Siyoung Doung – Poezi (Përktheu Angela Kosta)

Siyoung Doung – Poezi (Përktheu Angela Kosta)
POEZI NGA Dr. SIYOUNG DOUNG- KOREJA E JUGUT 
 
Dr. Siyoung Doung është diplomuar në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Koreane në Universitetin Dongguk dhe ka marrë doktoraturën në Gjuhë dhe Letërsi Koreane nga Universiteti Hanyang. Ajo ka zgjeruar më tej studimet e saj akademike në fushën e shkencave humane në Universitetin e Regensburgut në Gjermani. Karriera e saj pedagogjike përfshin pozicione si profesore në Universitetin e Turizmit të Koresë dhe në Universitetin e Financave dhe Ekonomisë të Jilinit në Kinë. Rrugëtimi i saj letrar, filloi në vitin 2003 me debutimin poetik në revistën letrare "Dacheung". Që atëherë, ajo ka botuar një sërë përmbledhjesh poetike, përfshirë: "Gjuetia e së Ardhmes", "Në Kërkim të një Zoti të Panjohur", "Telefonata nga Zoti", "Sytë e Nëntorit", "Karnavalja e Kohës" (Antologji), "Ishte Ti, Isha Unë, apo Ishte Malli?", "Aroma e Sekreteve", "Aria e Jetës së Përditshme", "Lumi që Rrjedh Nën Penë", "Letrat Magjike" dhe "Horizonti Nuk Laget Kurrë". Përveç poezisë, Doung ka kontribuar ndjeshëm në kërkimin letrar me vepra, si: "Poezia e Roh Cheon-myung dhe Semiotika", "Letërsia Koreane dhe Semiotika", dhe "Semiotika e Poezisë Moderne". Ajo ka zgjeruar eksplorimin e saj letrar edhe në shkrimet e udhëtimit, me përmbledhje esesh, si: "Takimi me Kulturën përmes Udhëtimit" dhe "Takimi me Udhëtimin përmes Letërsisë". Ekselenca e saj letrare është vlerësuar me një sërë çmimesh prestigjioze, përfshirë: Çmimin Letrar Park Hwa-mok (2010), Çmimin Poeti i Ri – Poezia dhe Poetika (2011), Çmimin e Madh në Çmimet Letrare Budiste Koreane (2018), Çmimin Letrar Dongguk – edicioni i 32-të (2019), Çmimin Letrar Yeongrang për Kritikë (2020), dhe Çmimin Letrar Woltan Park Jong-Hwa nga Shoqata e Shkrimtarëve të Koresë (2021). Së fundi, në vitin 2024, Dr Siyoung mori Çmimin për Veprën Rinore Letrare. Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e saj në letërsi, ajo ka qenë edhe përfituese e një granti krijues nga Këshilli i Arteve i Koresë në vitin 2005. Dr. Doung është aktualisht Presidente e Shoqatës Koreane të Letërsisë Botërore dhe jeton në Seul me bashkëshortin e saj, ish-profesor universitar.
 
TRISHTILI I KALTËR 
 
Në mal, ku zhurmon heshtja,  
bletët gumëzhijnë, zogjtë e egër, mushkonjat,  
është shteg që fluturon gjysëm në ajër, 
apo kumbimi i tingujve të zileve?
 
Hieroglifi i lashtë, një grusht shkëmbinjsh,  
teksa hapin derën me kërcitje dhe psherëtijnë,  
një ketër në vrimën e një miu rrëshqet
(ndoshta shtëpiza e tij)
pastaj nxiton, tej duke u kacavirrur.
 
Në vetminë e gjithë malit, 
përmes ndalesave të monologut tim,  
një trishtil, fluturimin ndal
për të më folur... pastaj... zhduket.
 
Përktheu: Angela Kosta gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese ndërkombëtare