"GJARPRI I FQINJIT"
GJAKIMI HUMAN KUNDËR HIPOKRIZISË DHE VERBËRISË NË ERRËSIRËN E SHEKULLIT
Para disa ditësh doli nga shtypi libri i ri "GJARPRI I FQINJIT" i autores Alketa Gashi Fazliu.
"Gjarpri i fqinjit" është një trokitje e frymë e re poetike përbrenda unit njerëzor dhe përvojave të jetës që ngre kumtin e lirisë shpirtërore dhe fisnikërimit të saj njëkohësisht!
Është gjakimi human ku përmes mjeteve shprehëse poetike luftohet hipokrizia e shpirtrave të molisur e të varur në litarin e kohës dhe miopisë në dashuri.
Është një copë kohë, rini dhe liri që komunikon me lexuesit por edhe një pjesë e shpresës së faljes e dashurisë mbi errësirën e shekullit!
Në përmbajtjen e poezive gëlon saga ekzistenciale e një tharmi dualist dhe idealeve të larta të femrës shqiptare për ta fisnikëruar jetën edhe në kohëra "kolerash" do të thoshte G.G. Markez!
Kënaqësia është gjatë ngjitjes kurse misioni letrar na thërret çdo ditë!
Autorja e librit: "Gjarpri i fqinjit", Alketa Gashi - Fazliu është prezantuese, gazetare dhe redaktore në Radio Televizionin e Kosovës.
Aktualisht ajo po ndjek doktoratën në Media dhe Komunikim. Alketa është anëtare aktive e organizatave të ndryshme profesionale duke përfshirë Unionin dhe Asociacionin e Gazetarëve Shqiptarë, Institutin Shkencor Kosovaro-Suedez, Unionin e Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptarë, Shoqatën e Gazetarëve të Kosovës, Shoqatën Zvicerane të Gazetarëve si dhe është Anëtare Nderi e Shoqatës së Shkrimtarëve në Itali.
Si gazetare, Alketa ka botuar editoriale të shumta në Kosovë dhe disa nga publikimet kryesore të medias Evropiane. Ajo gjithashtu ka shkruar dhe botuar 12 vepra publicistike historiografike ashtu sikurse edhe në prozë dhe poezi. Alketa është fituese e disa çmimeve dhe mirënjohjeve kombëtare e ndërkombëtare për gazetari, letërsi e publicistikë.
Disa nga veprat e saj letrare janë përkthyer në: anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht, polonisht, portugalisht, arabisht, etj...
Përgatiti Angela Kosta