Emrije Krosi - Ese dhe kritika
VISEVE TË ESEESTIKËS DHE KRITIKËS PJ. II.
FISHTA
-1909-
Gjergj Fishta njihet si poeti më i lexuar dhe më i komentuar deri tani. Pothuasje e gjithë kritika e ka rrokur aq imtësisht veprën e tij, për gati një shekull (gati katër breza lexuesish), duke e shkoqitur deri në genin e tij nëpërtej Atit të Dheut, të Hyjit, dhe Poetit gjenial, dhe i gjithë universi letrar fishtian, shpaloi gjenezën e kombit shqiptar, duke zhveshur të gjitha lëkurët, që nga thellësitë e paganizmit, tek moderniteti, me paradigmën e tij letrare: Atme e Fè. T’i qasesh Fishtës në mënyrë moderne, është një sfidë letrare, sepse arti dhe vepra, kanë tejkaluar kohën, duke u universializuar. Qasja ndryshe ndaj poezisë “Nji lule vjeshtet” 1 e Fishtës, padyshim është një ndër më të diskutuarat, përmes thënieve dhe kundërthënieve, por e vërteta e pamohueshme është se kjo poezi është poezia më lirike e poetit të madh. Dialogu elegjaik i autorit mes vdekjes dhe pasvdekjes, ndoshta e ka fillesën që nga Egjipti i Lashtë me “Libri i të vdekurve” 2 të (Azem Qazimi-t), ku tipologjia e lirizmit fishtian, ligjërimi i brendshëm nëpërmjet diskursit të gjuhës, larg mitizimit të atdheut, ky tekst përshkruan:
a) ndjenjën e mallit dhe dhembjes
b) ndjenjën e mërzisë së thellë
c) humbjen e bukurisë (si lule vjeshte), që sipas studiuesit Aurel Plasari, ka një
ravijëzim për një femër të humbur, “si ligjërim dialogues dhe monologues, për të dashurën e humbur që nuk kthehet më” 3 , por përfaqësia e tij fetare, na diaologon me një marrëdhënie metafizike me vdekjen , ku shenjon:
- shenjat tekstore të objektives dhe subjektives,
- tipose të lirikës personale dhe autoriale,
- dëshmia letrare mes fizikes dhe metafizikes, që edhe sikur “të mos e kishte pengue,
zhguni i fratit, Fishta shumë-shumë do të kishte ndërrue objekt... por kurrë qëndrimin e vet subjektiv” 4, shkruan në vitet ’30-të, (Mark Ndoja). Figuracioni dhe stili shpalojnë një topos tematik, se vetë poezia është një përsiatje për të bukurën, vdekjen, mallin, mungesën, për moralin dhe përjetësinë, për artin e fjalës dhe (për)jetësimin e vdekjes, për të arritur pavdeksinë, (nëpërmjet testamentit letrar) se lidhja me unin poetik, është simboli i qenies së dashur, bëhet e amëshueme, duke qartësuar më shumë simbolikën e lirikës, si shkak dhe qëllim, se “lirika”, në një pikëpamje është biseda e poetit me pasvdekjen” 5. Për Prof. Ali Xhikun, jo vetëm rrafshina mes dy botëve po edhe monologu dhe dialogu, vertikaliteti dhe horizontaliteti në hapësirën boshe të varrit, tingëllon si një thirrmë: n’ atë rrahe t’vdekunve mbrenda vorrit t’ errshem/Tash pluhun jé. Ata dy sy t’ janë errë,/Ku qiella prirej me sa hana e diella/Terthores s’ eper m’ sharte vrejnë t’ njerzimit!/T’janë sosun fjalët e ambla e plot urti, kacafytja mes madhështisë dhe përjetësisë, jetës kalimtare dhe vdekjes absolute, përmes alter egos, duke kaluar shkallët e për(tej)jetës , sipas kritikut Sabri Hamiti “lufta kundër harrimit, kundër kalueshmërisë” 6,
__________________________
Fishta, Gjergj: (2012), Mrizi i zananet, “Fishta”Lezhë, f. 198
Qazimi, Azem: (2011), Libri i të vdekurve “Zenit” , Tiranë, f. 3.
Plasari, Aurel: (1996), Fishta i dashuruar, Tiranë, f. 8.
Ndoja, Mark: (1943), Idealet karakterizues në lirikën e At Fishtës, (shënime të shkrurta kritike), At Gjergj Fishta (1871-1940), “Luarasi”, Tiranë, f.223-224
Xhiku , Ali: (2004), Letërsi shqipe si polifoni, “Dituria”, Tiranë, f. 133-134
Është fuqia e emocionit të veçantë që përçon kjo lirikë e Fishtës, si më të mirat dhe më të fuqishmet e letërsisë sonë shqipe. Për (At Viktor Volaj-n), “asht poezija ma lirike e mbarë këtij libri, n’ atë kuptimin e ngushtë qi merr fjala. Asht nji lirikë qi zbulon shumë ndiesi të botës së mbrendshme të poetit. Subjekti i saj paraqitet mjaft i pacaktuem” 7. Nëse duhet të nisemi për (mos)përcaktesën që shkruan Volaj, se subjekti është i pacaktuar duhet fuqia e emocionit të veçantë që përçon kjo lirikë, si më të mirat dhe më e fuqishme e letërsisë sonë shqipe, duket si një “ngatërresë” apo “hutim” i kritikëve, se vargjet: e vorrit nuk t’ a zbutë, posë vajit t’ trishtueshem/Të hutit t’ natës, qi nëpër curra t’ malit/Dhimbshem në rreze t’hanës rrin tue gjëmue!…, nuk e zvogëlojnë dhimbjen për dikë, duke qartësuar subjektivitetin dhe forcën e tropeve gjuhësore, që nëpërmjet gjallërisë së figurave, aftësia e vetëdijes shkruese, në mënyrë specifike, vishet me perceptim ndiesor dhe shqisor. Nocionet “figura” dhe “simbole” , në kontekste të ndryshme kanë një lakore brenda lëvizjeve brendatekstore por jashtëtekstore, lëvizjet e figurave lart-poshtë dhe brenda-jashtë, “Simboli është gjithashtu edhe nga sinominet e “fesë” - simboli i besimit” 8, për Wellek dhe Waren, është një analogji me shenjës dhe asaj çka shenjohet prej saj, si një mënyrë shprehje me shenja të caktuara, kur simbolet fetare mbeten në lidhje të brendshme, midis “shenjës” dhe objektit të “shënjuar” siç janë : varri, vdekja, jeta, amëshimi etj, aftësia e Fishtës sipas Giuseppe Gradilone-s “ për të asimiluar më shumë së jashtmi, sesa së brendshmi” 9 .
o Diskuri biblik, si shenjë e një “simbolizmi të pastër”, vjen nga nocioni “diskurs” (nga
lat. discursus) e ka kuptimin e endjes, bredhjes, shpërndarjes. Ky nocion konceptohet si bisedë, apo si shkoqitje logjike, por shenjat e “diskursit biblik” për kritikun Ndue Ukajn, janë qartësisht të dallueshme simbolikat fetare 10 , figurat ndiesore të formuluara dhe të zhvendosura në një sitë të caktuar shenjash dhe figurash, që qëndrojnë si një raalitet transhedental mes rrafshit moral dhe filozofik, ashtu si edhe “diskursi personal” duke ruajtur shenjat e psalmeve, nëpërmjet vargjeve: ai Kryq dëllijet,/Mneren e vorrit qi ta zbutë, Ai qanderr/Ka me m’ kenë nder salvime; Engjëlli i Zotit . Interpretimi letrar në letërsinë shqipe ka shenja të elementeve të diskursit biblik, që ndërlidhin sistemet e veçanta të interkomunikimit, jo vetëm si situata të veçanta shkrimore të letraritetit, por edhe si mënyrë e ndërtimit dhe ligjërimit letrar, sipas Roland Barthes, “teksti është një endje citimesh që vijnë nga mijëra kultura” 11. Kur studiuesi Stefan Çapaliku shtron për diskutim frymëzimin kristian 12 , në letërsinë shqipe, frymëzimi që ndërlidhet me kodet biblike, është përqasja jo vetëm e ndërtekstorisë biblike, por edhe të një lloji poezie varrezash. Sipas Jolanda Kodrës, “Nji lule Vjeshtet, kjo kangë tejet e gjallë e Fishtës,
_____________________________________
Hamiti, Sabri. (2009): Letërsia modrene shqipe, Tiranë, shih: letërsia filobiblike, f. 447.
Parathënia; nga At. Volaj,Viktor. (1941); Gjergj Fishta: mrizi i zanavet, komentuem prej At. Viktor Volaj OFM , Shkodër, f. 198.
Wellek & Waren. (2007): Teoria e letërsisë, përkth: Abdurrahman Myftiu, “Onufri”, Tiranë, f.200.
Giuseppe, Gradilone. (1983): L’influenza del classicism sull’opera di Gjergj Fishta, La letteratura albanese e il mondo clasiso , “Bulzoni”, Romë, f.93.
Ukaj, Ndue. (2004): Diskursi biblik në letërsinë shqipe, “AIKD”, Prishtinë, f.49.
Barthes, Roland. (2008): Vdekja e autorit, “Rozafa”, Prishtinë, f. 16
Çapaliku, Stefan. (1999): Frymëzimi kristian në letërsinë shqipe; shih: (Krishtërimi ndër Shqiptarë), Simpozium Ndërkombëtar, Seksioni i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës, Tiranë, f.33.
ban pjesë n’atë lloj poezije vorrezash, që aq përkrhaje gjet n’ Angli prej Young, Gray, Hervei e Poupe, e prej së cilës n’Itali u frymzue prej Pindemontes, Foscolo e Leopradi” 13, me një leksik të pasur biblik, se lidhet me qenien dhe përjetësinë e njeriut, me vdekjen dhe jetën. Padyshim diskursi i krishterë nuk mund të shmaget, pavarësisht se struktura ligjërimore dhe esenciale si tekst, për Kujtim Shalën, stuktura e “Nji lule vjeshtet” mbështetet në strukturën e “intershenjave, të simboleve në rikualifikimet e domethënieve” 14.
Kodimi/(de)kodimi biblik me elementet dhe strukturat “semio-narrative 15 , të
Algirdas Greimasit, zbulojnë subjektin e ndjesisë. Kjo na pasqyron me tregimin autobiografik, që përshkruan vdekjen e tjetrit, ose që quhet ndryshe, thanatografi, duke shenjuar jo vetëdijen e tjetrit, por vetë enigmën e vdekjes, bashkë me modalitetet e qenies, që kanë të bëjnë me një marrëdhënie të qëllimshme mes jetës dhe vdekjes, mes fizikes dhe metafizikes që shenjohen në tekst, nëpërmjet vargjeve: qi nëpër vërrije rrinë tue këndue t’ Parrizit:/Ku, fletët e arta bashkë kryqzue me Engjëj,/Këndon Zotit lavde nëpër ylbera t’ qiellit;.A, marrë krejt n’ t’ pam t’ s’ hyjnueshmes faqe t’ Zotit. Relativizimi mes simbolikës së vërtetë dhe përdorimi konstant i metaforave simbolike, duke afruar tropet e poezisë , me nënndarjet: figurat e afrisë dhe figurat e ngjashmërisë, sipas logjikës asociative apo edhe personifikimit, se poezia fetare katolike, duhet të jetë për (Middleton J. Murry-en), “medomos metaforike” 16, në formën e himneve fetare të neoklacizmit: metaforat simbolike të vdekjes: [t’vdekunve mbrenda vorrit t’ errshem/! Nji Kryq dëllijet, N’ prehen t’ Amëshuemit/ Engjëlli i Zotit,/ nget vorrit,/krejt vdekja/ se pertej vorrin/ Vdekjen e zbutë/ N’ vorr tand/ Vdekja n’ atë vorr, 16 herë fjala vorr dhe 8 herë fjala vdekje, 13 fjalë, për Hyjin, Parrizin, Kryqin, etj ].
Kodimi/(de)kodimi i ligjërimit personal, rrok rrafshet tërësore të kohës letrare, jo si
mungesë receptimi, me gjurmë autobiografike, por me "kontratën autobiografike" 17, të ( Philippe Lejuene-s) rrëfimi autentik, shtegon katërcipërisht në humnerën e kujtesës bashkë me aktin autobiografik , që aq përmallshëm “vajton”, deri në Zenitin e të gjithë qiejve për Ringjalljen Hyjnore, nëpërmjet shkrimit: se e para ishte Fjala, si një besatim i vjetër biblik, ku njeriu e sprovoj me humbjen e pavdekësisë, (duke ngrënë pemën e gabuar të Dijes), por me forcën e fjalës së thënë sipas Fishtës, se “gjuha nuk ekziston e ndarë nga kultura, domethënë nga mbushja e trashëguar shoqërore e përvojave dhe besimeve që përcaktojnë thurjen e jetës sonë”18, për (Eduart Sipar-in) është brenda të njëjtit projekt autobiografik. Fishta, si frat françeskan, si politikan, kritik, poet, patriot, ashtu si shumë modele të tjera të letërsisë shqiptare, ka të bëjë me vërtetësinë e natyrës njerëzore, me kodime dhe dekodime që shënojnë disa modele të letërsinë sonë bashkëkohore, që identifikon vetveten sipas Lili Sulës “herë mes shenjave indentifikuese edhe autoriale e pikërisht personale” 19 , me qendërzim vetëpërcaktues të vetëdijes, duke sfiduar një lloj “cogito-je” term kartezian. Kjo me “elemente postmoderniste” 20, të Linda Hacionit, janë një postalterego e teorisë së intertekstualitetit në tërë rrafshet e shkrimit letrar të Fishtës, ka një nyje lidhëse aksiomatike, që ndërlidh dy kohë, dy botë, dy realitete, që lidh vdekjen dhe Amëshimin.
____________________________
Kodra, Jolanda. (1943): Atë Gjergj Fishat, 1871-1949, “Luarasi”, Tiranë, f.297
Kujtim M. Shala. (2004): Fishta përballë Fishtës, “Buzuku”, Prishtinë, f.15.
Greimas, Algirdas. (1966): Semantique structuarle, Larouse, Paris, f. 31.
Murry, J.Middleton. (1931): “Metaphor”, Contries of dhe Mind, second series, London, f.8
Lejuene, Philippe. (1975): Le pacte autobiographique, Nouvelle Edition Augmentèe, Seuil, f.361
Sapir, Eduart. (1949): Culture, language and Personality, University of California Press, f. 136.
Sula, Lili. (2012): Poezia e Fishtës, (për mbrojtjen e gradës “Doktore e Shkencave Letrare”), Tiranë, 64.
Hutcheon, Linda. (1989): A Poetisc of Post- modernism: History, Theory, Fiction, Toronto, f.180.
Diskursi atdhetar as nuk mitizon as nuk çmitizon atdheun. Poeti këmbëngul më tepër
për metaforizmin e brendshëm të tekstit artistik, duke përsëritur elementet e tekstit, që lexuesi duhet ta kuptojë ose shoqëria në epoka të ndryshme, si çështje artistike dhe çfarë nuk është, që të nënkutohet nga vargu: mue edhè, qi shekulli e nji dëshirë Lirie/ Besen e dhanun – e miqesin e zanë;/Per Fé e per Atme n’ ballë me i dalë rrezikut, duke përshkallëzuar;
a) çmitizimin e atdheut,
b) çmitizimin e heroit, nëpërmjet vargut; se shka vlejnë armët besnike n’ dorë t’ Shqiptarit., motivet e veçanta që anojnë nga e çuditshmja dhe befasuesia, nga mishërimi i së vërtetës kristiane, “nga e afërta tek e largëta” nëpërmjet analogjisë së të përditshmes, nëpërmjet figurave intensive, përmasa e zvogëluar e dukurive të jetës, nëpërmjet përkëmbimit të metaforave , simboleve, epiteteve, duke bashkuar tri kategoritë e figurave: figura e thellë, figura radikale, figura ekspansive.
o Diskursi mitologjik, nëpërmjet miteve dhe perëndive që shkrihen në mitet e heronjve,
çon në “zhvendosjen e mitit” 21 , të Northop Frajit nga interesi parësor (ideja e mendimit poetik), në eposin e vargut. Kjo për të gjetur lidhjet asociative, lidhjet tingullore, lidhjet dykumtimësore, që mbartin edhe peshën e diskursit mitologjik tashmë të njohur të Fishtës, të krijimit të mitit vetiak, ose mitit fishtian i ngjashëm me përmasën e Dantes. Për Friedrich Nietzschen, “pa mitin, çdo kulturë e humbte karakterin e saj të gjallë krijues, humbte forcën e vet të natyrshme” 22 . Në pamundësi për të shmangur vargu: ai ka per t’ m’ kenë Zana apo Eposin e Kreshikëve, atëherë unë kangët kam me i ndertue kreshnike bashkë me vargun tjetër: e atëherë prej bjeshkve kanë me u djergun Zanat, poeti ka ndërtuar një galeri epitetesh, enumeracionesh, përsëritjesh, similitudash, krahasimesh , metaforash, anaforash, kosonancash, asonancash, etj: sa hana e diella /curra t’ malit/ ky mendim i ambel/ kur bora dehet/ si rrezja e diellit/ per lila e drandofille/ nder t’ zjarrtat valle/ nëpër rrâjë e curra/ vaj bylbylit/ n’ qiellë e hana e dielli/ e t’ paqta e t’ buta/ shinat e boren/ e vrrini e bjeshka/ shkrue mbi lisa etj].
Diskursi neoklasik, një lloj tjetër qasjeje që ka afruar poezinë e tij me poezinë
neoklasike të Mjedës, duke dalluar mënyrën osianike të të kënduarit, fundja tendencat neoklasike , janë një imitim i vetëdijshëm i shkrimtarëve augustianë të vjetër, Virgjili dhe Horaci. Bëhet fjalë për një rend moral dhe racional i kuptueshëm në univers, duke demostruar modelin providencial të Zotit. Prapëseprapë kjo vjershë lirike për Tonin Çobanin, “Një lule vjeshtet” “është një këngë heroike” 22, me një numër frazeologjik, ku në [160 vargje janë 11 njësi frazeologjike}: T’ janë sosun fjalët/ ai zâ t’ asht kputë/ Me lot njomë buken,/ permbi vorr t’ kanë bijtun/ nji dorë ta vu té kryet/në rreze t’ hanës rrin tue gjëmue/ i shkon n’per zemer./ kur bora dehet/ perbluen punë t’ mbrapshta/Gjumin e vdekjës/kah punët e mbara].
o Diskursi kritik. T’i qasesh Fishtës në mënyrë kritike, nuk është e lehtë, pasi Fishta është
një ndër poetët më të njohur brenda një kohe shumë të shkurtër. Shumë ese, shënime kritike janë shkruar për një periudhë gati 10 -vjeçare, por me vendosjen e komunizmit, anatemizmi dhe ndalimi i tij, si bashkëpunëtor i fashizmit dhe letërsia e tij u etiketua “reaksionare” dhe “klerike” apo edhe një poet i folklores. Pas viteve ‘ 90-të, receptimi masiv i Fishtës deri në tekste shkollore, kur “çmenduria” e dashurisë kolektive shqiptare arriti deri atje, saqë, teksti fishtian u standardizua në bazë të normës së gjuhës së sotme shqipe, por a mund të ndryshohet areali i gjuhës së Fishtës, âmza e shijes së gjuhë së tij, tingëllima e âmël e gegnishtes?! Një dështim
total, që specialistët e kësaj fushe janë po aq fajtorë, për heshtjen, fajtore është po aq dhe
________________________
Fraj, Northop. (1990): Anatomia e kritikës, përkth: Avni Spahiu, “Rilindja”, Prishtinë,f. 3.
Nietzsche, Friedrich. (2001): Lindja e tragjedisë, përkth: Jorgji Doksani, “Eugen”, Tiranë,f. 17
Çobani, Tonin. (1999): Miti dhe antimiti fishian, Lezhë f. 12
kritika po ashtu, duke shprishur rendin e harmonisë tingëllimore të polifonisë së kryeveprës fishtiane. Sa për receptimin modern e ndërtojmë në bazë të emrave të mëdhenj të kritikës europiane:
- Sipas Eco-s, teksti është i thurur me shenja e hapësira të bardha që duhen mbushur
dhe ai që ka krijuar parashikonte, që ato të mbusheshin dhe i ka lënë të bardha për dy arsye; para së gjithash sepse teksti është një mekanizëm dembel (ose ekonomiqar) që jeton me vlerën e shtuar të kuptimit që i futet nga marrësi, së dyti, ndërsa kalon dalëngadalë nga fiksioni didaskalik në atë estetik, një tekst di t’ia lërë lexuesit iniciativën interpretuese . Një tekst kërkon “që dikush ta ndihmojë të funksionojë” 24, sipas Maria Pia Pozzatos. Dhe kjo lloj strategjie nuk kuptohet më si qëllim i autorit empirik po si një marrëveshje tekstuale, që quhet Autori Model (Fishta dhe lexuesi empirik), në lëvizjet e tekstit të shkëputura nga leximi empiric. Të para si lëvizje të brendashkruara, të parashikuara në tekst, përputhen me atë që Eco e quan Lexuesi Model dhe mungesa kohë/hapësirë, krijon:
- autorin empirik, në terma të strategjisë tekstuale , formon Lexuesin Model
- lexuesin empirik, në terma të strategjisë tekstuale, formon Autorin Model.
Duke parë këtë strategji të Eco-s, do të ndërtojmë një grafik të një Lexuesi dhe Autori Model për lirikën e Fishtës:
Autori emplicid =
LEXUESIN MODEL
LIRIKA e FISHTËS ______________________________
(“Nji lule vjeshtet”)
Lexuesi emplicid =
AUTORI MODEL