Luljeta Selimi - Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99”

Luljeta Selimi - Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99”
Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99” - Përjetimet e të dëbuarve me dhunë nga forcat serbe
 
RRUGA E LIRISË
 
Luljeta Selimi
 
Treni po ecte rëndë ngase ishte ngarkuar shumëfish me sa lejohej në një udhëtim normal.
Numri i njerëzve ishte trefish më shumë dhe për disa minuta askush nuk fliste. Të gjithë qanin. Të gjithë dënesnin nga të qarat ndërsa një burrë që po përpiqej të dilte më tej e të afrohej tek dera tha: -Mos më shikoni, ndoshta edhe u çmenda, ma paskan vra djalin, më njoftuan, dhe në Fushë Kosovë që t’i afrohem stacionit me thanë se mund të shkoj vetëm me tren. Burri dukej si i çmendur, me flokë të shprishura e dhembja u kishte tharë buzët e duart i dridheshin.
Edhe ai u nis, u nis se e detyruan ta lëshonte Kosovën, kur erdhën policë e ushtarë tek dera na thanë; -Nëse doni të jetoni edhe ndonjë ditë ikni, Kosovën po ua marrim ne, shkoni ju në Shqipërinë tuaj, ua kemi përgatitur trenin me nga 50 euro do të ju dërgon në Shqipëri ose në Maqedoni. Kën ta gjejmë më tej do ta vrasim, nuk ju durojmë më. Dhe unë u ndala me nënën time që është e palëvizshme.
Do t'i qëndroj pranë derisa të jem i gjallë! -i thashë vetës dhe familjes sime. Gruaja u nis me fëmijët e djalin ma paskan vra në Fushë-Kosovë, i paskan zbrit të gjithë nga treni, e i paskan zgjedhë kë kanë dashur e kanë vra, e kë kanë dashur e kanë lënë të vazhdojë udhëtimin tutje. Kështu me tha gruaja, po shkoj nëse me lënë me marr trupin e djalit. Mos me shikoni, por po i afrohem derës, do të dal në stacionin e Fushë-Kosovës -fliste ai e nofulla i dridhej nga dënesja e dhembja.
Treni ecte rëndë e unë po shikoja godinën e gazetës “Kosova sot” dhe të gjitha objektet tjera që ishin afër kazermës së ushtrisë serbe që ishin shkatërruar nga bomba e parë e NATO-s që ra në Prishtinë. Në kabinën pranë ishin ulur shumë njerëz, në mesin e tyre ishte nëna ime, motra lehonë që vetëm disa ditë më parë kishte lindur dhe dy mbesat e mia, së bashku me nipin që kishte vetëm disa ditë që kishte ardhur në jetë. Nëna e motra po qanin. Një natë më parë në lajme babait iu lexua emri se e kishin vrarë në fshat, unë nuk e besoja e nuk bindesha dot, e dija sa i fortë ishte, sa i shkathët dhe nuk besoja se i gjallë do të binte në dorë të serbëve. Nuk u tha që kishte luftime në fshat, por vetëm se forcat serbe vranë 5 shqiptarë në vendin ku babai im ishte. UCK-ja nga aty ishte vetëm 300 metra larg. Kisha besim të plotë tek ushtria jonë. Serbët janë dinakë dhe të ligë, por ushtria jonë dhe njerëzit tanë janë më qëndrestarë.
Më tej digjeshin disa shtëpi derisa po hynim në Fushë-Kosovë e gryka po më shtrëngohej a është i gjallë babai, po ku po shkojmë kështu, po NATO, a na la në baltë, a edhe këtë herë Evropa na tradhtoi apo jo. Kujt do ti duhet një Kosovë pa njerëz, a do të kthehemi edhe një herë këtu, në token ku u linda, në vendin ku u rrita, në djepin stërgjyshor?! - e pyesja veten e dhembja me shtrëngonte...