POEZIA I BASHKON POPUJT DHE KOHA DO TË VENDOSË TË VËRTETËN
-Intervistë me poetin Eduart Veli
Rifat Ismaili: Cilat libra keni lexuar në fëmijëri dhe në rininë tuaj të hershme, dhe cili ka qenë ndikimi i tyre në formimin tuaj si krijues?
Eduart Veli: Miku im Rifat, që i vogël kam pasur dëshirë të këndoj një realitet që më vonë u bë pjesë e jetës sime, por edhe të lexoj.
Im atë ishte bari, por me një etje të madhe për librin. Në trastën e tij, krahas misërnikes së fortë si guri, kishte përherë një libër. Kur linda unë, ai po lexonte romanin Princi Eduard, ku një princ me emrin Eduard bie në dashuri me një princeshë të quajtur Gjenovefa. Në fund të librit, të dy vdesin. Babai i kishte thënë nënës: “Nëse lind djalë, do ta quajmë Eduard; nëse lind vajzë, Gjenovefa.”
Unë linda djalë dhe trashëgova emrin e princit, por jo me “d” në fund, sepse konsiderohej emër i huaj, ndaj mbeti Eduart. Kam edhe një motër me emrin Gjenovefa, pesë vjet më të vogël se unë.
Babai ishte i abonuar në bibliotekën e Konispolit, ku punonte një burrë shumë i ditur, Izet Izeti. Me 250 lekë të vjetra në muaj merrnim librat e rinj, të cilët na i sillte postieri në shtëpi.
Kështu fillova edhe unë të lexoja që në klasën e katërt. Libri i parë që lexova ishte Kushëriri Pons i Honoré de Balzac, rreth 250 faqe, të cilin e lexova me foti (kandil me vajguri). Nuk kishim drita atëherë, por e mbarova deri në mëngjes.
Më pas erdhën me radhë Hija e Kuadilos, romani Nëna i Maxim Gorky, si dhe disa romane të Jack London. Lexova gjithashtu Lumi i vdekur dhe Juga e bardhë të Jakov Xoxës, romanet Përsëri në këmbë dhe Tuneli të Dhimitër Xhuvanit, ky i fundit u hoq më vonë nga qarkullimi.
Nga Ismail Kadare lexova disa romane si Dasma, Nëntori i një kryeqyteti, Kështjella, Shqiponjat fluturojnë lart dhe Dimri i madh (që më parë titullohej “Dimri i vetmisë së madhe”).
Lexova shumë poema dhe romane të Dritëro Agollit, ndër të cilat Njeriu me top dhe Nënë Shqipëri. Nga Shefqet Musaraj më kanë mbetur veçanërisht në mendje Agimi dhe Epopeja e Ballit Kombëtar.
Kam lexuar gjithashtu libra të Teodor Laços, Mihallaq Qillerit dhe Teodor Kekos, si Jetë dhe dashuri dhe Gjurmë në kohë, përveç dhjetëra librave të tjerë shqiptarë dhe të huaj.
Pak më i rritur, më ra në dorë romani Tradhëtia i Kapllan Resulit, të cilin pata fatin ta njihja dhe të pija kafe me të në vitin 1983, në Divjakë të Lushnjës.
Nga daja im mora librin I fundmi i Mohikanëve të James Fenimore
Cooper , një vepër e jashtëzakonshme që e lexova për një natë.
Çfarëdo libri që kishte biblioteka e shkollës, unë e kisha lexuar me një etje të paparë, aq sa nëna më thoshte: “Mos lexo më, se do të prishen sytë!”
Kur u rrita pak, fillova të kërkoja edhe libra të ndaluar, të quajtur atëherë “libra të verdhë”. Na i sillnin nga Saranda, i lexonim dhe i kthenim në kohë te prurësi, pothuajse në ilegalitet.
Rifat Ismaili: Zoti Eduart, cila ishte shtysa që ju bëri të shkruanit krijimin tuaj të parë, e më pas krijimet e tjera? Çfarë përjetuat në atë krijim të parë?
Eduart Veli: Isha në klasën e pestë kur fillova të mbaja një ditar në një fletore me 64 faqe. Aty shkruaja skica të ndryshme; njëra prej tyre tregonte për një kec që lindi para kohe. E mbaja pranë vatrës, afër zjarrit, ndërsa nëna e ushqente me qumësht. Fatkeqësisht nuk përballoi dot jetën. Kjo më trishtoi pa masë dhe më shtyu të shkruaja për të.
Skicën ia lexova një shokut tim që më vizitonte shpesh. Të nesërmen ai i tha mësuesit:
- Me leje, shoku mësues!
- Po, iu përgjigj ai.
- Eduarti mban ditar dhe shkruan. E ka këtu ditarin.
- Ma jep, më tha mësuesi.
Ai e lexoi në heshtje atë që kisha shkruar dhe, pas disa minutash, më nxori para klasës. Me sytë e mbushur me lot më tha:
Fëmijë, ky djalë do të bëhet shkrimtar.
-Të lumtë, Arti! Vazhdo të shkruash, sepse një ditë do të botosh librat e tu.
Njohja me gazetarin Ilmi Jupe, kryeredaktor i gazetës Fitorja në Sarandë, më nxiti më vonë, kur isha 15-16 vjeç, të shkruaja herë pas here në gazetë.
Në vitin e parë të shkollës së mesme u organizua një konkurs letrar. Mësues i letërsisë ishte poeti dhe shkrimtari Pajtim Çaushi. Fitova çmimin e parë. Ma dorëzuan para gjithë shkollës, përpara rreth 500 nxënësve që më duartrokitën. Mora një certifikatë dhe veprën e 19-të të Enver Hoxhës.
Kaq mjaftoi që të merrja nxitjen e duhur. Në vitin e dytë të shkollës së mesme, në vitin 1977, u zhvillua një konkurs mes shkollave të jugut deri në Fier. Edhe aty u nderova me çmimin e parë me një tufë poezish të titulluar Frymëzime djaloshare.
I ndihmuar nga gazetari Ilmi Jupe, në vitin 1978 botova librin Ne bijtë e Shqipes, i cili u shtyp në shtypshkronjën e Sarandës me një tirazh fillestar prej 200 kopjesh dhe u shpërnda në të gjitha shkollat e rrethit. Më vonë u ribotua.
Nisma për këtë libër lidhej me kujtimin e xhaxhait tim dëshmor, i cili u vra gjatë rezistencës 55-ditore të Konispolit në moshën 22-vjeçare.
Vargjet e para të librit ishin:
“Ne, bijtë e Shqipes, ngjiteshim pyjeve,
Me pushkën në krahë, që ngatërrohej me yjet!”
Libri u prit mirë nga lexuesit dhe, që prej asaj kohe, u bëra pjesë e shumë paneleve dhe veprimtarive të krijuesve në rreth.
Rifat Ismaili: Pas suksesit të parë me botimin e vëllimit poetik në vitin 1978, përse pasuan kaq shumë vite heshtjeje? Pas viteve ’90, a keni shkruar përsëri?
Eduart Veli: Më pas erdhi një pauzë e gjatë, edhe për shkak të peripecive që kalova derisa fitova të drejtën e studimit , ngjarje për të cilat nuk mjaftojnë as letra e as boja për t’i përshkruar. Megjithatë, librin nuk e lashë kurrë; ai mbeti shoku im më i mirë. Kam lexuar mijëra libra dhe kam shkruar mijëra vargje, por fatkeqësisht një ditë nuk i gjeta më fletoret e trasha ku kisha hedhur me aq përkushtim krijimet e mia. Ende sot nuk dihet kush i mori, përse dhe ku përfunduan.
Madje shkova edhe në polici, por nuk mora asnjë përgjigje konkrete, vetëm fjalë boshe. Kjo më tronditi thellë psikologjikisht, sepse të njëjtin krijim nuk mund ta shkruash dy herë.
Ndërkohë kisha nisur punë si ekonomist në fshatin Shalës, ku edhe banoja. Ishte një punë e vështirë, që nuk të linte kohë për të shkruar. Duhej të mbaja dhjetëra ditarë dhe libra llogarish me dorë, pa mjetet që ekzistojnë sot. Shpesh punoja edhe natën për të përmbushur detyrat, sepse ngarkesa ishte e madhe. Megjithatë, dëshira për të shkruar më gëlonte në gjak.
Pas viteve ’90 u vendosa në Ksamil. Në një fletore të trashë kisha përmbledhur rreth 130 poezi me titullin Mos ma ndalni dritën. Dikush më sugjeroi një person që të merrej me redaktimin dhe t’i hidhte poezitë në kompjuter, atëherë kompjuterët sapo kishin filluar të përdoreshin. Ai më priti, më premtoi shumë dhe unë ia besova dorëshkrimin.
Por më pas nisi të më shmangej. Pas një viti më tha, me një qetësi të habitshme: “M’i kanë vjedhur në zyrë!” Çfarë mund të bëja? Të shkoja sërish në polici? Çfarë do të fitoja?
U lëndova thellë shpirtërisht. Edhe kopja që kisha mbajtur në shtëpi, e shkruar me dorë, nuk u gjend për një kohë të gjatë; kur u gjet pas rreth një viti, ishte dëmtuar nga lagështira dhe nuk lexohej më.
Kjo është arsyeja pse ekziston një boshllëk i madh në kohën e botimeve të mia, një heshtje e detyruar, por jo një ndarje nga letërsia.
Rifat Ismaili: Përse pikërisht në vitin 2019 dolët me librin Planeti i dashurisë? A jua riktheu ky libër besimin për të vazhduar më tej?
Eduart Veli: “Planeti i dashurisë” është libri im i dytë. Titulli vjen si një simbiozë e dashurisë sime për jetën, përpjekjeve dhe përkushtimit tim ndër vite, por edhe si një shenjë mirënjohjeje për të gjithë ata që më kanë qëndruar pranë dhe më kanë mbështetur.
Së pari, babai im, i cili më futi në rrugën e librit dhe më mësoi ta dua leximin. Së dyti, motra ime e madhe, Manushaqja, që më ka nxitur vazhdimisht të shkruaj. Dhe mbi të gjitha, bashkëshortja ime, Ferasetja, e cila nuk ka reshtur kurrë së më dhëni kurajë. “Lër emrin tënd!” , më ka thënë gjithmonë.
Edhe katër vajzat e mia, si një kuartet i bukur, më kanë përsëritur vetëm këto fjalë: “Mos u ndal kurrë, o ba!”
Kjo është, pak a shumë, e vërteta, miku dhe vëllai im Rifat. Ne poetët nuk mund të jetojmë pa poezinë dhe pa librin, ato janë fryma jonë.
Rifat Ismaili: Keni marrë pjesë në aktivitete Kombëtare dhe Ndërkombëtare?Nese po, si jeni ndjere dhe ppezia juaj i perligjet edhe kompeticionit?
Eduart Veli; Në aktivitete kombëtare kam marrë pjesë që në vitin 1976, në një veprimtari të shkollave të mesme në qytetin e Fierit, ku u paraqita me një cikël poezish të titulluar “Frymëzim djaloshar”. Aty u nderova me çmimin e parë, një vlerësim që ndikoi shumë pozitivisht në formësimin tim si krijues.
Në vitet 2023, 2024 dhe 2025 mora pjesë në festivalin “Jehona Shqiptare”, me presidente nderi artisten e madhe Margarita Xhepa dhe me drejtuese të grupit zonjën e nderuar Zamira Mira Korançe. Zonja Margarita Xhepa ishte e pranishme në edicionet e viteve 2023 dhe 2024; në vitin 2025 ajo nuk ishte më mes nesh, pasi ishte ndarë nga jeta, duke shkuar në përjetësi.
Në vitin 2023 u vlerësova me çmimin e dytë për poezinë “Ku po shkon kjo botë?”. Një moment që më ka lënë mbresa të veçanta ishte recitimi i poezisë “Kur ti buzëqesh”, dedikuar shoqes sime të jetës. E interpretova me aq ndjenjë, sa e gjithë salla , rreth 100 poetë , u ngrit në këmbë dhe më duartrokiti gjatë.
Artistja e Popullit, Margarita Xhepa, u ngjit në skenë, më përqafoi dhe më tha: “Eduart Veli, ju jeni jo vetëm një poet i talentuar, por edhe një recitues i shkëlqyer. Mund të ishit bërë aktor!” Sot ajo nuk është më, por fjalët e saj vazhdojnë të jehojnë në veshët e mi.
Në vitin 2024 u nderova me çmimin e parë për poezinë “Përse ike, Kelush?”, ndërsa në vitin 2025 fitova dy çmime të para: me poezinë lirike “Ti” dhe me poezinë “Mes ëngjëjve që shpirtin na copëtuan”.
Kam marrë pjesë gjithashtu në dy antologji të organizuara nga gazetari Pëllumbi Troci, ku edhe pse nuk u vlerësova me çmime, pjesëmarrja ishte një përvojë e çmuar.
Në vitin 2021 mora pjesë në një takim ndërkombëtar në Romë, Itali, të organizuar nga grupi poetik “Unioni Botëror i Poetëve”, me president z. Silvano Bertolazzi, ku morën pjesë rreth 300 poetë nga e gjithë bota. Aty m’u akordua medalja e artë “Senator i Unionit Botëror të Poezisë”, si edhe një shpërblim prej 500 eurosh. Ishte një aktivitet madhështor, ndonëse sot ky grup pothuajse është shpërbërë.
Kam qenë pjesë edhe e dy antologjive të ideuara nga poeti brilant Rifat Ismaili, në vitet 2024 dhe 2025: me katër poezi në vitin 2024 dhe me dy poezi në vitin 2025 – një përvojë që më ka lënë mbresa të pashlyeshme.
Kam marrë ftesa edhe nga unione të tjera poetësh, por për arsye pune nuk kam mundur të marr pjesë. Megjithatë, kudo që kam qenë, kam marrë me vete një mesazh të vetëm:
“Poezia i bashkon popujt.”
Rifat Ismaili; Si e shihni letërsinë shqipe të djeshme dhe të sotme? Pse mendohet se dje ishte më mirë se sot?
Eduart Veli: Realisht mendoj se poetët e Rilindjes Kombëtare na duken më të mëdhenj sepse jetuan në një kohë sfidash të mëdha për vendin. Letërsia e tyre ishte më shumë se art , ishte një thirrje për ndërgjegjësim kombëtar dhe për dashurinë ndaj gjuhës shqipe. Koha dhe misioni që mbartnin i bënë të pavdekshëm.
Sa i përket Realizmit Socialist, kam thënë shpesh se jo të gjithë autorët e asaj periudhe ishin aq të mëdhenj sa u paraqitën, përveç disa emrave të spikatur. Njerëzit ishin të etur për të lexuar dhe alternativat ishin të pakta. Po të kishte pasur më shumë liri krijuese dhe mundësi botimi për të gjithë, ndoshta sot do të kishim një tablo tjetër letrare dhe disa emra nuk do të njiheshin fare.
Sot letërsia shqipe është më e lirë dhe më e larmishme. Ka shumë zëra dhe më shumë mundësi për të botuar, por është koha ajo që do të bëjë përzgjedhjen dhe do të tregojë se cilët autorë do të mbeten.
Prandaj, kur themi se “dje ishte më mirë se sot”, shpesh ndikohemi nga distanca e kohës, e cila ka veçuar më të mirët. Çdo epokë ka vlerat e saj, dhe unë besoj se letërsia jonë do të vazhdojë të rritet duke ruajtur traditën dhe duke u hapur ndaj së resë.
Rifat Ismaili: A keni shpresë që libri, me gjithë krizën që po përjeton, do ta rimarrë veten? Se njerëzit do të rikthehen sërish te etja e dikurshme për lexim?
Eduart Veli: Koha e sotme ka poetë dhe shkrimtarë brilantë, por duhet pranuar se leximi nuk ka më të njëjtin vend si dikur. Telefoni dhe interneti janë bërë konkurrentë të fuqishëm, duke ia marrë librit një pjesë të madhe të vëmendjes së njerëzve.
Megjithatë, unë besoj se libri do ta rimarrë veten. Etja për lexim nuk shuhet kurrë; ajo thjesht kalon periudha heshtjeje. Njeriu gjithmonë do të ketë nevojë për librin, sepse aty gjen thellësinë, reflektimin dhe ushqimin shpirtëror që nuk ta jep asnjë ekran.
Jam i bindur se kohët do të ndryshojnë dhe se cilësia do të mbizotërojë gjithnjë e më shumë. Koha është filtri më i drejtë: ajo lë në këmbë vetëm krijuesit e vërtetë. Për këtë jam thellësisht i sigurt.
Rifat Ismaili: Cilat janë projektet tuaja të sotme në letërsi? A janë rritur kërkesat dhe synimet tuaja?
Eduart Veli: Planet e mia për të ardhmen janë mjaft konkrete. Sivjet dhe vitin e ardhshëm, titujve të mi do t’u shtohen rreth katër libra: dy me tregime dhe dy me poezi. Është një angazhim që më motivon dhe më bën të punoj me përkushtim edhe më të madh.
Po ashtu, kam në horizont një roman që, pak nga pak, po merr formë. Është një projekt i dashur për mua dhe shpresoj që së shpejti ta sjell para lexuesit.
Për sa më përket, jam optimist dhe besoj se kohët do të ndryshojnë për mirë, si për letërsinë, ashtu edhe për krijuesit e saj.
Intervistoi: Rifat ISMAILI, Savona 17-02- 2026