Intervistë me Bożena Helena Mazur-Nowak (Intervistoi dhe përktheu Irma Kurti)

Intervistë me Bożena Helena Mazur-Nowak (Intervistoi dhe përktheu Irma Kurti)
Irma Kurti interviston poeten Bożena Helena Mazur-Nowak
 
Bożena Helena Mazur-Nowak ka lindur në Opole, Poloni. Në qershor 2004 ajo emigroi në Britaninë e Madhe. Nostalgjia për vendin ku lindi, nxiti nevojën e saj për të shkruar. Shkrimet e saj për shumë vite i mbante “në sirtar”.
Bożena Helena ka botuar 19 përmbledhje me poezi, dy novela dhe disa përmbledhje me tregime. Ajo është gjithashtu bashkautore e mbi njëqind antologjive ndërkombëtare. Aktualisht, po punon me romanin e saj të tretë.
Bożena është nderuar me çmime dhe mirënjohje të shumta ndërkombëtare, duke përfshirë Doctor Honoris Causa dhe Distinktivin e Meritës për Kulturën Polake të akorduar nga Ministri i Kulturës i Republikës së Polonisë.
Pavarësisht se ka kaluar mbi njëzet vjet jashtë vendit, ajo nuk e ka marrë nënshtetësinë e huaj. Biografia e saj thekson me krenari origjinën polake dhe vendlindjen Opole. Poezitë e autores janë transmetuar në radiot australiane, kanadeze dhe spanjolle. Bożena Helena është ftuar të marrë pjesë në festivale ndërkombëtare të poezisë në mbarë botën. Poezitë e saj lexohen me kënaqësi edhe nga lexuesit që nuk kanë rrënjë polake.
 
Kur dhe si keni filluar të shkruani?
 
Të përshkruash me pak fjalë atë që na shtyn të shkruajmë është e vështirë. Nga sa mbaj mend, poezia ka qenë gjithmonë pjesë e imja. Kujtoj që shtëpia ime ishte plot me poezi, plot me libra dhe njerëz. Nëna ime ishte një këngëtare dhe vallëtare e shkëlqyer. Babai i binte fizarmonikës dhe këndonte. E kam ende ditarin e tim eti plot me poezi të tij - vargje të mrekullueshme dashurie për Emily-n, dashurinë e tij të fundit. I botova ato së bashku poezitë e mia në librin e tretë me poezi në polonisht “Në urën e nisjes”.
Familja jonë ishte e rrethuar nga librat. Babai im arriti të shpenzonte edhe paratë e fundit për libra. Ai më mësoi të lexoja dhe të kuptoja. Dy gjyshet e mia, Maria dhe Helena, më përcillnin të fshehtat e familjes me tregimet e tyre të pafundme. Gjyshja Maria më mësoi të shikoja me zemër dhe të falja. Në moshë madhore hyra në shoqërinë e poetëve të shkëlqyer, si Galczynski, Tuwim, Szymborska, Pawlikowska-Jasnorzewska e shumë të tjerë. Në kohë të vështira, bota e varfërisë bota ime e fshehtë më ka ndihmuar të mbijetoja.
 
A ju kujtohet se çfarë trajtonte poezia apo tregimi juaj i parë?
 
Unë kam shkruar poezi përpara se të dija të lexoja apo të shkruaja. Nëna më lexonte shpesh dhe unë mësoja përmendësh çfarë më pëlqente më shumë. Më kujtohet se një herë, gjatë një pushimi në një kamp për fëmijë, pasi kisha shkruar një poezi për kuzhinierët që nuk gatuanin mirë, ata nuk na dhanë ëmbëlsirë për tre ditë...
 
Pse vendosët të largoheni nga vendi juaj? Ishte ky një vendim i vështirë?
 
Emigrimi ishte një zgjedhje e vështirë për mua. Jeta në vendin tim ishte në kufirin e varfërisë, pa mundësi për të punuar. Ekzistenca ime e mjerueshme më çoi pothuajse në çmenduri dhe, befas, dritarja e botës u hap duke më ftuar drejt mundësive të reja. Kështu, jo pa frikë - pas një reflektimi të gjatë - u largova dhe, duke lënë pas të kaluarën, u përpoqa të ndërtoj një jetë të re. Thellë në zemrën time kishte një mall që lindi poezinë.
 
Si ndikon vendi i origjinës në shkrimet tuaja dhe çfarë vendi zënë në to kujtimet e fëmijërisë?
 
Kujtimet e mira, të ndërthurura me ato negative, madje edhe fatale, kanë ndikuar ndjeshëm në poezinë dhe prozën time. Efekti i kujtimeve të mira është i dukshëm në dy romanet e mia, "Shtëpia e vogël buzë përroit" dhe "Vera me uniformë", si dhe në poezitë e dashurisë apo ato që mitizojnë bukurinë e natyrës. Romani i tretë "Fole plot vrima" do të përmbajë disa kujtime jo të këndshme.
 
Keni botuar 19 libra me poezi. Me cilin libër ndiheni më shumë e lidhur?
 
Të gjithë librat e mi janë të rëndësishëm. Ato janë një lloj terapie për mua. Nga përmbledhja e parë me poezi “Në brigjet e një lumi që quhet jetë” e deri tek më e fundit “Karuseli i jetës”, mund të ndiqni rrugëtimin tim njëzetvjeçar në emigracion. Romanet e mia janë bazuar në kujtimet e fëmijërisë dhe rinisë. I kam shkruar për mbesën time, Anna Helena, për t'i treguar asaj për kohët e shkuara. Romani i tretë është udhëtimi i pesë grave vendimtare në jetën time, që nga lindja, përmes trazirave të luftës dhe krimeve të gjenocidit në Volhynia, ndarjet dhe tokat e ripushtuara polake deri në ditët e sotme. Ky libër ka një ngarkesë emocionale të jashtëzakonshme. Të punoj për të është një dhembje mendore për mua.
Jam e lumtur që poezia ime është e kuptueshme edhe për lexuesit që nuk kanë rrënjë polake dhe që përmbledhjet e mia me poezi janë përkthyer në shumë gjuhë. Falë kësaj, kam lënë gjurmë në tokë, ndonëse kur fillova të shkruaj në "sirtar" nuk e kisha menduar kurrë.
 
Ju keni fituar disa çmime ndërkombëtare. Cilin e konsideroni më me ndikim dhe stimulues për karrierën tuaj letrare?
 
Çdo çmim është i rëndësishëm për mua dhe shumë pranë zemrës sime. Qoftë një diplomë, një çmim, një doktoratë nderi apo një vlerësim nga Ministri i Kulturës polake për shërbimet e bëra ndaj kulturës polake dhe përhapjen e saj jashtë Polonisë. Secili prej tyre është një balsam për zemrën time. Secili dëshmon se e bëj mirë atë që bëj; se shkruaj kuptueshëm dhe vargjet rrjedhin nga zemra. Çdo çmim më jep forcën për të vazhduar të shkruaj.
 
Cilat janë sfidat me të cilat jeni përballur në rrugëtimin tuaj letrar?
 
Sfida më e madhe është romani i tretë, për të cilin jam duke punuar. Duke kërkuar në internet gjeta dokumente arkivore mbi vdekjen tragjike të stërgjyshërve të mi nga nëna, të cilët u vranë brutalisht në mars 1943 me një plumb në kokë dhe më pas trupat e tyre u mbytën në një pus. Libri bazohet në kujtimet e mia, të cilat i kam nxjerrë nga tregimet e dy gjysheve të mia, Maria dhe Helena. Në ditët e sotme, gjithnjë e më shumë dokumente nga ato kohë të tmerrshme gjenden në internet, gjë që më ndihmon ta zgjeroj subjektin e librit. Ka ende shumë për t’u bërë deri në fund të librit. Kapitulli i parë i këtij romani u nderua në konkursin letrar në Poloni "Atje, ku gurët flasin gjuhën polake".
 
Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?
 
Kam plot ëndrra, ide dhe projekte, por problemi im më i madh është shëndeti im, i cili ka kaluar në plan të dytë. Në portale shfaqem rrallë dhe për një kohë të shkurtër. Vitin që vjen do të jem përsëri aktive. Faleminderit shumë për interesin e treguar për një njeri modest si unë!
 
Intervistoi dhe përktheu: IRMA KURTI