Ismail Ismaili - Rrëfimi për Bllacën (Pjesa -III-)

Ismail Ismaili - Rrëfimi për Bllacën (Pjesa -III-)
Vazhdim nga Pjesa -II-
KUR U FUTËM NË FILLIM TË ASAJ LËNDINE MU KUJTUA ROMANI “LËNDINA E LOTËVE”
Thash më vete, historia po përsëritet
 
Nuk më besohej fare që do të shkelim prapë me këmbë këtë dhe të dashur. Treni vazhdonte rrugëtimin e tij ndësa pasagjerët filluan të shkëmbenin disa mendime. Dikush thoshte se do të na dërgonin në Shkup, e ndonjë syresh përhapte idenë se do të na dërgonin në Greqi .... Pak pa mbërri në Kaçanik treni u ndal, ndërsa ne i harruam fjalët dhe filluam të shikonim ata lisa që na rrethonin, se çfarë do të dilte nga aty. A mos do të shfaqeshin ata mjekërr zitë me automatik dhe kësi soji, udhëtimi ynë do të përfundonte këtu. Nuk e ditëm përse u ndal as edhe sot nuk morëm ndonjë përgjigje. Pas disa minutash që na u duken bjeshkë, treni u nis. Kaluam Kaçanikun e besa edhe Hanin e Elezit dhe pastaj u ndal përfundimisht.
„Siđite dole,“ u dëgjua një thirrje.

Filluam me shumë frikë dhe ngurrim të dalim nga treni. Jashtë ishin rreshtua disa milicë që na urdhëruan të ecnim në drejtim të Bllacës, por vetëm ndërmjet binarëve. Zbritëm të gjithë dhe para nesh u shfaq një lëndinë me baltë dhe me shqiptarë që bridhnin sikur pa krye. Kur u futëm në fillim të asaj lëndine mu kujtua romani “Lëndina e Lotëve” e Teodor Laços. Thash më vete, historia po përsëritet. Ecëm ngadalë drejtë një hapësirë të lirë dhe u ulëm për t’i mbushur mushkëritë me ajër të pastër, se vetëm ai nuk na tradhtoi. Ajër i përzër me pika shiu të imtë që e bënte qëndrimin tonë më të vështirë dhe besa të padurueshëm. Shikova përreth dhe pashë tenda, po them tenda se nuk ishin fare të tilla, por shqiptarët e ballafaquar me kohën e lik kishin improvizuar një kulm mbi kokë. Kishte të tillë që nën kokë kishin vënë një gurë e dikush që kishte ndonjë valixhe, të mbështjellë me batanije flinin. Nuk ishte gjumë i zakonshëm por gjumë zori, sepse të lodhur nga vuajtjet, maltretimet dhe lodhja, gjenin sado pak kohë për ta pushuar trupin dhe mendjen.

Një djalosh, fqinj imi në Prishtinë, Ismeti e kishte gjetur një sëpatë të bërë sikur sharrë dhe erdhi pranë meje e më tha a mund ta përdorim këtë axha Ismail? Po i thash, gjithsesi!
U nisëm drejt disa plepave qo ishin pranë livadhit. Unë i mblodha disa degë të prera mbi bar ndërsa ai hipi në njërin nga ata plepa dhe filloi për të prerë disa degë pak më të gjata se këto që i mora unë. Pas dy minutash, një breshëri plumbash na kaloi mbi kokë. Policët ë marrë thërrisnin “Bežite odavde“, por nuk e kuptuam se kujt i drejtoheshin. Njëri nga shqiptarët na tha, ikni se keni kaluar kufirin e Kosovës. I mblodhëm ato degë dhe u larguam. Mendova me vete, çfarë marrëzie, ne kosovarët e Kosovës nuk guxonim të shkelnim më në tokën tonë të dashur. Ata të urryerit e donin Kosovën për vete pa shqiptar, por vetëm më serbë.

Erdhëm në vendin e caktuar dhe i ngulitëm ato degë plepash në dhe që ishte i ulur nga shiu, kështu improvizuan një tendë për më të dashurit tanë. Baxhanaku im që ishte tërë kohën me familje me ne, vrapo në drejtim të një turme, nuk e mora vesh përse, por kur u kthye solli një mbulesë plastike për tendën tonë. Fëmijët e lodhur dhe të dërmuar nga kjo katrahurë u shtrinë dhe gjumi i tradhtoi. Nuk kishim ushqim me vete fare. Ishte e pamundur në atë mëngjes të merrnim sado pak bukë, por edhe nuk kishim. Ishin tridhjetë frymë në banesë, ndërsa disa furra për rreth, na shitnin vetëm nga dy bukë bajatë. Prapë në skenë u paraqit baxha. Atje në fillim të lëndinës vëllezërit (shqiptarë) nga Maqedonia shpërndanin bukë, e disa konserva. Ky si më i gjati (2,05 m) rrëmbeu disa bukë dhe konserva dhe disa shishe ujë. I zgjuam fëmijët nga gjumi që të dominonin urinë që i kishte rraskapitur. I shoqëruam edhe ne pasi që lodhja na kishte dërmuar.

Rrëfimi vazhdon...