MISHEL DHE ËNDRRA E SAJ SI PRINCESHË
- PËRRALLË -
1. LIBRI MAGJIK
Na ishte njëherë një vajzë shumë e varfër e cila quhej Mishel.
Ajo dhe prindërit e saj jetonin në një shtëpi pothuajse pa çati, dhe shpesh në dollap nuk kishte asgjë për të ngrënë.
Një ditë, Mishel gjeti një libër nën tokë.
Në mbrëmje mamaja e thirri për të ngrënë pak supë. Pasi mbaroi të hante, Mishel vrapoi menjëherë në dhomën e saj, duke pritur që mamaja t’i lexonte një përrallë nga libri që kishte gjetur dhe që i kishte treguar.
Libri i pëlqeu tej mase, sepse fliste për një princeshë të vogël. Teksa dëgjonte përrallën, në fund e zuri gjumi… dhe pa një ëndërr të mrekullueshme: edhe ajo ishte bërë princeshë.

2. MISHEL SI PRINCESHË
Fare papritur, ajo ëndërr u bë realitet.
Gjatë natës, libri u hap dhe shpërndau një dritë shumë të fortë përpara Mishelës, e cila u përthith menjëherë nga faqet e përrallës.
Të nesërmen në mëngjes, kur u zgjua, ajo vuri re se ndodhej me të vërtetë në një kështjellë.
Në çast dëgjoi një trokitje në derë:
- Tok tok!
- Hyr, - foli e habitur teksa shihte dhomën e saj të re.
Pa të hynte një shërbyes, i cili pasi e përshëndeti, e pyeti çfarë dëshironte të hante për mëngjes. Kur kuptoi që nuk ishte një ëndërr, Mishel u ndje vajza më e lumtur në botë.
Pa mamanë e saj si një mbretëreshë dhe babain si një mbret. E kuptoi se tashmë edhe ajo ishte bërë një princeshë e bukur, me një fustan ngjyrë rozë plot shkëlqim dhe dy fjongo të mëdhaja.
Të gjithë e shikonin me admirim, ashtu sikurse vështronin edhe mamanë me fustanin e saj ngjyrë blu, si dhe babain të veshur me kostumin mbretëror.
Në kështjellë kishte gjithashtu edhe kalorës me kuaj të bardhë e shumë ushtarë.
Një ditë, Mishel vendosi të shkonte në qytet, pasi nuk i kujtohej se si kishte qenë jeta e saj më parë. Duke parë rreth e qark, githçka i dukej e çuditshme.
Dikur, ajo vetë, kishte qenë pikërisht si ata njerëz të varfër që jetonin një jetë fare të thjeshtë e jo të pasur si jetonte ajo tani.
3. DITA E DITËLINDJES
Mishel ishte shumë e lumtur: të nesërmen ishte ditëlindja e saj.
Po atë ditë zbuloi një surprizë të madhe: pas disa muajsh, do të kishte edhe një motër të vogël. Ajo hidhej përpjetë nga gëzimi, duke imagjinuar se si do të ishte motra e saj.
Pasdite mbërritën miq dhe të afërm me dhurata të bukura, të cilat me padurim ajo i hapi një e nga një. Të gjithë së bashku festuan me shumë hare: torta ishte me tre kate dhe shumë e shijshme.
4. SHOQET E MISHELËS
Pasi i përshëndeti të gjithë, Mishel shkoi të flinte në shtratin e saj të ri, në kështjellën mbretërore.
Të nesërmen në mëngjes, doli për një shëtitje. Duke ecur, gjeti shumë fëmijë moshatarë që po luanin dhe kërcenin.
Mishel i pyeti nëse mund të bashkohej me ta, dhe që nga ai moment u bënë shokë të ngushtë.
Luanin dhe argëtoheshin aq shumë, saqë orët kalonin pa u ndjerë.
Shoqet e saj më të ngushta ishin Luçia dhe Valeria, por ajo kishte edhe shumë miq të tjerë, djem e vajza, të cilët i mësuan shumë mirë edhe të vallëzonte.
5. VALLËZIMI NË TEATËR
Pas disa kohësh, Mishel dhe miqtë e saj u shfaqën në teatrin më të famshëm të vendit, përpara një numri të madh spektatorësh. Duartrokitjet e pafundme i bënë të ndiheshin të lumtur dhe krenarë.
Një ditë, në agim, ëndrra e bukur e vajzës me emrin Mishel përfundoi… por ajo ëndërr,do të mbetej në zemrën e saj përgjithmonë.
Përgatiti për publikim Angela Kosta
