KUR AGU PUTH LUMIN TIM
Sa herë Ylli Polar fshihet befas diku prapa malit
Dhe agu pikturon në horizont të bardha vijëzime
Në zalli zbres unë, e me ujin tënd freskoj fytyrën
Si u gdhive të them, sot je më e bukur Bistrica ime
Këndojnë ëmbël shelgjishtet një këngë lirike agu
Me një fishkëllimë të lehtë si flladi përkëdhelëse
Vjen në qejf ky lum im e iso i mban me gurgullimë
E na përdredh me naze belin në një lumturi dehëse
Çmenden edhe zogjtë, rendin e s’mbahen si fëmijët
Mes degëve fshihen çamarrokët e luajnë kukafshehtas
Zbret dielli u hedh një grusht fijesh të arta mbi krye
E buzëqeshja, e pasqyruar në mollëzat e lumit, i mbeti
Lumi i vetëm terë natën nuk ka venë pak gjumë në sy
Shelgjishtet priste të zgjoheshin, t’i thoshin mirëmengjes
Me diellin të qëndiste sytë e zogjtë t’i këndonin këngë
Të zilipseste zogëzën e bukur që puthte bilbilin me vesë
MANUSHAQE BUKUROSHE...
Të gjeta sot tek çelje sytë e bukur
Aty në rrëzë të kopshtit tek nusëroje
Me lulet e kumbullës po lozte dielli
Dhe ti, fisnikja ime, po e kundroje
Lumturove o sa shumë kopshtin tim
Nuk e sheh si zemra e tij po i rreh?
Manushaqe kokulur me plot magji
Ngjyra jote kaq e ëmbël seç e deh
Terë naze më pëshpërit ky vendi im
Nuk më sheh? Unë jam manushaqe
Aromë e saj jam unë, më thotë mikja
A e ndjen kur të puth në buzë e faqe?
Ndalu pak e shih, unë jam manushaqja
Në qafë seç më hidhet e mira pranvera
Duart po i stolis me byzylykë manushaqe
A nuk jam unë lulnajë e saj, dritë e tera?
Të ëndërroja kështu Atdheu im i mirë
Një manushaqe e brishtë me ngjyrë flori
Pranverën, me emrin tënd seç e thërrita
Dhe të dashurën aq të bukur, e doja si ty
Sa filloja vargun: Manushaqe bukuroshe
T’ua recitoja në klasë nxënësve të mi
Si zogj, atdheu, e dashura ime e pranvera
Më uleshin me gaz, në qerpikë përmbi sy