Intervistë me Živko Grozdanoski (Përktheu në shqip: Rifat Ismaili)

Intervistë me Živko Grozdanoski (Përktheu në shqip: Rifat Ismaili)
“SHOQËRIA ËSHTË NË FLAKË NË SHKALLË GLOBALE…”
 
I ftuari ynë sot është Živko Grozdanoski, Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Maqedonisë, poet, shkrimtar dhe studiues letrar i njohur, si dhe fitues i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare.
 
– Prindërit luajnë një rol të pazëvendësueshëm në formësimin e së ardhmes së fëmijëve, dhe mbështetja fillon para së gjithash brenda familjes. Çfarë roli luajtën prindërit dhe familja juaj në formimin tuaj si poet dhe shkrimtar?
Živko Grozdanoski– Kur fillova të shkruaj poezitë e para , dhe kjo jo shumë kohë pasi mësova të shkruaj,  kam një kujtim të vagullt të nënës sime që më shikonte me kureshtje. Kujtimi tjetër (një, dy apo tre vite më
vonë?): më kujtohet nëna që më tregonte një fletore ku kishte shkruar poezitë e mia. U habita shumë! Unë i shkruaja poezitë dhe i lija pa kujdes aty-këtu, ndërsa ajo i kishte mbledhur të gjitha dhe i kishte kopjuar me përpikëri në një fletore. Madje kishte korrigjuar edhe gabimet. Kështu që, besoj se nëna ime ishte redaktorja ime e parë. Dhe mendoj se kjo histori më ka formësuar. Nga vetë ajo befasi.
 
– Letërsia shpesh përshkruhet si një botë e shenjtë që duhet të hyhet me zemër të pastër. Megjithatë, disa autorë shkruajnë kryesisht për përfitime personale apo çmime. Cili është qëndrimi juaj ndaj këtij fenomeni?
Živko Grozdanoski– Të gjithë udhëhiqemi nga dy shtysa të kundërta: nevoja për “autenticitet” dhe nevoja për “lidhje”. Disa shkruajnë sepse i afron me vetveten e tyre të vërtetë, të tjerë sepse e shohin si një mënyrë për të krijuar lidhje dhe për të përparuar në botë. Është zemra e pastër (dëshira për njëshmëri) pranë mendimit të pastër (bashkëpunues dhe konkurrues). Unë thjesht nuk jam krijuar për këtë të dytën; gjithçka që kam është “boja”, si metaforë për shkrimin, ndershmërinë dhe autenticitetin. Titulli i librit tim të fundit është: “Si një sepje, përdor bojën për të krijuar hapësirë për veten në botë”.
 
– Të jesh njeri do të thotë, mbi të gjitha, të kesh ndërgjegje. Sipas jush, cilat janë përgjegjësitë kryesore të një poeti apo shkrimtari?
Živko Grozdanoski– Përgjegjësia kryesore është të ngulë thikën në pjesën e kalbur të frutit dhe ta kthejë atë në një festë, në një kremtim të jetës. Duke imagjinuar se çdo njeri i gjallë është një frut.
 
– Me veprën tuaj “Gjurmë gishtash mbi kuba akulli” sollët një frymë të re në prozën e shkurtër. Cila është sfida më e madhe dhe kënaqësia më e madhe në këtë zhanër?
  Živko Grozdanoski- Sfida më e madhe është të shmangësh çdo shkronjë të tepërt. Kënaqësia më e madhe është befasia, emocionet që ndjen ndërsa “gjuan” formën përfundimtare.
 
– Thuhet se çdo shkrimtar bëhet një njeri tjetër kur ulet të shkruajë. Si zhvillohet procesi juaj krijues?
Živko Grozdanoski- Varet nga zhanri. Prozën e gjatë e ndërtoj duke grumbulluar ide dhe koncepte herë pas here, duke i kapur dhe duke i hedhur në letër. Pastaj vjen “dimri i gjatë” dhe shikon çfarë ke krijuar.
Poezia është një ide, një mendim i shpejtë që ikën; duhet të jesh vigjilent. Në çdo rast.

 
– Kur shkruani për fëmijë, nga e merrni frymëzimin?
Živko Grozdanoski- Nga burimi im personal i kureshtjes, nga nevoja për të mposhtur mërzinë. Për të befasuar veten.
 
– Cili është ndryshimi kryesor mes letërsisë për fëmijë dhe asaj për të rritur?
Živko Grozdanoski- Ka shumë dallime dhe ngjashmëri. Është një pyetje komplekse.
 
– Si e vlerësoni vëmendjen ndaj letërsisë dhe kulturës në shoqërinë maqedonase sot?
Živko Grozdanoski- Ka lloje të ndryshme letërsie, por prania e saj në media është e rrallë. Mediat, në përgjithësi, janë të dobëta, pa kreativitet. Disa mund të thonë se ka shumë librari në qendër të Shkupit, por në qytete të tjera pothuajse nuk ka fare.
 
– Si shfaqet hendeku mes shkrimtarëve dhe lexuesve sot?
Živko Grozdanoski- Kryesisht përmes mungesës së kritikës letrare cilësore që do të vendoste standarde. Sa për të rinjtë, duket se po shtohen klubet e leximit, por shumica nuk janë shumë të interesuar për letërsinë, kryesisht për shkak të mungesës së politikave mbështetëse.
 
– Cilat zhanre po zhvillohen më shumë sot?
Živko Grozdanoski- Romanet dominojnë, poezia është më pak e dukshme (një trend global), ndërsa tregimet e shkurtra po zhvillohen më dinamike.
 
 
– A është e drejtë të fajësohet vetëm interneti për rënien e leximit?
Živko Grozdanoski- Jo. Është kombinim i internetit me mungesën totale të politikave kulturore. Imagjinoni nëse të rinjve nën 16 vjeç do t’u ndalohej përdorimi i smartfonëve, si në Spanjë, dhe njëkohësisht bibliotekat të furnizoheshin me libra cilësorë.
 
– Si ndikojnë “bestseller”-ët mediokër në letërsinë e mirëfilltë?
Živko Grozdanoski- Jo shumë. Autorët e mirë ndikohen nga autorë të mirë. Ata mediokër ndikohen nga moda dhe trendet.
 
– A mund ta ndryshojë ende letërsia shoqërinë sot?
Živko Grozdanoski- Shoqëria është në flakë globalisht: kapitalizmi dhe imperializmi, të ndihmuara nga teknologjia, na çojnë drejt një pike të rrezikshme. Letërsia mund të pasurojë individin , dhe kjo mjafton.
 
– Në cilin zhanër do të fokusoheni në të ardhmen?
Živko Grozdanoski- Dua të zhvilloj më tej romanin që kam nisur, por vazhdoj të shkruaj edhe tekste të shkurtra. Së fundmi shkrova një poezi për fëmijë mbi faljen.
 
– Çfarë do të thotë “sukses krijues” për ju?
Živko Grozdanoski- Të shkruash diçka dhe të ndjesh gëzim e mirënjohje për të; të shohësh në të një vlerë të përjetshme.
 
– Cilat janë projektet kryesore të Shoqatës së Shkrimtarëve të Maqedonisë?
Živko Grozdanoski- Një projekt i rëndësishëm është promovimi i librit “Ajo që kujtohet jeton”, një përmbledhje me 21 tregime autobiografike që ruajnë kujtesën e shkrimtarëve të ndjerë.
 
– Cilët autorë nga letërsia azerbajxhanase njihni?
Živko Grozdanoski- Vitin e kaluar në Festivalin e Poezisë në Strugë takova Farid Hussein. Më dhuroi librin e tij dhe vargjet e tij më mbetën në mendje:
“Koha kalon, dhe ti ngadalë humb të drejtën të kërkosh atë që nuk pate guxim ta dëshirosh.”
 
Intervista nga:
Jakhongir Nomozov, poet dhe gazetar i ri nga Uzbekistani.
 
(Përktheu në shqip: Rifat ISMAILI)