BIOGRAFIA E MEHMET GRADICËS
MEHMET GRADICA (1913-1945)
Mehmet Gradica u lind më 1913 në Gradicë të Drenicës, në një familje të ndershme, bujare, mikpritëse e luftarake. Babë Isufi e nënë Fata (bija e Brahim Lutës nga Gllanasella) patën tre fëmijë: Ukën, Mehmetin dhe Shehiden. Djaloshi hafif, me emrin Mehmet, rritej me një shëndet të lakmueshëm.
Në moshën shtatëvjeçare vajti në shkollën e Dobrashecit, ku mësimi zhvillohej në gjuhën serbe. Ishte nxënës i shkëlqyeshëm, por nuk arriti ta përfundojë, sepse e përjashtuan si “kokëfortë” e i “papërshtatshëm”. Dëshira për të vazhduar më tutje nuk iu plotësua për shkaqe ekonomike…
Edhe pse i ri, qëndrimi i tij kishte efekt dhe një ditë përfundoi në burgun e Mitrovicës. Vërtet, që kur kishte ikur nga shërbimi i ushtrisë serbe, ai jetonte në ilegalitet. As prangat e rënda nuk ia shuan idealin liridashës. Një ditë theu derën e qelisë dhe u arratis. Që nga ai moment, armatoset, del në mal dhe nis jetën e komitit. Afër tetë vjet qëndroi në Shqipëri, ku ra në kontakt me atdhetarët: Alush Smajlin, Aziz Zhilivodën, Banush Sadllarin, Rexhep Gjelin etj. Gjatë asaj kohe i mbaroi edhe mësimet e mesme në shkollën e Tiranës.
Kur Gjermania sulmoi Jugosllavinë, më 6 prill 1941, Mehmet Gradica me njëzet e pesë luftëtarë kthehet në Kosovë me gradën e nëntogerit. Ata në fillim vendosen në Samadrexhë të Përmalinës së Vushtrrisë. Pas dy ditësh sulmojnë burgun e Vushtrrisë, ku serboçetnikët po mbanin mbyllur shumë shqiptarë. Dhe, vetëm pas dy ditësh, u shkon në ndihmë artakollasve për sprapsjen e çetnikëve të Kaliçaninit.
Pa humbur kohë hyn në shërbim të Qeverisë Shqiptare si postkomandant xhandarmërie në Mitrovicë, në Podujevë, në Stan Tërg, në Vushtrri, në Skënderaj. Më 1943, duke u bazuar në aftësitë dhe trimëritë e tij të treguara nëpër beteja të ndryshme, përparohet në toger. Emri i tij mori përmasa mitologjike dhe gati për të gjallë u shndërrua në legjendë.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore Mehmet Gradica u tregua hero i vërtetë. Ai, nuk luftoi për grada e për pasuri, por për një bashkim gjithëkombëtar. Ai kurrë nuk i besoi komunizmit, sepse, sipas tij, ai ishte një sllavizëm i rrezikshëm dhe për shqiptarët nuk sillte gjë tjetër veçse kob e fatkeqësi.
Më 1943, bashkë me Ahmet Selacin, formojnë xhandarmërinë dhe grupet e armatosura vullnetare për ta mbrojtur vendin nga harbutëria që rrinte e gatshme në veri të Shalës së Bajgorës.
Më vonë, Mehmet Gradica i hyn një pune të madhe, organizimit të një ushtrie shqiptare, e cila do ta mbronte Kosovën nga komunistët e të gjitha ngjyrave. Ai, disa herë kaloi edhe në Shqipëri për ta penguar këtë fantazmë gllabëruese, që vinte nga Rusia staliniste.
Kur po mbaronte Lufta e Dytë Botërore, dy vigajtë drenicas, Shaban Palluzha dhe Mehmet Gradica, i pari Komandant Suprem i Brigadës e i dyti zëvendës i tij, mblodhën mendjen dhe fuqinë dhe të bërë tok, sfiduan historinë. Pasi u kthyen nga Podujeva, luftuan, qëndruan, përballuan.
Erdhi edhe java e dytë e shkurtit 1945. Komandantët e Luftës së Drenicës, me rreth gjashtëdhjetë luftëtarë, ishin pozicionuar në tri kullat e Dvoranëve, në atë të Hasan Sylës, Hajriz Dvoranit dhe të Zeqir Dvoranit, në Tërstenik. Nga frëngjitë e tyre jehonte kushtrimi: Liri a vdekje! Peter Brajeviqi, komandant i Divizioit 52 të Ushtrisë Jugosllave, po pëlciste nga inati që topat e tij nuk po bënin punë. Sakaq, gjylet e topit, të shënjuar nga syri i një shqipfolësi, shkatërruan kulmin e kullës së trimave. Trarët ranë mbi trupat e tyre. U plagos Shaban Polluzha! U plagos edhe Mehmet Gradica! Një copë e granatës ia kishte këputur këmbën. Por nuk jepej. Ashtu, me këmbën zvarrë, hipur mbi kalë, kapërceu tre rrathë, duke lënë shumë të vrarë e të plagosur. Në afërsi të shkollës së Dobrashecit, u lodh shumë. E pa veten në një pasqyrë dhe i mërzitur tej mase tha: “Heu Mehmet më mirë me të pas hangër qentë, se sa të hangrën komunistët çetnikë serbë”
Edhe në ato momente, ishte 22 shkurti 1945, iu kujtua amaneti i Azem Galicës, që trupin e tij mos ta shihnin serbët as për së vdekuri.
Dhe, shokët besnikë: Isuf Gjilani, Brahim Luta, Rexhep Gjeli e Xhemë Zeqiri, në fshehtësinë më të madhe e varrosen në vreshtat e dajës së tij, Brahim Lutës, në vendin e quajtur Makresh. Njësoj kishin vepruar edhe me Shaban Polluzhën, trupin ia kishin hedhur në lumin Drenica.
Lufta, rezistenca dhe sakrifica e Mehmet Gradices, Shaban Palluzhës e luftëtarëve tjerë çlirimtar të kohës për çlirimin e vendit dhe ribashkimin e trojeve shqiptare ishte shembulli më i mirë se si duhet luftuar e sakrifikuar për komb e atdhe.
Udhët e sakrificës për liri e ribashkim të trojeve shqiptare vazhduan deri në vitet kur u arrit çlirimi përfundimtar i Kosovës dhe pavarësia e saj. Kjo ideologji po vazhdon e do të jetë e gjallë deri në ribashkimin e të gjitha trojeve shqiptare, të ndara padrejtësisht e të aneksuara nga vendet tjera okupuese të tyre...
Nga Enciklopedia e Krerëve të lëvizjes së armatosur për çlirimin dhe ribashkimin e trojeve shqiptare”