Emi Krosi - Në peisazhin onirik dhe surreal “Për ty, Amerikë” (Përgatiti Angela Kosta)

Emi Krosi - Në peisazhin onirik dhe surreal “Për ty, Amerikë” (Përgatiti Angela Kosta)
Pjesa e parë
 
NË PEISAZHIN ONIRIK DHE SURREAL “PËR TY, AMERIKË” TË POETES EMI KROSI

1. Që në fillim të vargjeve të strofës së parë të kësaj poeme, të shkruar nga autorja shqiptare Emi Krosi, ndodhemi në një peizazh surreal, onirik ku horizonti shkrihet me imazhe të mbushura me metafora: "albinët e tokës së indianëve të kuq" ndoshta i referohen pranive njerëzore ose shpirtërore të përhumbura në kohëra dhe hapësira.
"Retë si kalorës vrapojnë ujdhesave të qiellit",
sugjerojnë një lëvizje epike dhe misterioze.
"Se ledhet e plakura të ullinjve / grisin planete me thonj", paraqesin për lexuesin një univers në kaos të plotë, pothuajse kontradiktor.
"Mbi tokën e shkretë të Eliotit", autorja na lidh me poetikën moderne (ashtu si e gjithë poema), duke evidenciuar ndjenjën e rrënimit dhe vetmisë. E gjithë poema, është tejet e pasur me vizione të fuqishme kozmike, midis mitologjisë, natyrës dhe vetë ekzistencës sonë.
Teksa përshkon vargjet, autorja lëviz dhe përkundet mes vizioneve reale e/ose atyre galaktike, pikturon peisazhin meditues dhe universal të cilin e shpie tek çdokush lexues, që do të ketë fatin ta lexojë këtë poemë.
Horizonti gri që derdhet përtej Atlantikut është humbja e identitetit së autores në fjalë, në një vend të panjohur, ku edhe vetë kufijtë mbesin pa kufij. "Vitheve të murgjashë të tokës së indianëve të kuq," përziejnë njerëz, raca dhe kujtime epokash historike, në një pasqyrim që na rikujton kolonizimin dhe ngjarjet e atyre kohërave, të cilat, megjithëse jo të perceptuara nga çdokush, kanë ekzistuar sidoqoftë jo shumë larg nga era jonë.
"Retë, si kalorës", sjellin dinamizëm në “qiejt-ishuj”, ndërsa “planetët” dhe koha që çalon - me paterica - na japin shumë qartë vizionin e plotë e tashmë të degraduar të planetit tonë.
Shkretëtira (Eliot) nxjerr në pah ndjenjën e thellë të zbrazëtisë dhe zhgënjimit. Shpesh, autorja Krosi evokon hënën (e bën këtë, në disa strofa të poemës), me “lulesat e limonëve” dhe “planetët me thonj”, të cilët krijojnë një atmosferë po aq të mrekullueshme dhe magjepsëse, por, po ashtu edhe disi të trazuar, (shpesh të çakorduar do të shtoja), ku natyra dhe universi duken sikur janë në luftë mes njëri-tjetrit, të fundosur në turbullirën ku ndodhet njerëzimi i tërë.
Poema na zhyt në vargje kulturore dhe poetike me profesionalizëm të lartë dhe thellësi të madhe; këtë lexuesi e ndien në horizontin gri që shtrihet mbi “vithet e albinëve të tokës së indianëve të kuq” (sipar i mrekullueshëm i poemës), me një skenë jashtëzakonisht kurioze, të mbushur me tension historik dhe pamor, ku përmes metaforave, autorja harmonizon dhe udhëheq atë fill të padukshëm të përplasjes së dhunshme mes kulturave, mes pushtimit dhe pastërtisë së humbur.
Përmes reve - kalorës dhe planetëve që grisen me thonj nga ledhet, Krosi na shfaq universin të mplakur, pa gjallëri, të ledhosur dhe herë-herë të pamëshirshëm.
Lëkundja e diellit dhe koha që ecën me paterica, na fundos në një realitet të brishtë, të çrregullt, ku progresi është jo garant dhe ekuilibri kozmik i copëtuar në mijëra thërrime.
Ashtu si “Toka e Shkretë” (The Waste Land), e publikuar nga T.S. Eliot në vitin 1922, një nga veprat më emblematike të poezisë moderniste që pasqyron krizën shpirtërore, kulturore dhe morale të Perëndimit pas Luftës së Parë Botërore, edhe poetja Krosi, me penën e saj të veçantë, na paraqet një botë të plasaritur, të gjymtyar,  të shkretë e sidomos të zhveshur nga ndjenjat njerëzore. E strukturuar në disa strofa, duke versifikuar, poetja e derdh mitologjinë, fenë, historinë dhe letërsinë, në një mozaik kompleks dhe të shpërbërë, (një tekst i vështirë, po aq edhe i lehtë), që kërkon një interpretim shumë aktiv në pasqyrimin e zhgënjimit bashkëkohor.
E megjithatë, mes gjithë kësaj thatësire - shkretëtire, Krosi bën që hëna të lulëzojë si “lulesat e limonave”, një dukuri delikate e jetës kjo, e cila i kundërvihet me rrëzëllim errësirës.

2. Strofa e dytë duket një afresk pamor, në të cilin autorja bashkon alegoritë e mitologjisë me ato bashkëkohore, për të përshkruar një reflektim të thellë jo vetëm individual, por edhe mbi fatin tonë kolektiv. 
Në vargun e parë “zgjohem nga hija e kaktusit”, Krosi sjell një atmosferë të trishtë dhe vetmie, e cila përshtrihet në një botë të banuar prej gjeneratash - mjellma që “pjalmojnë ujin”, (bashkim i hijeshisë dhe pjellorisë).
Globi që “aborton emigrantë” nuk është vetëm një denoncim i fuqishëm i dështimit të njerëzimit për ta menaxhuar këtë plagë që po e zgjyros jetën në llum, por edhe një afrimitet i popujve dhe racave, me gjithë kompleksitetin dhe përvuajtjet e tyre, të cilët kërkojnë strehë në kufijtë e virgjër, (në një botë të pastër që të gjithë ne dëshirojmë).
Indianët e Amerikës na rikujtojnë një të shkuar shpirtërore të zhdukur, ashtu sikurse vetë lidhja e origjinës së tyre me natyrën dhe misterin, sot e përmbytur, “e mohuar dhe e fyer” nga era  moderne.
Pyjet e diellta, kuajt, shqiponjat, që Krosi pikturon në peisazhin e kësaj poeme të mrekullueshme, i përkasin një madhështie të lashtë, kurse “alfabetin rrokëzoj”, ajo e shndërron në metaforë për shkrimin e fatit pozitiv të botës, të atdheut pse jo edhe të vetvetes.
Me pathosin e saj të jashtëzakonshëm dhe proçesin kogntiv veçanërisht unik, poetja na rikthen historinë e jashtëzakonshme të fiseve autoktone amerikane.

3. Në strofën e tretë, lexuesi bashkohet me autoren në një udhëtim në zemër të Nju Jorkut, përmes shikimit të shpirtit të saj endacak, që kërkon vetveten mes rrënojave të ëndrrave amerikane. Në vargje gërshetohen figurat urbane dhe simbole mitike në një rrjedhë onirike, të cilat na sjellin ndërmend poezinë "beat" (rrymë poetike e lindur në SHBA rreth viteve ’50). 
Gjuha e Krosit është e ashpër, e drejtpërdrejtë dhe ndonjëherë e theksueshme, njësoj si në poezinë “Amerika” të Ginsbergut (me dy dollarë e njëzeteshtatë cent më 17 janar 1956); kurse ajo, ndodhet në rrugë të pluhurosura, kafka në trotuare dhe plepa që lëngojnë (shkurt, 2000).
Statuja e Lirisë kthehet në një meditim të dyfishtë për lirinë dhe mëkatin, për epokën moderne ku gratë e sotme jetojnë në vende të begata siç është Amerika.
Në këto vargje, në lexim e sipër, Krosi na ofron penën e saj, vargëzimin guximtar dhe sensual, i përqendruar në Statujën e Lirisë, femër që shndërrohet në tundimtare, plot dëshira dhe thyerje normash morali.
“Një Safo e vogël lesbike” evokon identitetin e papërcaktuar të disave dhe lirinë shprehëse. Toni që përdor Krosi nëpër vargje është disi i çuditshëm, provokues, shpesh i egër por tejet rrëmbyes dhe poetik. Liria femërore merr formë dhe duke u rebeluar, shpërthen në eros.
Dëshiroj të ndalemi pak sëbashku këtu…
me modestinë e saj madhështore, autorja e quan veten të vogël përballë Safos së madhe greke, duke sjellë kështu tek lexuesit edhe njohuritë e saj të gjera mbi letërsinë e lashtë greke, të pasur me mitologji plot vlera.
Tejsa rrëshqasim nëpër vargje, vërejmë se poetja përballet me një qytet të panjohur, duke kërkuar ngjashmëri me atdheun e saj të largët, të varfër por njëkohësisht mikpritës (aty, tashmë shkohet në plazh – dy kontraste mes të ftohtit dhe të ngrohtit). Gjuha e autores vazhdon të jetë e pasur me metafora të guximshme dhe me imazhe befasuese: “me bark xixëllonjash ”, “vithe të ftohta”, “kafka të qelqta”, "re të kripura" (lot), "perëndime të lagura", (përsëri lot).
E gjithë strofa vazhdon të përkundet midis reflektimeve dhe shqetësimit personal të poetes, mes ëndrrave dhe maktheve, mes mirazhit dhe realitetit, e shoqëruar nga ndjenja e huaj në kërkim të vetvetes, në këtë botë tashmë në rrezik.

4. Edhe në strofën e katërt, Krosi vazhdon të përdorë nuancat e larmishme të një qyteti në lëvizje të vazhdueshme dhe të përhershme, duke na çuar në vende ikona, si Central Park dhe Grand Central Terminal, të cilat bëhen skena të errëta me elementë të rëndësishëm (“semaforë që masturbohen” dhe "koha ime gugaçe"), duke sfiduar kështu, me bindjen e një autoreje shumë inteligjente, konventat gjuhësore për të na transmetuar emocione të thella, që mbeten gjatë në kujtesën e shumë lexuesve.
E gjithë poema në përgjithësi, ofron një pamje personale dhe intensive të poetes Krosi, jo vetëm mbi qytetin, por edhe rreth atyre që jetojnë aty. Prania e një “vajze me ngjyrë” në stacion është një kritikë e rëndësishme sociale nga ana e autores, e cila nënvizon pabarazitë dhe çarqet, prangat e skllavërisë së prostitucionit nga ata që përfitojnë, dhe kjo është një pikë mjaft kyçe në këto vargje, një temë që nuk mund ta injorojmë pa u përqendruar dhe pa u ndalur, ndaj për këtë, Krosi vendos si protagoniste vajzën me ngjyrë, dhe flokët kaçurrela në poemën e saj, sepse prostitucioni i grave afroamerikane në Shtetet e Bashkuara është një fenomen kompleks dhe thellësisht i rrënjosur në dinamikat historike, sociale dhe ekonomike. Gratë zezake janë tejet të përfshira në tregtinë seksuale, shpesh për shkak të faktorëve socialë si varfëria, diskriminimi i racës por edhe nga mungesa e mundësive arsimore dhe punësimi. Përballja me këtë problematikë, kërkon një qasje gjithëpërfshirëse, që merr parasysh rrënjët e thella të diskriminimit racor dhe pabarazisë gjinore, duke nxitur kështu istitucionet politike, që të mbrojnë të drejtat dhe dinjitetin e të gjitha grave. 
Të gjithë këtë, Krosi e “denoncon” dhe e “deklaron” në rrugët e ftohta të Amerikës, me një stil shkrimi të rrjedhshëm, ashtu si mendimet dhe vargjet e saj me tema të spikatura dhe të goditura në përgjithësi.

5. Në strofën e pestë, së bashku me Krosin, gjejmë realitetin e ashpër e të brendshëm të Harlemit, ku autorja portretizon njerëzimin tejet të stërmunduar, të shkatërruar gjithashtu, duke rrëfyer jetën e shumicës së qytetarëve që e kalojnë mes drogës, seksit dhe varfërisë.
Duke vazhduar të përthithë vargjet, lexuesi ndjen melankolinë po ashtu edhe dëshpërimin për atë që e rrethon poeteshën tonë shoqëruese në aventurën e këtij shtegtimi.
Cigaret e karbonizuara dhe hirnoret e drunjta reflektojnë zakonet e vjetra dhe ekzistencën që stërmundohet nga mungesa e lumturisë. 
Teksa macja i gudulis kofshët lakuriqe, Krosi sjell një sensualitet të dukshëm, ndërsa “kur netët shkurrohen si "kurva të trishta", sërish shfaqet trishtimi dhe zhgënjimi i thellë për shkak të vdekjes së mijëra dashurive.
“Një melodi e vjetër / më mori hënën përmes kafeneve të vona dhe “dhëmbët e arta të funditës” krijojnë atmosferën e natës e cila paraqitet mjaft regresive. Rrugët e Harlemit bëhen skena për “të dehurit me shkumme orgazmash të zeza”, ku droga dhe seksi dominojnë në vorbullat e humnerave. "Dhe fëmijët plot pluhur me turma të shurdhëta", përfaqësojnë jo vetëm pafajësinë e zhdukur dhe braktisjen totale të brezit që do vijë, por edhe pasigurinë se ku do përfundojmë në një të ardhme që na pret pas një kohe jo të gjatë.
“Duhmat e uiskit si vullkane derdhur, nga kërcimtaret zezake, ashtu të përskuqura deri në agim, mbyll strofën e pestë me një ndjesi potente, tepër dëshpëruese e po ashtu edhe neveritëse.
.............................................................................
Nesër pjesa e dytë
 
Përgatiti Angela Kosta