LINDITA QERACA
Lindita Qeraca ka lindur më 19.11.1967. Shkollën fillore dhe të mesme i ka përfunduar në qytetin e saj të lindjes, në Kavajë. Më pas u diplomua si mësuese parashkollori në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan.
Që në bankat e shkollës tetëvjeçare spikati si një talent i ri në poezi, duke u vlerësuar edhe me çmime. Në moshë të re, një tjetër pasion i saj ishte edhe këndimi.
Krijimtaria e deritanishme e autores përfshin këto vepra:
Koha le – 2015
Pa pigment – 2018
Zoe, princesha e mbretit Ajër – 2018
Kukumjacka do një zog – 2019
Helius, Kalorësi i reve – 2020
Bija e Dritës dhe Iljoni, biri i së Bukurës së Detit – 2023 (në shqip dhe anglisht)
Heliusi dhe milingonat – 2023
Koralja e vogël – 2023 (në shqip dhe anglisht)
Veç më parë mos më kërko – 2024
Oriel, ketrushi – 2024
Tekat e pranverës – 2024
Aktualisht është në proces botimi libri me poezi për të rritur, “Vjeshta”. Poezitë e ciklit që po botojmë janë shkëputur nga libri “Pa pigment”.
DI TË DASHUROSH NJË GRUA
Ti vëzhgon Natyrën si lumturohet,
hidhërohet ,
shpërthen ,
ndryshon.
Nën tingujt e katër stinëve,
shkrirë violinash,
Dielli si e dashuron…
Kur veten gjen në afshin e tij e thua …
-Si mua…!
-Atëher’ di të dashurosh një grua!
HËNA JO MUA
Shëndrisin yjet shkëmbinj e gurë,
e bukura hënë rri e vështron,
krëhër argjend dritë e saj bie,
çdo skutë lehtas e pushton…
Por mua jo…!
Se tek mbështetem në gjoksin tënd,
pështillet zjarr e fantazi,
hëna jo mua…por unë hënën,
e tremb me dritën që marr nga ti…
MBAMË I DASHUR
Të desha,
të dua dhe tani,
ndoshta s’do mundem…,
por zvarritur këmb’ e duar,
hapin tënd do të arrij.
Mbamë i dashur,
udhës tonë fundin pa e parë,
sot në pamje na kalon toka e tharë.
Mbamë dorën,
më shih si gjithmonë në sy,
këngë vaji…,
këngë malli…,
një duet jemi të dy…
MË KUJTOI…
E ftohtë kjo mbrëmje pranvere,
thuaj dimri u kthye sërish,
të strukem nën pallto po dua,
me natën të endem lirisht…
Ndër gjethe e degë kreshpëruar,
her’ fshihet, her’ del me nxitim,
ajo., dritëverdha vogëloshe,
me krahë aq të vogla mbi shpinë.
Të vrapoj sa dua pas saj,
ndër duar ta marr, ta vështroj,
një gjë aq e vogël, e madhe,
s’ësht’ tjetër veç një xixëllonj’.
Qortova një çast veten time,
kur strukem them…- nata s’mbaron,
kur sytë mbyll para veriut,
mbyll veshët, e koha kalon.
E ftohtë vërtet ësht’ kjo mbrëmje,
me të dritëverdha hedh valle,
të shoh brenda vetes më kujtoi ,
një gjë aq e vogël …e madhe….!
TI DJEG
Po sa e vogël më duket bota,
në mos më zhduket,
s’egziston,
seç e ndjej shpirtin të kapërthyer,
sa fryma më ndalon.
Bën t’më gënjej fllad’ i agimit,
tutje e shtyj,
larg shko..!
-Nuk je i them ajo që dua…
-Largohu ,
më mashtron..!
Ajo që çdo ditë vështron nga mua,
ësht’ shpirt’ e gjaku im,
mungesa shumë më mundon,
më djeg si përvëlim…
Ta dëgjoj dua para bilbit,
mëngjesin ëmbël t’i uroj…
të bekoj udhën ku shkel çdo ditë,
njerëzit që do takoj’…
Ndaj sytë drejt diellit çdo ditë mbaj,
se rreze e tij më je ,o bijë,
ti më shëron e kur s’më je,
malli më djeg në gji…
SHAMIA
Pa mbarim qenke,
o breg i detit,
ashtu si horizonti gri,
ndër këmbë dallga sot më lëshoi,
oshëtimën… e një shami…
Rërës në prehër iu ula pa kuptuar,
ajo më priti,
ç’ligështim…
Thërrmijat e saj shtrëngova në duar,
shamia fsheh një shkrim…
Thellë e vështrova,
pamja më trembi,
pash’ detin me stuhi,
varka përmbysur,
trupa pa jetë,
njerëz në agoni…
Mes ulërimës ku det i çmendur,
përpin dhe gllabëron,
një varkëz e vogël si një kuti,
mbi dallgë po qëndron…
Ja dhe shamia…!
-Oh mos më thuaj…
Këtu merr amanetin…
Lidhur mban fort vetëm dy duar,
dy jetë,
dy lule çajnë detin.
Si egërsirë po rrotullohet,
mbi to fati i zi,
zemra mban zemrën e nuk lëshohen,
Iidhur në një shami…
Bishë e plagosur me gjuhëprerë,
së fundmi qetësohet.
mori çfarë deshi sikur shumë herë,
kthen kokën e largohet…
Larg sa shumë larg varkëz e vogël,
një tokë ka takuar,
nën’ e bir n’det hedhin shaminë,
çdo gjë aty kanë shkruar…
-Unë lotët derdha,
mbeta pa fjalë…
...E madhja dashuri,
mbi dallgë fatin e sfidoi,
lidhur në k’të shami…