Ismail Sahiti - Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99”

Ismail Sahiti - Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99”
Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99” - Përjetimet e të dëbuarve me dhunë nga forcat serbe
 
LARGIMI NGA FSHATI, NGJARJE E PAHARRUAR
 
Ismail Sahiti
 
Më kujtohet 1 prill 1999, ishte ditë e enjte kur forcat policore ushtarake e paramilitare serbe na kanë dëbuar nga fshati Poturoc komuna e Lipjanit, kjo ka ndodhur diku rreth orës 16:20. Banorët janë larguar në drejtime të ndryshme. Unë isha vetëm në shtëpi, ndërsa babai me nënën dhe vajzën Shqipen, ishin në Prishtinë, gruaja ime me tre fëmijët ishin në Gllogoc të Lipjanit.
Pasi që na dëbuan nga fshati unë shkova në fshatin Bujan, te motra ime, nëpër rrugë dytësore, kurse të nesërmen kam kaluar nëpër Grackë, Topliqane, Kojskë, duke e kaluar lumin Sitnicë, ku mbërrina në Gllogoc tek miqtë ku e kisha gruan me tre fëmijët. Po të njëjtën ditë edhe babain, nënën dhe vajzën që ndodheshin në Prishtinë i kishin larguar nga aty.
Pas shumë sfidave që kishin pasur gjatë rrugës deri në stacionin e trenit në fshatin Rubofc, aty ishte ndalur treni dhe për të mos u larguar, ata kërcejnë nga treni dhe nisen më këmbë deri në fshatin Gllogoc, kështu që bashkohemi e gjithë familja. Të nesërmen, më 3 prill, ditë e shtunë, forcat policore e paramilitare e dogjën fshatin.
Për çdo ditë bastiseshin shtëpitë. Ne qëndruam me familje deri më 26 prill 1999, ku u detyruam, me dhunë të marrim arratinë.
Pasi që pjesa dërrmuese e fshatit ishin larguar nga fshati, më 26 prill, ne kemi dalë në Lipjan para orës 6:00 të mëngjesit për të hipur në tren në drejtim të Bllacës (kufirit). Ishte ditë me shi, me shumë vështirësi si kemi mundur kemi hipur në tren, ka pasor persona që kanë hyrë edhe nga dritarja e trenit.
Në këtë udhëtim ishin babai, nëna, vëllai me gruan dhe fëmijët, unë me gruan dhe fëmijët, miku im Mehmeti nga Gllogoci me nënën, gruan dhe fëmijët si dhe kushëriri im Qamili me nënën gruan dhe fëmijët, të gjithë duke ikur nga barbaria serbe...