Abdullah Troshupa - Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99”

Abdullah Troshupa - Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99”
Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99" - Përjetimet e të dëbuarve me dhunë nga forcat serbe
 
IKJA PËR NË BLLACË, NGJARJE E PAHARRUAR!
 
Abdullah Troshupa
 
Lufta e zhvilluar në Kosovë në vitin 1998/1999 për mua dhe për të gjithë popullin shqiptar nuk do të harrohet dhe do të kujtohet përjetë. Për ngjarjet që kanë ndodhur gjatë Luftës në Kosovë dhe dëbimi me dhunë nga shtëpitë tona dua të rrëfej përjetimet e mia dhe të familjes sime që kjo ngjarje të jetë e shkruar në letër e jo vetëm ta mbajmë mend, sepse mbamendja një ditë
do të tretet dhe e kaluara e hidhur do të harrohet.
Kujtoj 23 marsin e vitit 1999 në orët e hershme të mëngjesit unë me bashkëshorten vendosëm që fëmijët t`i dërgojmë për në Maqedoni të dajallarët e vet. Aty në kufi të Maqedonisë fëmijët i priste daja i tyre nga Dibra e Madhe. Në orën shtatë të mëngjesit autobusi nisej për në Shkup. Kjo nisje ishte e fundit. Kishte shumë pasagjerë. Gruaja ime i mori fëmijët dhe u nis për në Shkup. Ajo komunikoi me të vëllain e saj që i priste fëmijët andej kufirit. Gruaja i përcjelli fëmijët, duke i këshilluar që mos ta kthejnë kokën prapa, por ta vazhdojnë rrugën drejt kufirit. Ne edhe pse u morëm vesh që të shkon edhe ajo me bashkë me fëmijët, aty për aty vendos që të kthehet sërish në Prishtinë sepse në shtëpinë tonë ishin 36 anëtarë të familjes sonë dhe nuk e kishte parë të arsyeshme të ndahet nga ne pasi që fëmijët u siguruan dhe u larguan nga ky tmerr i
paparë. Kthimi i saj për në Prishtinë zgjati afro 14 orë. Ajo arriti diku rreth orës 23 të natës. Të nesërmen, më 24 mars duke ecur këmbë për në shtëpi u dëgjua një alarm tmerri. Ky alarm sa ishte i frikshëm, në anën tjetër ishte edhe gëzim sepse shpresat tona sa vinin dhe shtoheshin, me rastin e intervenimit të NATO-s. Që nga kjo ditë u mbyllëm të gjithë anëtarët brenda atyre mureve dhe herë pas here i dëgjonim bombardimet e forcave të NATO-s që kishin filluar bombardimet mbi caqet serbe.
Më 30 mars, herët në mëngjes, në rrugë po komentonim me komshinjtë për bombardimet, ku m’u afrua një fqinj imi, Luan Puka, tash i ndjerë e më thotë: “Abdullah, dëgjova se në Sekretariatin e Punëve të Brendshme gjoja se paska ardhur një delegacion nga Turqia dhe po lejojnë kush do që të largohet nga këtu i lejojnë të largohen drejt Maqedonisë. Tubimi ishte caktuar afër Shkollës Fillore “Elena Gjika”. Ma mbushi mendjen dhe thash me vete po si të dal në Maqedoni, kam ku shkoj e nuk e vazhdoj rrugën për Turqi. Hyra brenda dhe u konsultova me vëllezërit dhe nipat e mi, ku u tregova se çka po flitej. Ata nuk u menduan shumë dhe më thanë:
“Ndeze veturën dhe merre me vete djalin dhe vajzën e vëllait të cilët ishin jetimë, pa baba”. Me ne u bashkëngjitën dy djemtë e vëllait më të madh, me gra dhe fëmijët e tyre. Unë zbrita në garazhe ku ishte e parkuar vetura ime. Atë e kisha parkuar para tri javësh sepse ishte jo në gjendje të mirë dhe isha me dy mendje se a do të mund ta ndizja apo jo! Mirëpo, ajo u ndez sikur të mos kishte asgjë. Nëpër qytet flitej se forcat policore e ushtarake serbe kishin filluar dëbimin e popullatës nga shtëpitë e banesat e tyre.
Ne, për të mos e pritur dhunën e forcave serbe, u përgatitëm dhe morëm pak ushqim me vete, ku me dy vetura u nisëm për Shkup. Për të shkuar në vendin e caktuar m’u desh të kaloj kah Shtëpia e pleqve për të dalë te Shkolla fillore “Elena Gjika”. Ashtu vepruam sepse te Shkolla e Mesme Teknike “28 Nëntori” ishte patrolla e milicisë dhe nuk kishim mundësi të kalonim pa pasoja. Kaluam afër shkollës, aty ishte tubuar një numër i madh i njerëzve.