ELTONA LAKURIQI
Eltona Lakuriqi ka lindur në Tiranë në vitin 1984. Ka botuar librat me poezi: “Eci” (2004), “Maskat” (2015), “Gotat blu” (2015), “Në artin pa unaza” (2016), “Kaos shpirtëror” (2017), Poezi (2018), Vargje nga disa kontinente (Antologji me poezi nga 16 autorë, 2021). Ka përkthyer nga italishtja Alessandra De Santis, “E bardha, e zeza... dhe pak e kuqe” (përmbledhje me poezi, 2021). Që nga viti 2018 boton dhe drejton periodikun “Alternativa”. Ka botuar “Alternativa 1”, “Alternativa 2”, “Alternativa 3” dhe “Alternativa 4”. Që nga viti 2019 është redaktore e revistës “Mirdita”. Në vitin 2014 ka mbaruar studimet e larta për “Shkenca politike” në degën “Marrëdhënie ndërkombëtare”. Në periudhën tetor - nëntor 2016 ka qenë moderatore e emisionit radiofonik “Kape çastin” në radion “Zëri Mitrovicës”. Në shkurt 2017 ka bashkëpunuar me gazetën “Besëlidhja Gorare”. Ka qenë autore dhe krijuese e rubrikës “Ëndrra të realizuara në art”. Në mars 2017 ka qenë anëtare e jurisë të konkursit të poezisë në ditën botërore të librit të organizuar nga qendra rinore “Anza”. Në gusht 2017 ka qenë koordinatore e revistës “Pelegrin”. Në gusht 2017 ka qenë moderatore e konkursit të poezisë të klubit të shkrimtarëve “Drita”. Në shtator 2017 ka qenë moderatore e konkursit artistik “Fjala gdhend gurin” organizuar nga Bashkia Kamëz. Në gusht 2018 ka qenë organizatore e tubimit për promovimin e vëllimit “Antologjia 5”, botim i klubit të shkrimtarëve “Drita”. Poezitë e saj janë përkthyer e botuar në anglisht, italisht, suedisht, rumanisht dhe bengalishte. Duke filluar nga data 4 shkurt 2021 bashkëpunon me Tv Alpo si koordinatore e emisionit “Oda e Miqve”. Duke filluar nga muaji shkurt 2021 është autore e rubrikës së librit “Ç'libër kemi sot në bibliotekë?” të transmetuar gjatë edicionit të lajmeve në Tv Alpo. Duke filluar nga data 20 shkurt 2021 është koordinatore e Këshillit të Federatës Universale për Paqen Shqipëri në Itali. Mban titullin “Ambassador for peace” (Ambasadore për Paqen) nga Universal Peace Federation. Që nga viti 2017 jeton në Itali.
PEJSAZH DIMRI
Mjegull, si vello e bardhë,
pemë të larta,
të zhveshura,
si nuse të braktisura
anës rrugës nga taksia.
Mbi çatinë e një ndërtese
të qytezës,
disa oxhakë, pa tym,
si pleq që kanë harruar
të ndezin llullat.
Në njërin cep të çatisë
një çift pëllumbash,
me krahë të bardhë
dhe gushë vishnje
gugatin për dashuri.
Në cepin tjetër,
një zog i ndrojtur,
shpendël gri,
i përhimtë si vetë dita
si postier që ka humbur postën.
Disa të tjerë
nëpër tjegulla,
fluturojnë,
shpërndahen me shpejtësi,
korrierë të një stine pa ngjyrë.
Ndihet mungesa e erës,
por sot njerëzit
nuk janë si zogjtë,
kanë ftohtë,
dritaret janë mbyllur.
Në këtë mëngjes të ri,
më zë malli,
asgjë s'pipëtin përreth,
përveç shpendëve,
dasmorë të vonuar.
Ata aq të bukur,
aq të dashur,
këndojnë, fishkëllejnë,
kush e di çfarë thonë?
Mesazhe për nusen
që pret taksinë.
NË ARTIN PA UNAZA
Dy gota me fron
Dorë që pikturon
Dorë që shkruan.
Në heshtje dy gojë,
Dy sy...
Një shpirt binjak flet pa fjalë.
Dy të dehur në artin pa unaza,
betohen përjetë...
HESHTURAZI
Ajo largon shikimin heshturazi,
struket brenda syve prej mallit,
harrohet me një gotë verë...
Dhe sheh si digjen yjet prej zjarrit.
Përgatiti Angela Kosta