Intervistë me Giuliana Donzello (Përgatiti dhe përktheu: Angela Kosta)

Intervistë me Giuliana Donzello (Përgatiti dhe përktheu: Angela Kosta)
INTERVISTË ME STUDIUESEN, SHKRIMTAREN, KRITIKEN LETRARE GIULIANA DONZELLO

Giuliana Donzello ka lindur më 25 prill 1949 në Venecia të Italisë, ku u diplomua në Letërsi dhe më vonë u specializua në Universitetin e Firences. Që nga fillimi i karrierës së saj, ajo ka kombinuar aktivitetet mësimore dhe kërkimore, duke bashkëpunuar me Departamentin e Historisë dhe Kritikës së Arteve Bashkëkohore të Universitetit të Venecias dhe me Sektorin e Arteve Pamore të Bienales.
Ka botuar disa ese mbi artin dhe artikuj të shumtë mbi kërkimin arsimor, duke bashkëpunuar me revista të specializuara,  përfshirë "L’Educatore, Mensile di Pedagogia, didattica e servizi professionali per la scuola primaria”, botuar nga RCS - Fabbri, Milano.
Giuliana ka kuruar situatat e orientimit dhe trajnimit për MIUR dhe Universitetin e Venecias dhe ka qenë oratore dhe trajnuese në konferenca dhe seminare evropiane mbi çështjet e gjuhëve analoge dhe përfshirëse.

Shkrimtare dhe studiuese, botimet e saj përfshijnë: "Arte e Collezionismo, Fradeletto e Pica primi segretari alle Biennali veneziane 1895-1926”, Editrice Firenze Libri, 1987; “Un ragazzo zingaro nella mia classe”, botuese Anicia, Roma, 1998; “Il vento di Tampere”, botuese Anicia, Romë, 2007, e cila ishte në qendër të konferencës mbi integrimin në Komisionin Evropian në janar të vitit 2008.
Që nga ky vit, ajo i është përkushtuar shkrimit krijues. "Rezervuari i Ndjenjave", botuar nga Shtëpia Botuese Progetto Cultura 2003, Romë në vitin 2010, ishte debutimi i saj i parë letrar.
Kjo u pasua nga: "Stinët e Gjinkallave", Seneca në Torino, 2012; II° Edicione nga Aletti Editore, Guidonia (RM) 2013, punë e vlerësuar me Çmimin e 2° Ndërkombëtar "Salvatore Quasimodo" 2016; "Fiori di sale - Lule kripe",  përsëri Çmimi i 2° "Salvatore Quasimodo" 2017, BookSprint Edicioni, Bucino (SA), 2013; "Il tre periodico - Treshi periodik", vendi i 2° në Çmimin Ndërkombëtar "S. Quasimodo" për narrativën botuar nga Aletti Editore, Guidonia (RM) 2015; "Scritti d'Arte - Shkrime Arti", fituese e Çmimit të parë ndërkombëtar Cumani 2017 për ese, botuar nga Aletti Editore, Guidonia (RM) 2016; "L'Ostatismo ultima impronta del Novecento", Çmimi i Jurisë në konkursin "Shkrimtarët për Europën" 2017, botuar nga Ibiskos Ulivieri, Empoli; Çmimi Astrolabio 2018, vendi i 1° në Seksionin e Poezisë së vetme; "L'accusa del tempo", Europa edizioni, Romë, 2018.
Në vitin 2019, Donzello u nderua me çmimin "Trama më e mirë" nga Dickens Books Awards, Napoli, si dhe ishte fituese e Çmimit Ndërkombëtar letrar "Maria Cumani Quasimodo", seksioni i poezisë së vetme; "Crisalidi", Leonida Editrice, 2022; "Arte, istituzione e potere".
Në vitin 2023, Dyvjecarja e Venecias (1895-1942), redaktori i Ctl Libeccio Livorno, 2021, i dha çmimin "Margherita Hack"; "Crisalidi- Chrysalises", tekst italo-anglisht, përkthim nga Ivano Mugnaini, Leonida Edicione, 2023, i dha Pllakën e Meritës për aftësitë artistike dhe krijuese, ashtu sikurse po në vitin 2023, për librin"L'altana", iu akordua Pllaka e Meritës për aftësi artistike dhe krijuese; Një vit me... Kalendari letrar", Aletti Editore, 2024; "Topografie di memorie", finaliste në çmimin Rocco Carbone 2023; "Heshtja e harpave", fituese e çmimit ndërkombëtar Xenìa Book Fair, IX Edicone 2024.
Donzello është vlerësuar edhe me shumë çmime të tjera prestigjioze. Disa nga tekstet e saj, janë përfshirë në antologji, revista dhe fjalorë të shkrimtarëve dhe poetëve bashkëkohorë.
Për librat: "Arti, institucioni dhe pushteti. Biennale i Venecias 1895-1942", "Crisalidi - Crysalises" dhe "L'altana" iu dha nota kritike dhe certifikata e meritës nga Salvo Nugnes në Bienalen e Milanos 2023. Studimi mbi Bienalen e Venecias midis dy luftërave u vlerësua gjithashtu me "Çmimin Margherita Hack", 2024.
"Topografie di memorie" fitoi çmimin për merita artistike të "Premio Arte Bienale", Venecia 2024,
"Çmimin Spoleto" 2024, për përsosmëri artistike.
Kohët e fundit ajo u nderua me çmimin "Canaletto" për talentet e saj artistike dhe stilin personal poetik.
Në vijim e sipër,  libri i sapobotuar, "Heshtja e harpave" do të propozohet nga botuesi i Shtëpisë Botuese "Leonida Editrice", Dr. Domenico Polito, për çmimin Strega, Poezi, 2025.

SINOPSI I LIBRIT: "Heshtja e Harpës"

(…) Përshkrimi i dhimbjes, realiteti konkret i saj, prezantohet qartësisht në këtë libër, e jo nga lista e shifrave apo nga referencat e masave të padallueshme. Libri flet për emra, për burra dhe gra, për njerëzit, për qytetet dhe fshatrat e evokuara si etni të gjalla, të cilat tashmë, janë transformuar në rrënoja dhe heshtje.
Të flasësh për heshtjen nëpërmjet fjalës, e cila është bërë jehonë nga heshtja që kanoset, është pikërisht ky, qëllimi i librit, funksioni i tij, synimi dhe udha që ai përshkon. Stili i këtij libri është i ndryshëm nga veprat e tjera të autores Donzello. Në këtë përmbledhje ka, domosdoshmërisht, pak "ndryshime mbi temën". Toni "minor", për ta thënë në terma muzikore, është mbizotërues. Ritmi bazohet në "gjerësi" dhe "ngadalësi", sepse çdo fjalë, çdo përshkrim i tmerrit, duhet të ketë kohën dhe solemnitetin e një vështrimi pjesëmarrës. Koherenca e dhimbjes dhe e identifikimit autentik, jo të mënyrës, me të shtypurit, me viktimat që jo vetëm janë të pafajshëm, por edhe të pa qenë në dijeni të "logjikës", (do të ishte më e përshtatshme "çmenduri") e agresionit, imponon tekste "veshur në të zezë". Ngjyra, shkëlqimi i agimit, gjenden reflektues, në mendimin e vazhdueshëm të përfundimit të konfliktit.
Libri është kuruar në mënyrë të përshtatshme në detaje dhe pa ironi dhe nënqeshje. Do të kishin qenë jo vetëm të pakuptimta, por edhe intimisht kundërshtuese. Përpunimi dhe përzgjedhja e kujdesshme e tekstit, i përgjigjen ekskluzivisht dëshirës për të manifestuar në çdo theks dhe nuancë, një dhimbje pjesëmarrëse me sinqeritet.
Megjithatë, çdo varg, siç përmenda edhe më sipër, nxjerr një dritë, e cila pret ditën e duhur, që të jetë në gjendje, të shkëlqejë sërish. Sepse, siç tregojnë fjalët e Nerudës në libër dhe të theksuara në një pjesë të rëndësishme të përmbledhjes: "Lindja nuk është kurrë aq e sigurt sa vdekja. Kjo është arsyeja pse të lindësh nuk mjafton. Është për të rilindur që kemi lindur"
Rilindja ndodh kur sakrifica e jetëve dhe fateve gjen kuptim. Ose, në momentin kur paqja triumfon në drejtësi.
Rreziku i rënies në grackën e retorikës ishte i lartë, duke pasur parasysh temat e trajtuara në libër. Giuliana Donzello ka mundur t'i shmanget, në sajë të forcës së empatisë së vërtetë që shkëlqen përmes çdo vargu, çdo theksi e çdo shprehjeje. Një teknikë e qartë dhe e konsoliduar, për më tepër, i ka lejuar asaj, të strukturojë poezi rreth kollonave të mbështetjes së disa fjalëve kyçe dhe disa koncepteve dhe gjendjes shpirtërore universale: deliri i pushtetit, ndjenja e vdekjes, shkatërrimi i një bote dhe i një mënyre jeteseje, mohimi i njerëzimit në kuptimin e vëllazërisë dhe ndarjes.
Rrugëdalja e vetme, është rikthimi i harmonisë, e nënkuptuar si muzika: notat dhe kënga e instrumentit më të vjetër të qytetërimit tonë. Heshtja e harpës, do të japë fund, në momentin kur jehona e bukurisë dhe e dashurisë së lirë e të pakushtëzuar, mund të dëgjohen sërish.

(Ivano Mugnaini, shkrimtar, eseist)

                     - INTERVISTA -

Angela. K: Përshëndetje Giuliana. Mirësevini në gazetën shqiptare NACIONAL. Ndihemi të nderuar që ju kemi këtu. Lexuesit do të donin të dinin për rrugëtimin tuaj, jo vetëm si krijuese, por edhe si studiuese.
G. Donzello: Jam unë ajo që ju falenderoj të gjithëve, për mundësinë e çmuar që më jepni. Një falënderim i veçantë është për ju Angela dhe Drejtorin Dr. Mujo Buçpapaj.
Unë kam lindur në një qytet unik në botë ku spikat arti që lind nga ujërat dhe shpaloset nën qiellin e Venecias. Në Universitetin "Ca' Foscari" u trajnova duke studiuar artin dhe letërsinë dhe sapo u diplomova kam punuar si kërkuese në Institutin e Arteve Bashkëkohore, "Departamenti aktual i Historisë dhe Kritikës së Arteve". Aty, rreth vitet 1979 -1987, punova për transkriptimin e Ditareve të Emanuele Antonio Cicogna (1798 -1868), i konsideruar si një nga dijetarët më të mëdhenj të traditës letrare, bibliografike dhe historiko-artistike të Republikës Veneciane, i cili dallohej si personazh dhe figurë referuese për botën intelektuale të asaj periudhe. Në tre vëllimet e Ditareve të shkruara me dorë në letër velina (mbi tre mijë faqe), por edhe në korrespondencën e tij thelbësore (kryesisht ende të pabotuar), dallohet roli i paeksploruar i informatorit-ndërmjetës, në kontakt me një komunitet shumë të madh dhe të gjallë artistësh dhe intelektualësh, në rolin magjepsës të "këshilluesit" për studiuesit dhe njohësit e artit në nivel kombëtar ose, përsëri, në bashkëpunimin aktiv me institutet kryesore kulturore veneciane të kohës. Megjithatë, unë në karrierën time si studiuese, i kam dhënë preferencë të veçantë institucionit Dyvjeçar - Bienales së Venecias, për të cilën kam shkruar historinë e periudhës së dytë të pasluftës (1948-1956), artit bashkëkohor dhe artistëve të rinj, për të cilët, zor se ka tashmë një letërsi mbi punën e tyre, punë që duhet njohur dhe vlerësuar në bazë të formimit të tyre, mendimit krijues si dhe etikës profesionale që ata prezantojnë.
Përsa i përket rrugëtimit tim si krijuese, besoj se biografia ime mund të flasë më gjatë për mua.
Angela. K: Mund të na thoni nëse bashkëpunimi juaj i vyer me Departamentin e Historisë dhe Kritikës së Arteve Bashkëkohore në Venecia, ka ndikuar në gërshetimin e artit pamor dhe këndvështrimin tuaj, me atë që ju vetë krijoni dhe shkruani në letërsi?
G. Donzello: Gjithmonë e kam dashur letërsinë dhe në veçanti poezinë, të cilën nuk e kam veçuar kurrë nga arti, për ngjyrat dhe tingujt e fjalëve dhe vargjeve. Trajnimi i fituar në Fakultetin e Letrave dhe atij historik-kritik (i rëndësishëm për mua ishte studimi i kritikës letrare dhe pastaj i kritikës së artit), si dhe aftësitë në dimensionin kritik të zhvilluar në Departamentin e Historisë dhe Kritikës së Arteve, më orientuan drejt prozës, artit dhe shkrimit poetik, ashtu sikurse drejt përdorimit të analogjisë dhe vokalitetit të vargut,  por edhe që të preferoj kompozime, të cilat nuk janë gjë tjetër, veçse zgjerimi ndaj prirjeve filozofike, pra preferencë mendimi i dyfishtë i zhvilluar nga oksimoronet (si për Bergson, e jo vetëm). Shembuj të kësaj janë romani i fundit i botuar, "L'altana", si dhe vëllimi poetik "Crisalidi dhe Topografie di Memorie", të gjitha të botuara nga shtëpia botuese "Leonida" në Reggio Kalabria.
Angela. K: Ju njiheni në Itali dhe jo vetëm për veprat tuaja, por edhe sepse jeni vlerësuar me shumë çmime prestigjioze... Cilat janë ato më të rëndësishme?
G. Donzello: Para së gjithash, "Çmimi Maria Cumani Quasimodo", i pari në rend kronologjik, por edhe për faktin se ka qenë një vlerësim i çmuar për shkrimin tim poetik dhe eseve të artit. Kjo u pasua nga Çmimi i Jurisë në konkursin "Shkrimtarët për Europën", "Çmimi për Dramën më të Mirë" nga Dickens Books Awards, Napoli, Çmimi "Biennale di Milano", "Çmimi Margherita Hack", "Çmimi Jacopo Da Ponte" dhe "Çmimi Canaletto".
Angela. K: Keni pasur vështirësi të arrini këtu ku jeni sot? Çfarë ju ka mbetur në kujtesë rreth atyre që ju kanë ndihmuar dhe mbështetur?
G. Donzello: Një nga vështirësitë më të mëdha që has çdo autor, besoj, është njohja dhe vizioni i veprës së tij. Nuk isha e përjashtuar nga kjo, pavarësisht se kisha perspektivën e një karriere universitare. Kjo nuk ndodhi sepse unë isha një "kundër-tendencë", një anti-akademike, ndërkohë që kush vendoste, ishin ata që përzgjidhnin zhanrin. Gjithmonë e kam parë veten të më parakalojë një "mashkull".
Sot, në distancë dekadash e më pas, më duhet të them se jam me fat, sepse angazhimi akademik nuk do ta kishte zhvilluar shkrimin tim krijues. Dhe ndjehem dyfish me fat, sepse kohët e fundit, kam gjetur mbështetje në interesimin dhe aftësitë kritike të leximit të njerëzve, të jashtëzakonshëm në punëne tyre, të cilët më kanë spikatur dhe kanë shpërndarë tekstet e mia edhe jashtë vendit, duke i përkthyer ato në gjuhë të ndryshme, si në: anglisht, arabisht, polonisht, dhe shpresoj së shpejti edhe në shqip, duke më dhënë kështu mundësinë, të takoj poetë dhe shkrimtarë të tjerë dhe të krahasohem me ta.
Angela. K: Kohët e fundit, në spektrin letrar, shohim shumë autorë të rinj. Cili është mesazhi që do të dëshironit t'u jepni për t'i inkurajuar drejt arritjes së suksesit?
G. Donzello: Do t'u thoja: Besoni gjithmonë në punën tuaj! Mos e sakrifikoni atë për ëndrra dhe iluzione të pabazuara dhe kurrë mos bini në kompromis! Formohuni për jetën me studim dhe duke u krahasuar me autorët dhe artistët e tjerë dhe asnjëherë mos nxitoni! Njohja dhe suksesi mund të vijnë vonë (siç ishte për mua), ose mund të mos mbërrijnë fare. Por në çdo rast, herët a vonë, puna e bërë me vlera, do të flasë vetë!
Angela. K: Përveç letërsisë dhe artit, me çfarë tjetër angazhoheni në jetën tuaj të përditshme? Keni ndonjë hobi të veçantë dhe të rëndësishëm?
G. Donzello: Më pëlqen shumë të gatuaj. Me këtë lumturoj bashkëshortin tim, i cili është shumë shijues ndaj gatimeve, por në të njëjtën kohë që eksperimentoj përbërësit, mendoj, imagjinoj, shoh dhe ndiej, dhe kur mundem, mbaj shënime, mbi të cilat, në kohën e duhur, reflektoj, rijetoj dhe programoj.
Angela. K: Cili është libri juaj që do të donit ta rishkruanit? Cilët janë autorët tuaj të preferuar italianë dhe të huaj?
G. Donzello: Kur përfundon një libër, ai ka një jetë të vetën dhe nuk të përket më. Në vend që ta rishkruaj, do të dëshiroja t'i bëja nderime "Stinës së Gjinkallave", e cila më ka hapur rrugën drejt një jete reale, e gjitha e imja, asaj të një shkrimtareje.
Nëse ka një libër që duhet ta rishkruaja, dhe që do të dëshiroja ta vazhdoja më tej, është "Rezervuari i Ndjenjave", debutimi im i hershëm letrar, një palestër do të thoja, në të cilën testova dhe verifikova aftësitë e mia reale si shkrimtare, përpara se të trajtoja një strukturë komplekse të tillë si ajo e romanit, e aq më tepër tekstit poetik.
Autorët e mi italianë refererues, para së gjithash janë: Petrarka, Leopardi, Ungaretti dhe Quasimodo, ndërsa poetët klasikë dhe historik, janë: Alda Merini, Sandro Penna, Attilio Bortoluzzi, Mario Luzi, ata më afër nesh.
Autorët: Vasco Pratolini, Giorgio Bassani, për narrativën. Flaubert, Proust, Baudelaire, Camus, Lee Masters, Rilke dhe Novalis janë autorët e mi, të huaj, të preferuar. Por prej disa vitesh kam zbuluar autorë russë dhe poetë të Evropës Lindore.
Angela. K: Çfarë e frymëzon muzën tuaj dhe cilat janë temat kryesore që trajtoni në veprat tuaja?
G. Donzello: Mbi të gjitha, natyra është tema konstante në prodhimin tim letrar, koncepte nga të cilat dalin çelësa të vërtetë që kombinojnë prozën poetike dhe poezinë. Në prozë kam prirjen të kombinoj vëzhgimin, që nënkuptohet si një "vështrim", i reflektimit dhe  arsyetimit, për të përhapur meditime mbi kohën që kalon e ndryshon gjërat dhe njerëzit, mbi fatin që luan apo plagos, në vende të përzgjedhura që gradualisht krisen dhe shemben e megjithatë mbeten aty, në kujtesë, të forta, dhe më rezistuese. Kam një pasion përshkrues si për "të vërtetën" ashtu edhe për "të gjithëanshmen", tek të cilat bashkoj herë pas here: ndjesitë, në aparencë kundërshtuese, entuziazmin dhe zhgënjimet, ëndrrat dhe realitetin, përkëdheljet dhe plagët. Por mbi të gjitha, në qendër të shkrimit tim, është në mënyrë të pashmangshme edhe dashuria, një udhëzuese e vyer e rrugës që të çon në vetëdijen. Në këtë kaleidoskop, gjithkush mund të gjejë nuancat e nostalgjisë dhe ëndrrave të tyre, humbjet dhe shpresat, dashuritë kalimtare dhe të qëndrueshme, keqardhjen dhe ëndrrën që reziston, përtej kohës dhe arsyes. Poezia, nga ana tjetër, hapet dhe zhvillohet në ekzistencën e oksimoronave kronologjike dhe tematike, me sa duket komplekse, të përjetuara realisht në një nivel emocional nga shumë prej nesh: realiteti dhe evokimi ëndërrimtar, kujtesa dhe harresa, drita dhe hija, spostime orkestrale të bazuara në kontrastin e zbrazët dhe të plotë, zërit dhe heshtjes, që gjithsesi është një formë e vetë zërit, absolutisht ekspresive. E shqetësuar ekskluzivisht për t'i dhënë unitet tekstit me një thurje transmetimesh dhe thirrjesh në sfondin e një cikli kohor që na lejon të kapim në tërësi, atë që është domosdoshmërisht kalimtare dhe ajo që, pavarësisht gjithçkaje, mbetet si një zë në heshtje, i sinqertë, evokues dhe i pandërprerë.
Angela. K: Sapo është botuar libri juaj "Il Silenzio Delle Cetre - Heshtja e Harpave", me parathënien e shkrimtarit dhe eseistit Ivano Mugnaini. Më bëri shumë përshtypje veçanërisht, fraza: "Të flasësh për heshtjen nëpërmjet fjalës, bëhet jehonë e heshtjes që të kanoset"... Një jehonë kjo e fuqishme përvuajtjeje do të thoja... Çfarë mund të na thoni më shumë për këtë vepër të re, e cila me siguri do të ketë shumë sukses?
G. Donzello: Janë fjala poetike dhe vargu, ato për të cilat mundohem të paraqes, pasi janë të vetmet mjete që bëjnë të mundur një rilindje nëpërmjet mëkëmbjes. Vetë titulli i bën thirrje heshtjes, së bashku me detyrën e dëshmisë. E shkrova këtë libër duke qarë para imazheve që transmetonte televizioni nga raportet e korrespondentëve në Ukrainë. Atdheu i Ukrainës, lufta, masakrat, heshtja dhe ulërima pas sulmeve, zënë një pjesë të rëndësishme të librit tim; i jep zë heshtjes së atyre që nuk mund të flasin, flet për emra, për burra e gra, për njerëz, për qytete dhe fshatra të evokuara si etni të gjalla të cilat tani janë transformuar në rrënoja dhe heshtje. Si çdo poet që ndjen plagët e kohës së tij, për të shprehur heshtjen e harpës m'u desh t'i drejtohem fjalës, këngës, tragjike por efektive për të shprehur në një oksimoron të gjatë dhe të përvuajtur, një gjendje mendore individuale që në fakt është një dhimbje thellësisht kolektive. Kjo mund të kuptohet në leximin e poezive që janë ndërthurur rreth kollonave mbështetëse të disa fjalëve: deliri i pushtetit, ndjenja e vdekjes, shkatërrimi i një bote dhe i një mënyre jeteseje, mohimi i njerëzimit në kuptimin e vëllazërisë dhe ndarjes.
Angela. K: Cilat janë projektet tuaja të ardhshme?
G. Donzello: Po përballoj një studim të ri mbi Biennalen e Venecias, një vepër e cila do të kërkojë vite të tëra kërkimesh arkivore dhe lexim kritik të artistëve dhe veprave të pranishme në dhomat e ekspozitave veneciane, duke filluar që nga viti 1948 deri në vitin 1956. Në të ardhmen, një vëllim i ri poetik do të shohë dritën e botimit.  Të paktën këtë shpresoj.
Angela. K: Ju falenderoj për kohën tuaj të çmuar dhe intervistën. Suksese në krijimtarinë dhe studimet tuaja plot vlera.
G. Donzello: Sërish faleminderit ju dhe revistës ORFEU dhe Orfeu.al

Përgatiti dhe përktheu: Angela Kosta Drejtore Ekzekutive e revistës fizike MIRIADE, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese