Emi Krosi - Poemë (Pjesa e shtatë)

Emi Krosi - Poemë (Pjesa e shtatë)
Emi Krosi - Poemë 
 
TANI ËSHTË KURRKUNDI, PËR TY SOLOMON!
 
 “Kontradikta midis pamundësisë së qenësishme
dhe absolutitetit të saj
J.W.VON GOETHE
 
 
nga koha e njëmbëdhjtetë
 
tik- toku im,
ka çmendurina,
ku modernizmi na shpalon
mundësi metamorfoze,
si shëndërruese me drama vetvrasëse…
âsht një topikë e njomë,
me kohë shtejllnash,
të nesërmesh me kapërthime
të panjoftunash!
   
nga koha e dymbëdhjetë
 
të pashë tejpërtej hapsirës së dritës,
deri në bregun e shpresës time të egër,
buzëqeshjen tënde,
kur rrënjët e shpirtit,
mbarsen me farën e jetës,
me trugjet e gjymtyrëve,
që çelin përmes tëmthave të mi,
si krimba të shumëzuar me klonime,
duke matur çdo kut
kur degëzat më përtej bebëzave,
të dritëzave dhe errësirave
më çbojëzojnë farëshpresën e ID-tim,
në kullën me myshk të errët,
ku vetëm bolla e shtëpisë i kalon dritëhijet,
përtej kurrizit të hënës murgjashe,
se saora nga dhoma e zjarrit
aroma e piteve të gjyshes me çerep,
(- kur na urdhëronte nga avllia:
      -mblidhni krande, po deshët pite),
kur herë-herë i zhyste në hirin e zjarrmit,
në aurën e agut para shkollës
me tuta njëlloj dhe çizme llastiku,
në baltërat e pafundme të rrugëve të fshatit,
përparsja e zezë
njollosej nga lyra e bukës me vaj dhe sheqer
shytur në pellgje lllucash të lluburta,
ashtu siç mbinin mbi çatinë
barëulluqet me rrënjë fisit
të glasur nga zogjtë borakë,
kur në linjat e pëllëmbës time
katrori i avllisë,
që nga dera e kullës
deri tek çardaku i madh me dërrasa i burrave,
tek oda e grave,
këndi i saçit
dhe cepi me shkama druni ku shkoqej misri,
apo vrimat poshtë shkallëve
ca dërrasa si mur me thark,
ku minjtë pillnin kaq shumë miusha,
saqë trembnin maçokun tim dembel,
që fshihej poshtë shalëve të mia,
apo në të vetmin minder me llastiqe që kishim,
mbi një lëkurë dhije leshrrjepur,
dreqi e mori,
na mbytën mijtë,
dhe morrat gjithashtu!
 
nga koha e trembëdhjetë
 
macja ime është e zezë
dhe bishtbardhë,
ulur mbi kurriz
mbi mbulesën e divanit,
krupusollur me kthetrat e gricte, gërrc-gërrc,
duke shprishur format e hijes së saj,
më lëpin këmbët, duart,
dhe më lakohet si kulpër pas fustanit të basmës
duke zgurdulluar sytë,
nga vdekja e beftë e koteles së saj
ajo qan,
hungërin,
vajton,
hidhet sipër sobës,
kapërcen dritaren e hapur,
se është derdhur qumështi mbi sobë,
dhe zgurdullon sytëjeshile,
(sikur jam unë fajtore),
dhe rend turravrap drejt derës së madhe,
putron më ca njolla të vogla nga shiu u mbasdites
tjegull më tjegull
duke ndjekur një flutur të bardhë,
sërishmi prek tokën pupthi,
sërishmi ngjitet mbi kërthizën time
dhe ngjizet aty saora joshja,
nga dëshirat,
nga skajet,
nga qoshet,
nga graviteti,
nga hiçi,
se kaq çmeritëse mjaullima e vdekjes së bebes,
mjau -mjau-mjau, duke u zvarrisur pafund nëpër terr,
dhe ankthi derdhet instiktivisht,
drejt boshit të kujtesës time.
 
nga koha e katërmbëdhjetë
 
ora e rërës,
pabesisht pret me gërshërë kohën time tullace,
së duke kërkuar në simetrinë e jetës,
të vërtetën absolute
u tulata në pëshpërimat e amullta të vetes time,
kur dua të flak makthin si rroba të tepërta,
ai, tak përmbyset dhe pikë-pikë pikon,
se kokrrizat e rërës magjike,
kohën time matin me metrin e supërfuqive të mia,
kur pjerron brenda qelqit,
koha belhollë këputet
dhe kufijtë e arnuara rrudhosen,
se stinët më portretizojnë,
himnin e fjalës
të mbijetesës së tokës time,
se koha është parabolë e një burri,
me moshë të re dhe kollare të kuqe,
me çizme gjahu dhe pardesy të bardhë,
me qafore të mëndafshtë,
dhe orë “roleks” të modelit të vjetër,
aty pret-pret,
mbrëmjet,
mëngjezet bardhezi,
muzgun mavi,
përmes endjeve nëpër hapsirën e dhomës me katrorë bardhezi,
të tabelës së shahut me mbretin e verbër,
(ushtarët paskan ikur vetëm me shpata të ndryshkura,)
derisa zërat të shuhen tërësisht
dhe ora ranore në qendrën e dhomës
të shenjojë kohën
e shkuar,
të tashmen,
të ardhmen,
të kryerën,
të pakryerën,
që pluskojnë në hiçgjënë,
matanë një çifti brejtësish në ekstazë,
se nuk ma nî,
se ç’thotë bota,
bota le të flasë,
se përmendësh e di udhën tërësisht symbyllasi,
se kur lidh një fjongo të kuqe,
kush jam unë,
kush je ti,
(cili është profesioni im
kur unë qaj në banjo),
a duhet të ndryshoj të tjerët
apo veten time,
se vargje nuk kam brë për veten time,
ah po,
kam aktruar me vetveten,
se akoma jam e sinqertë,
oh Zot, sa kam ndryshuar,
nga duhet t’ia filloj,
mbi tavolinën time një hije po vallëzon në muzg,
se ditët llërëpërveshur zgjerojnë rrathët e Purgatorit,
mëngjezi,
pasdreka,
mesnata,
mesdita,
duke gatuar në guzhinën time
dollma, groshë, qull misri, akullore,
nëpër ujërat e ndenjura të ca gaforreve të konvervuara,
në kulmet e krizave të mia nervore,
peshk, fruta, perime të kalbura në zgarë,
pica,
spageti,
sushi,
pesha /antipesha,
i rrumbullakosa ca kile,
apo hollake fare si thaçkë,
ç’rëndësi ka, kupa e porcelanëve të çajit,
apo takëmi i pirunëve anës tavoninës 
kur buzëqesh me monologët me cikla pështyme
dhe një gropëz më thellohet në faqe
si kumbull jeshile!
 
nga koha e pesëmbëdhjetë
 
në akuarium,
i ujët peshku larush që vallëzon
si një fustan balloje, 
pluhurosur nga udha rrudha-rrudha fëshfërin,
kur thinjat më gllabërojnë kokën time,
po plakem -them me vete
dhe shtriq këmbët e akullta poshtë mbulesave të shkurtra,
si atëhere, kur flokët e rralluara të gjyshes
i kreh me krëhër lini,
kur endem rrugëve,
brigjeve,
shtigjeve,
qosheve,
duke dëgjuar klithmat e penetrimit,
të një gruaje bythzezë,
ah, ja dhe dy sirena femra kam dëgjuar,
(kurrë nuk e kam kuptuar etruskishten e vjetër),
Kariba e Skilla,
nervoze,
depresive,
budallaqe,
duke soditur linjat e deteve
kur era ua shton kaçurrelat dallgëve flokëbardhë,
që brerojnë aurë mbi aurë fundore dhe prore…