Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99” - Përjetimet e të dëbuarve me dhunë nga forcat serbe
EDHE KËNGA E ZOGJVE ISHTE E MALLËNGJYER
Adnan Bajrami,
klasa VIII-3, Stagovë, Kaçanik
... Të nesërmen tanket ishin larguar nga fshati. U kthyem në shtëpi me shumë frikë, sa të marrim vetëm ato rroba që u kishin shpëtuar zjarrit dhe menjëherë të niseshim drejt stacionit të trenit.
Në stacion pritnin më tepër se 300 njerëz, pritnin për të ikur. Erdhi treni, ishte i mbushur përplot me njerëz. Pranë tij rrinte një ushtar serb me automatik në dorë dhe nuk lejonte që të hipnim në
tren. Pas një kohe na lejoi të hipnim, por valixhet duhej t'i hipnim nga dritarja. Na ndihmuan disa njerëz. U kapëm dorë për dore me motra e vëllezër që të mos ndaheshim, hipëm edhe ne në tren.
Aty ishte shumë ngrohtë nga njerëzit e shumtë. Treni shkonte në drejtim të Maqedonisë. Arritëm në Han të Elezit, zbritëm nga treni dhe aty na urdhëruan që të nisëmi në këmbë në drejtim të kufirit maqedonas. Në kufirin maqedonas kemi pritur prej mëngjesit e deri në mbrëmje.
Familja jonë, bashkë me axhallarët ishim 24 anëtarë. Gjysmën e familjes e lejuan të kalonte gjysmën tjetër na ndalën. Nga habia dhe frika më rrodhën disa pika lot, për një çast mendova
se u ndava nga familja përgjithmonë. Pas një kohe, edhe ne që kishim mbetur, na lejuan që ta kalojmë kufirin. U gëzuam shumë që u bashkuam e gjithë familja.
Na erdhi radha dhe hipën në autobus, aty ku kemi qëndruar në vend nga ora 24:00 e deri në ora 5:00 të mëngjesit. Pastaj na çuan në kampin e Çegranit, ku kemi qëndruar tri net, prej andej kemi
ardhur në Haraçinë te të afërmit tanë.
Tash në këtë shkollë jemi të gëzuar, sepse i kemi ikur pak rrezikut dhe po vazhdojmë mësimet në shkollë. Shpresojmë se së shpejti do të kthehemi në vendlindjet tona të dashura, në atdheun tonë të lirë dhe të pavarur.