Shurdhiqin e Llapit, të cilin e kishte mbajtur dhe mbrojtur si mikun më të mirë në konakun e tij për disa vjet, me fjalë të mira përpiqet t’i ikën ngatërresës, por kot. Ai, i verbuar nga gradat dhe pozita, kishte shkelur mikpritjen, bujarinë, nderin dhe miqësinë. Si bukëshkelës, meritonte ndëshkimin, andaj trimi, Sylë Rezalla, edhe pse ishte larguar nga rreziku i çaushit dhe sejmenëve të tij, ndalon kalin dhe e pret për t’ia larë hakun në një dyluftim si burrat e motit.
Është interesant se, fillimi i varianteve të këngëve ndryshon në prezantimin e luftëtarëve të asaj beteje. Në një këngë del se Syla ishte me disa shokë, a në realitet ai ka qenë vetë i dyti:
 
Kush po zhdirgjet n’ato ara?
Me shok’ t’vet Sylë Rezalla..[28].
 
Ndërkaq në variantin tjetër, që në vargjet e para tregohet qëllimi i rrugëtimit të kryepersonazhit:
 
Kush po zhdirgjet qasaj are?
Syl Rezalla po çon pare...
 
Kënga është plot dramacitet, e drejtëpërdrejtë dhe shumë koncize. Edhe kundërshtari del herë si çaush e herë si bylykbash, por, sidoqoftë, ai del i pakarakter, i lig, mburravec, bukëshkelës dhe mosmirënjohës:
-Nuk muj Sylë, kërkun me shkue,
M’ka qit pasha qit urë m’e rue,
Kan me armë s’mij m’e lshue!
Ti tu miku n’dash me shkue,
Qat martin-o lema mue!
 
Syla paraqitet trim e burrë i fortë, dhe me fjalë të mira përpiqet t’i ikën problemit me çaushin, të cilit ia përkujton të gjitha të mirat dhe afrinë e tyre të para tri vjetësh:
 
O çaush- o ty t’vraftë buka,
A kujtove qi tu tuta,
Qi t’i fola dy fjal t’buta?
Ty t’vraftë buka, t’vraftë sajgia,
T’ka majt nana n’tesha t’mija,
n’tesha t’mija ty t’ka nrrue,
bukë t’grytë-o t’ka gatue,
tambël t’dhene -o t’ka vlue
e t’ka deshtë ma shumë se mue
me ni jargan bashk’ jena mlue,
s’rujasha çikë, as s’rujsha grue,
ty qaq fort qi t’kam besue!
 
Mirëpo, çaushit, të verbuar nga gradat dhe ofiqet, as që i bëjnë përshtypje fjalët e trimit dhe fill kërcet pushka. Në fakt, Syla e Rama, nuk ishin të pajtimit të luftonin me shqiptarët e paguar dhe ia krisin vrapit, duke u larguar nga rrethimi. Trimi shkon duke menduar dhe, në në moment, kur e mendon se ky bukëshkelës kishte fyer nderin i mikpritjes shqiptare, e ndalon kalin, e pret çaushin derisa afrohet dhe me një plumb e lë të vdekur. Aty plagoset edhe Syla.
Këngëtari i zellshëm popullor, përmes dialogut me të ëmën, zbulon edhe një të metë fizike që kishte Syla, çalaman në njërën këmbë. Vargu i fundit e vërteton atë që e ka thënë Dervish Guxhuli se: Kënga del nga gryka e pushkës!
 
-Pse nuk ike, o Sylë, lum nana?
-Kesh i lig, oj nanë, m’dhimti kama,
Me pas ikë s’m’u kish knue kanga!
 
5. Hasan Prishtina- Truri i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, i cili eshë e përgatiti Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë, zë një vend të rëndësishëm edhe në epikën tonë popullore. Ai, që kur braktisi Parlamentin e Turqisë dhe doli në Drenicë, në Kullën e Ahmet Delisë, u vu në ballë të kryengritjeve të mëdha për çlirim e bashkim kombëtar.
Ngjarja më e rëndësishme dhe vendimtare e periudhës së lëvizjes antiosmane ishte Kuvendi i Junikut, e cila pasqyrohet në këngën Besëlidhja e Junikut, në të cilën trimi drenicas luan rolin kryesor:
 
Ushton Gryka e Kaçanikut,
U mlodh paria n’odë t’Junikut,
N’junik janë mbledh shumë trima,
N’kam u çue Hasan Prishtina:
-Merrne vesh, t’bijtë e Kosovës,
Sot ne mbreti i Stamollës,
Na ka çu’ lira e pare,
Me ja shit votrën shqiptare.
Ka harru’ i biri qenit
Se jem nipa t’Skënderbegut,
Se nuk dom dukat as lirë,
Veç Kosovën e domë t’lirë![29]
 
Edhe në këngën Çkepen letrat nëpër Shqipni del në pah roli vendimtar i Hasan Prishtinës në organizimin e luftëtraëve të lirisë kundër Turqve të rinj, kundër Hyrjetit:
 
Qemal Vlora e Hasan Prishtina
Po i çojnë letrat nëpër Shqipni:
-O vllazni!-n’letër po thet,
Kush të do mos me pas hyrjet
Me lidh besën qysh e kem adet,
 Për atdhe duhet me dekë...
S’domë hyrjet, as nuk domë mretni,
Domë flamurin, vllazën kuq e zi![30]
 
6. Kënga e Ahmet Delisë
 
Në letërsi, besoj edhe në histori, periudhat kohore nuk janë të prera si me thikë, ngase kufijtë e tyre lejojnë zhvendosje ngjarjesh e kapërcime situatash. Në kapërcyell të Rilindjes Kombëtare dhe të Pavarësisë së Shqipërisë, qëndron një ngjarje mjaft me rëndësi për historinë tonë kombëtare, lufta e Ahmet Delisë së Prekazit kundër bandave të shfrenuar serbe që kishin mësyrë trojet tona.
                        Kësaj lufte heroike, që u zhvillua në fundvitin 1912, pikërisht më 25 dhjetor, përmendoren më të vlefshme ia bëri gjeniu popullor, këngëtari Dervish Goxhuli. Brenda 122 vargjeve e ka pasqyruar saktësisht e besnikërisht atë ngjarje të lavdishme, e cila përbën një akt sublim të dramës sonë kombëtare.
            Kënga fillon:
N’kam janë çue një rrem komitë
Ishin dalë nëpër Drenicë
E n’Prekaz kokan hi
Kanë plaçkit disa shpi...
 
                         Takimin e trimave me kriminelët serbë, rapsodi popullor e ka përshkruar me një mjeshtri të rrallë artistike, duke na e dhënë tërësinë tonë gjeografike kombëtare:
 
-Dur, Ahmet, ku don me hi!
-Nuk ka dur, more, shka i zi!
Në Prekaz- o ti qysh me hi!
A e din ktu, po i thonë Shqipni?
 
                         “Kënga që evidencon territorin e Drenicës si Shqipëri, shpreh vetëdijen e lartë kombëtare të krijuesit dhe të interpretuesit tonë”,- konstaton studiuesi i njohur, Prof. dr. Adem Zejnullahu.[31]
                        Ata ishin 13 veta. Të armatosur e të veshur mirë. Shtatë hynë në shtëpinë e Demë Shabanit e gjashtë të tjerë ia mësyjnë shtëpisë së Mahmut Rexhës. Pasi plaçkisin aty, sërish bashkohen e mësynë shtëpisë e Halil Brahimit. Aty nuk kishte mashkull në shtëpi. Gratë dhe fëmijët i rroku frika dhe paniku. Fillojnë të qajnë e të bërtasin. I dëgjon Ahmet Delia, i cili me djalë, Murselin, rrokun sakicat dhe bëjnë zë edhe Ramë Islamit me djalë Jetullahun, duke ia përkujtuar besëlidhjen e mëparshme:
 
Ramë Islamit çka i kanë thanë
 -Ai kem fjalët qysh i kem lanë?
 N’ardht komita me dekë të tanë…
 
                        Trimat sypatrembur u dalin në ndihmë familjarëve të tmerruar dhe arrijnë ta shpartallojnë atë bandë serbe (shpëton vetme Jovani). Nga tanët vriten Ahmet Delia dhe Jetullah Rama.     
            Data e 25 dhjetorit të vitit 1912 ngeli në histori. Burrëria dhe trimëria e Ahmet Delisë, e Ramë Islamit dhe e bijve të tyre, Murselit e Jetullahut, mbetet akt heroik i mbrojtjes së nderit familjar e kombëtar. Flijimi për tjetrin është akt i madhërishëm. Porosia është fare e qartë: Praku i shtëpisë dhe nderi i familjes janë të paprekshme!
 
            Vargjet e këngës japin një epilog të shkëlqyer:
 
  Trim ish kanë qaj Ahmet Deli
  s’ja pa sherrin kurrni shpi
  as një shpi, as shpia e vet
  për kojshi ai ka bo gajret
  për kojshi ai ka nrrue jetë
  tanë shqiptarët t’i knojmë rahmet
  le t’i knojmë Ahmet Delisë
  zbardhi ftyrën krejt Shqiptarisë.
 
Përfundimi
 
Rilindja Kombëtare Shqiptare, që zë fill në vitet ’30-’40 dhe përfundon me Pavarësinë e Shqipërisë (28 Nëntor 1912), solli elemente të reja edhe në organizimin e drejtimin e lëvizjes çlirimtare shqiptare. U forcua ndërgjegjja kombëtar dhe u organizuan Kuvende e Besëlidhje gjithëkombëtare, si: Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878-1881), Lidhja Shqiptare e Pejës (1899-1900) etj. Ajo, edhe pse në fakt ishte lëvizje ideore, me intelektualë të zot që e drejtonin, karakterizohej edhe me veprime të armatosura të shtresave të gjera popullore kundër sundimtarëve osmanë.
Kjo lëvizje reflektoi fuqishëm edhe në folklorin tonë. Lahuta dhe çiftelia shënuan besnikërisht të gjitha ngjarjet tona historike. Në Drenicë, në këtë drejtim priu i madhi dhe i pavdekshmi, gjeniu ynë popullor, Dervish Goxhuli (1870-1938), që me lahutën e tij e mbajti gjallë kujtesën tonë historike, duke i përjetësuar trimat e lirisë më bukur se edhe vetë historia, i cili kurrë nuk bëri këngë me porosi, sepse thoshte: “Kënga del prej grykës së pushkës”.
Gjatë hartimit të kësaj teme, kryesisht u përqendrova në disa këngë që pasqyrojnë luftërat, heroizmin dhe qëndresën e shqiptarëve në mbrojtjen e tërësisë territoriale, në mbrojtjen dhe ruajtjen e etnitetit kombëtar nga invazionit turk, luftën kundër reformave turke, mbrojtjen e mikpritjes dhe nderit kombëtar. Janë analizuar dhe komentuar këto këngë:Prej Prokupje deri në Nish”, Drenic’ e kuqe u çue n’kam”, “Kënga e Jashar Pashës”, “Nuk durojmë shehër t’ri”,“Kënga e Sylë Rezallës”,Besëlidhja e Junikut” e “Çkepen letrat nëpër Shqipni” (Këngë për Hasan Prishtinën) dhe Kënga e Ahmet Delisë.
Skënderaj, 26 nëntor 2019

[1] Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Fjalor enciklopedik shqiptar, Tiranë, 2009, f. 2249.

[2] Hamdi V. Thaçi, DRENICA- Epiqendër e Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare, Trand, Prishtinë, 2016, f. 40.

[3] Mark Tirta, Etnologjia e shqiptarëve, Tiranë, 2006, f. 475.

[4] Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Kulturës Popullore, Epika historike 1, Tiranë, 1983, f. 9-10

[5] IAP, Këngë popullore të Rilindjes Kombëtare, Prishtinë, 1878, f. 5

[6] Demush Shala, Këngë popullore historike, ETMM, Prishtinë, 1977, f. 30-31.

7. Mr. Kadri Rexha, Çast me këngën “Prej Prokupje deri në Nish” kënduar nga Dervish Shaqa, Pashtriku.,13. 12. 2009.

 

8 Ahmet Qeriqi, Kënga për heroizmin dhe tragjiken shqiptare, Radio Kosova e lirë, Kultura, 20. 09. 2012.

[9] Hasan Prishtina, Nji shkurtim kujtimesh mbi kryengritjen shqyptare të vjetit 1912, , Shkodër, 1921, f. 18-19.

[10] Mr. Ibrahim Çitaku, DRENICA 1991- 1999, Prishtinë, 2004, f. 36.

[11] Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Kulturës Popullore, Epika hsitorike kosovare, Tiranë, 1985, f. 88.

[12] Kjo këngë e kënduar nga rapsodi popullor Adil Cenë Dugolli (1920-1999) ka 126 rreshta dhe ruhet në fonotekën e Radios Kosova e Lirë).

[13] Ahmet Qeriqi, Krojmiri (1455-19990, Radio Kosova e Lirë, Prishtinë, 2007, f. 100-101.

[14] Bedri Tahiri, DRENICA djep trimërie, Meshari, Prishtinë, 2015, f.255-256.

[15] Qerim Zariqi, Baica në rrjedhat e kohës (Monografi), Prishtinë, 2005, f.140.

[16] Qerim Zariqi; Po aty, f. 141.

[17] Ahmet Qeriqi, Krojmiri (1455-1999), Radio Kosova e Lirë, Prishtinë, 2007, f. 103-104.

[18] Këtë variant të këngës e kënduan Durmish Kadishani dhe Halil Bajrami.

[19] Nezir Çitaku, Drenica në shekuj, Ulqin, 2007, f. 149.

[20] Nezir Çitaku: Po aty, f.150.

[21] Fazli Hajrizi: Drenica dhe Lutanët e Turiqefcit, Mitrovicë, 2006, f. 204.

[22] Anton Çetta, Kërkime folklorike, Rilindja, Prishtinë, 1981, f. 175.

[23] Anton Çetta thotë se i ka mbledhur tri variante: Një nga Zekë Rrahmani i Rezallës (i lindur më 1916), një nga Zejnel Ramadani i Gradicës (i lindur më 1926) dhe të tretën nga Halil Ceravadiku i Poklekut (i lindur më 1922).

[24] Fazli H. Hajrizi, DERVISH GOXHULI-anekdotist, humorist dhe rapsod i shquar popullor, Libri shkollor, Prishtinë, 2017, f. 199.

[25] IAP, Këngë popullore të Rilindjes Kombëtare, Prishtinë, 1878, f. 82-83.

[26] IAP, Këngë popullore të Rilindjes Kombëtare, Prishtinë, 1878, f. 217-218.

[27] IAP, Këngë popullore historike I, Prishtinë, 2007, f.379-380.

[28] Këngë e kënduar nga rapsodi i njohur drenicas, Fatmir Bajra, më 5 tetor 2019.

[29] IAP, Këngë popullore historike III, Prishtinë, 2007, f. 2018- 219.

[30] IAP, Po ayt, 272.

[31] Prof. dr. Adem Zejnullahu, Vuajtja dhe qëndresa në këngë historike, IAP, Prishtinë, 2010, f. 235.