TË SHPRESOJMË QË LIGJI KOZMIK DHE HARMONIA ME BOTËN TË REFLEKTOHEN NË THELLËSI TË SHPIRTIT
Nga: YANG GEUM-HEE
Është gëzim i madh dhe emocion i thellë që të festoj botimin në Korenë e Jugut të përmbledhjes poetike të poetes së nderuar Angela Kosta, PERLA DASHURIE. I shpreh urimet dhe falenderimet e mia më të sinqerta.
Angela Kosta i ka përkushtuar kohën, promovimit të poezisë ndërkombëtare, e mbështetur në një dashuri të thellë për njerëzimin. Nëpërmjet një rrjeti të gjerë global, ajo ka luajtur një rol qendror në shkëmbimin poetik ndërmjet popujve të botës. Në veçanti, si Zv. Presidente e Shoqatës Koreane të Letërsisë Botërore, ajo ka kontribuar ndjeshëm në njohjen ndërkombëtare të veprave të shkrimtarëve koreanë. Falë angazhimit të saj, shumë autorë nga vendi ynë janë botuar në mediat më të rëndësishme letrare ndërkombëtare, duke ndihmuar në forcimin e prestigjit të letërsisë koreane.
Si Presidente e dytë e Shoqatës Koreane të Letërsisë Botërore, dëshiroj të shpreh mirënjohjen dhe respektin tim të thellë për shpirtin e saj fisnik si dhe përkushtimin e pandalur.
Lindur në Elbasan, (Shqipëri), e vendosur në pjesën perëndimore të Ballkanit, Angela Kosta jeton në Itali që nga viti 1995. Ajo është Drejtore Ekzekutive e revistës letrare MIRIADE, përkthyese, eseiste, gazetare, kritike letrare, botuese dhe figurë e njohur ndërkombëtare në fushën e letërsisë. Deri tani ka botuar 29 vepra, përfshirë romane, poezi dhe tregime për fëmijë, në gjuhët: shqip, italisht, anglisht, turqisht, arabisht, frengjisht, spanjisht, japonisht, izraelisht, panxhabe e koreanisht,
duke mbajtur një aktivitet të dendur letrar.
Veprat dhe përkthimet e saj janë publikuar në revista dhe gazeta në Europë, Azi dhe Afrikë, duke bashkëpunuar gjithashtu me media ndërkombëtare.
Ajo ka qenë bashkautore e shumë antologjive poetike ndërkombëtare dhe ka promovuar mbi 170 shkrimtarë, duke përkthyer në të dy drejtimet nga shqipja në italisht dhe anasjelltas. Ka prezantuar gjithashtu veprat e mbi 850 poetëve dhe 125 artistëve në revista letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. Përveç kësaj, ka përkthyer përmbledhje poetike të tetë poetëve shqiptarë dhe kosovarë, si dhe vepra të autorëve të shquar italianë klasikë dhe aristokratë në disa gjuhë.
Angela Kosta mban shumë detyra në fushën e kulturës dhe paqes, përfshirë rolin e Zv. Presidentes së Shoqatës Koreane të Letërsisë Botërore, si dhe ambasadore paqeje dhe kulture në organizata të ndryshme jo-fitimprurëse, të vendosura në: Bangladesh, Poloni, Marok, Kanada, Algjeri, Egjipt, Meksikë, Rumani, Indi, Jemen dhe vende të tjera. Prandaj, ndihem veçanërisht e lumtur, si lexuese koreane, që përmbledhja e saj poetike është botuar në vendin tonë.
Koreja e Jugut dhe Shqipëria kanë vendosur marrëdhënie diplomatike në vitin 1991.
Duke lexuar poezitë e Angela Kostës, ndjej me dhimbje e dhembshuri realitetin tragjik që ka përndjekur atdheun e saj të origjinës. Edhe pse Shqipëria ende është pak e njohur, lidhjet e miqësisë mund të forcohen thjesht duke e njohur njëri-tjetrin si banorë të të njëjtit planet, nën të njëjtin qiell.
Perla lind vetëm pas një procesi të gjatë vuajtjeje brenda guackës. Poeti e percepton botën përmes dritareve të shpirtit, duke nxjerrë intuita që i gdhend në një gjuhë të re, të cilën e ndan me botën përmes poezisë. Në këtë proces, ai pasqyron në thellësinë e shpirtit, rendin e universit dhe harmoninë me botën.
Në këtë kuptim, libri "Perla Dashurie" e Angela Kostës transmeton ndjenja të forta ndaj mbarë Shqipërisë dhe, duke u bazuar në vëzhgimin e realitetit shqiptar, vepra e saj eksploron thellë brendësinë e qenies njerëzore.
Për ata që besojnë se nuk mund t'i kapërcejnë kurrë kufijtë e përcaktuar nga fati i tyre, alternativa mes dëshpërimit dhe shpresës është një nga zgjedhjet më të vështira. Megjithatë, nuk duhet të ndalemi kurrë së kënduari shpresën. Kam parë një farë të vogël, sa një kokërr orizi, të mbijë mes çarjeve të shkëmbinjve dhe të rritet si një pemë madhështore. Pikërisht sepse kam qenë dëshmitare e mrekullive të tilla, e ëndërroj shpresën që na pret përtej kodrave të dhimbjes.
Ashtu sikurse kërmilli shndërrohet në krizalidë e pastaj në flutur, edhe shpresa ka nevojë për vuajtje që të hapë krahët e saj të shndritshëm. Të gjithë mbajmë plagë në zemër.
Një poezi e shkruar me gjuhë prekëse dhe të rafinuar, mund të lindë nga një plagë dhe të shndërrohet në një balsam që qetëson, frymëzon shpresën dhe guximin. Sa më shumë njerëz ta përqafojnë shpresën, aq më i ngrohtë dhe i denjë për t’u jetuar bëhet bota. Shpresoj që poezitë e Angela Kostës të bëhen pikërisht ky balsam shërues.
Përmes fjalëve të fuqishme dhe të bukura, poezia mund të ndihmojë në kapërcimin e dhimbjes dhe trishtimit, duke u bërë një dritë në errësirën e natës. Poezia është një lule ngushëllimi, një shpresë për paqen e zemrës. Për ta bërë të shkëlqejë këtë flakë të brishtë të shpresës dhe për të ndriçuar botën, është thelbësore ngrohtësia e lexuesve që i lexojnë dhe i duan vargjet. Për më tepër, që poezitë e shkruara në gjuhë të tjera të arrijnë tek lexuesit koreanë, është e nevojshme të përkthehen dhe botohen me ndjeshmëri poetike dhe përkujdes gjuhësor maksimal.
Falë shpirtit të lartë human të Dr. Kang Byeong-Cheol, themelues i Shoqatës Koreane të Letërsisë Botërore, poezitë e Angela Kostës janë botuar në Kore në një botim të rafinuar tre-gjuhësh: koreanisht, anglisht dhe italisht.
Si lexuese koreane, ndjej gëzim të thellë që kam mundësinë të lexoj poezitë e një poeteje shqiptare në vendin tim.
Nderim Dr. Kang Byeong-Cheol për përkushtimin e tij në ndërtimin e një ure letrare për shkëmbimin ndërkombëtar të letërsisë botërore.
Nëpërmjet një vëzhgimi të kujdesshëm të realitetit shqiptar, Angela Kosta ka ditur të integrojë dhe të shndërrojë përvojën njerëzore të vuajtjes në poezi që kërkon të vërtetën në thellësinë e njerëzimit. Ashtu si një perlë që lind në guackë pas një periudhe të gjatë formimi, shpresoj që poezia e saj të dhurojë mbështetje dhe shpresë edhe në kohë të errëta, dhe që rendi i universit dhe harmonia me botën, të reflektohen thellësisht në shpirtin e lexuesve në Kore dhe në mbarë botën.