Aleksandri I Madh: Beteja legjendare e Granicus (Përktheu Ismail Ismaili)

Aleksandri I Madh: Beteja legjendare e Granicus (Përktheu Ismail Ismaili)
ALEKSANDRI I MADH: RRËNOJAT KONFIRMOJNË VENDNDODHJEN E SAKTË TË BETEJËS LEGJENDARE TË GRANICUS
 
Lola Breton
 
Në vitin 334 para Krishtit, ushtria e Aleksandrit të Madh u përball për herë të parë me Persianët në Betejën e Granikut. Arkeologët më në fund kanë arritur të gjejnë vendndodhjen e saktë ku ndodhi kjo përplasje, në Türkiye.

Ishte hera e parë që takoheshin. Nga njëra anë, ushtria maqedonase e udhëhequr ng a Aleksandri i Madh. Nga ana tjetër, ushtria e satrapëve persianë, të vendosur për të mbrojtur tokat e tyre. Beteja e Granikut është e para nga tre konfliktet që maqedonasit fituan mbi persët në vitin 334 para Krishtit. Dhe më në fund e gjetën, raporton Live Sciencë. 

Kjo betejë u zhvillua 10 kilometra në veri të qytetit Biga, në veriperëndim të Turqisë. Kjo zonë gjeografike ishte shfaqur tashmë si një hipotezë për Betejën e Granikut në shekullin e 19-të, përmes shkrimeve dhe kërkimeve të Heinrich Kiepert. Por arkeologët aktualë, të udhëhequr nga Reyhan Körpe, e kanë konfirmuar këtë drejtim, me prova të reja.
 
ARKEOLOGËT U BAZUAN NË HISTORI DHE GJETJE TË LASHTA
Në këtë vend, ekipi hulumtues identifikoi rrënojat e qytetit antik të Hermaionit. Një qytet që, sipas shkrimeve të lashta, strehonte kampin e Aleksandrit të Madh përpara betejës së Granikut. Më pas, arkeologët përdorën teknologjinë për të modeluar formën e tokës në vitin 334 para Krishtit.
Gjetjet e lashta arkeologjike në zonë, duke përfshirë varre, armë dhe mbetje njerëzore, sugjeruan gjithashtu se një betejë e madhe ishte zhvilluar atje. “Mungesa e shenjave në varre apo artefakte tregonte se kjo nuk ishte pjesë e një varreze të duhur”, thotë Reyhan Körpe. Do të duhet të kryhen teste të mëtejshme për të përcaktuar datën e saktë të vdekjes së këtyre burrave.
 
BETEJA E GRANIKUT: FAZA E PARË E PUSHTIMEVE TË ALEKSANDRIT TË MADH

Tani që Beteja e Granikut mund të gjendet pothuajse me siguri në Türkiye, kërkime të reja arkeologjike duhet të zhvillohen atje. Më pas do të mësojmë edhe më shumë rreth konfliktit dhe atyre që e udhëhoqën atë.
Beteja e Granikut është një nga ato që e vuri Aleksandrin e Madh në qendër të vëmendjes - dhe më pas i dha atij këtë pseudonim lavdërues. Me të ai hyri në Persi dhe e pushtoi atë. Pas kësaj, ai arriti të mposhtë trupat kundërshtare në Issus, Feniki dhe natyrisht në Egjipt, ku themeloi qytetin e Aleksandrisë, në vitin 331 p.e.s.
 
Përktheu Ismail Ismaili