Vjollca Aliu - poezi

Vjollca Aliu - poezi
NDJENJAT NË PIKTURË

Kur vapa djeg
e dielli përcëllon,
ajo përmbi zenit shkëlqen,
merr dhe fuqi,
bëhet rrezeshpuese,
ndez flakë
atë shpirt plot brishtësi.
Drita e syve zjarr,
rrezedritë i lëshon
fytyrës plot nur,
zjarri e flaka marrin hov,
mbi pëlhurë të bardhë
krijohet një pikturë.
Buzëqeshja derdhet si mjaltë,
e frazat metonimike
s'kanë mbarim,
sa e bukur kjo pikturë,
me shpirtrat prush
e fytyrat plot shkëlqim.
 
SHPIRTBRENGOSUR

E doja dimrin e ftohtë
E borën e bardhë
Si bardhësinë e shpirtit
Të bardhlindjes sime.
Acari më ngrinte
E unë, si fëmija lozonjar
Luaja me atë bardhësi
Që m'i bënte sytë shkëndija.
Por, ja që s'e dua më
As dimrin, as borën
Ngase, bora mbulon trupat e sfilitur
E fëmijët pa strehë
Dimri pamëshirshëm i mërdhinë.
Kur shoh luleborën
S'dua më ta kujtoj dimrin
As ato fytyra të zverdhura
Ata shpirtëra të ngrirë
Të bardhë si dëbora.
Shikoj lulet kah lulëzojnë
E uroj që
E bardha ftohtësi
Të shndërrohet në jetë-gjallëri!