Anna Keiko - Cikël poetik (Përktheu Angela Kosta)

Anna Keiko - Cikël poetik (Përktheu Angela Kosta)
CIKËL POETIK NGA ANNA KEIKO - SHAINGHAI

Përktheu: Angela Kosta

Sot sjellim për lexuesit poezi nga poetesha Anna Keiko, artiste ndërkombëtare nga Kina.
Presidente, themeluese dhe kryeredaktore e Shoqatës dhe revistës ACC "Huifeng International Literary Society", (Shangai), Keiko është promovuese botërore e poezisë, Ambasadore ndërkombëtare e paqes, fituese e çmimit për kontribute të shkëlqyera.
Keiko ka botuar 12 libra me poezi në shumë shtete të huaja. Poezitë e saj janë përkthyer në më shumë se 30 gjuhë dhe janë botuar në më shumë se 50 vende. Shpesh është ftuar të marrë pjesë në festivalet ndërkombëtare të poezisë në shumë vende të ndryshme të botës. Në vitin 2020, Anna Keiko u propozua si kandidate për çmimin Nobel.

1. UDHËTIM I LARGËT

Ti je një peshk
Teksa lodron nëpër ujërat e turbullta,
Duke u rrotulluar mes dallgëve zhurmuese.
Kurrë nuk ndalesh nga baticat e furishme,
As vonohesh për t’u zbavitur
në pellgun e pranverës.

Përkundrazi, përpiqesh drejt detit të qetë,
Duke u përkushtuar çdo çast me përpjekje,
Që deti të pastrojë gjithçka që është ndotur.

2. FERMA E SHPIRTIT TIM

Sikur të isha pronarja i një fushe pjellore me qira,
Apo e një kasolleje prej kashte
Që mbron nga i ftohti dhe i nxehti,
Përse të ngujohem në toka çeliku dhe betoni?
Shtëpitë mund të maten,
Të gjera apo të rregullta,
Por zemrat humane fshehin thellësi
Ku askush nuk mund të shtiret.

Lulet e egra e parfumojnë shtegun
Me hijeshinë e natyrës,
Edhe pse rrugë e çati të panumërta
Mund të na mbushin shikimin,
Kur zemra kërkon dritë,
Çdo hapësirë shndërrohet në horizont të shndritshëm
Ndërsa llambat fytyrat ndriçojnë
Pushteti udhëheq, atë çka e drejtë është.

Jam vonuar së koti në ditët vezulluese,
E njollosur nga batica e gjerë
Dhe e pandalur e kësaj epoke.

Shpirti im banon në një fushë të vetmuar,
Teksa ruan zbrazëtinë e egër nga çdo anë,
Vetëm me një kungull e pije,
Një vakt i thjeshtë,
I mjaftueshëm ta bëjë reale
dritën e diellit të brendshëm.

3. VESA MBI GUR

Me këmbëngulje, ajo
Bën që lulet të çelin në shkretëtirë.
Disa e quajnë dhuratë nga qielli,
Disa e quajnë fat.
Disa thonë:
Ata nuk dinë...

Çdo natë, qepallat hapur me të dyja duart mban,
Për të kapur grimcat, pikëzat e padukshme,
Dhe në tokën e thatë e të thellë i derdh,
Pastaj, pikëz pas pikëze, depërtojnë poshtë,
Derisa toka të bëhet e lagësht,
Derisa gjelbërimi nga guri të mbijë.

4. MOSHA E MESME

Mosha e mesme i trembet më shumë natës,
Shpirti mbetet pezull nga gjumi që ikën,
fyti bëhet ngërç, pa frymë, askush përreth.

Duke parë nga qielli, duke u përkulur nga toka,
Përtej gjashtëdhjetë e katër heksagrameve
Gjendet një bosht i fshehtë:
Jetoj në një skenë të kozmosit,
Rrethuar nga gjarpërinj, akrepa e demonë.

Ndonjëherë, në ëndrra të përmbysura,
Përpiqem diçka të kap,
Vetëm për t’u zgjuar e për të gjetur tri vakte,
Bosh dhe realë.
Një fletë letre fsheh dendësi të pathëna,
jeta s’është veçse një kokrrizë pluhuri që kalon

Në anën tjetër të frymës,
Atje ku turma mblidhet,
Duke biseduar, duke kujtuar,
Nëpër rrugë, nëpër kalldrëme, në kryqëzime.
Disa kërkojnë idealet e tyre,
Disa shtrëngojnë shishen bosh të verës,
Me vete duke murmuritur.

Shënim: “Duke parë nga qielli, duke u përkulur nga toka, gjashtëdhjetë e katër heksagramet” i referohet I Ching (Libri i Ndryshimeve).

5. UNË VETË JAM KUPTIMI

Para se të gjej një kuptim përfundimtar,
Unë vetë e kuptoj
Që të gjitha membranat dhe përmbushjet e tjera
Nuk janë aspak ato që më duhen.

Ndjek rrugën e asaj çka s’ka formë e s’flet,
Ky është kuptimi dhe udhërrëfyesi im në veprim.

S’ka nevojë të përmendet emri apo vendi,
E megjithatë, si hije më përndjek.

6. MOS JI KURRË I PËRKUFIZUAR

Ti je mrekullia e vetes,
Mbrëmë mora një biletë për Sallën e Arteve,
E pa gjumë gjithë natën.
Ky nuk është një dhurim hyjnor,
Por ti, e papërkulur
Të zbulohesh, të kuptohesh.

Në udhëtimin tënd të mëparshëm
Shprehe gjuhën e fshehur në gjakun tënd.
Në ditët që do të vijnë,
Kush mund ta parashikojë ndalesën tënde të radhës?
Mos ji kurrë i përkufizuar,
Edhe pse zemra jote
Gjithmonë një rreze drite ndjek,
Sepse ndoshta e mjegullt është,
E ti dëshiron
Të kthjellët ta shohësh.

7. DASHURISË SIME

Shkruaj për ty dashuria ime
Sepse shumë personazhe
Ke lënë në faqet e jetës sime,
Që të tjerët nuk munden t’i kuptojnë.

Sepse stilolapsi është një ingranazh i kohës,
Teksa në ajër shkruan,
Duke kaluar përmes frymës sime,
Në çdo skaj duke depërtuar.

8. E VËRTETA

Ti qesh ndërsa shpirti varet dhe goditet.
E meriton të goditesh, e meriton vdekjen,
E meriton të bullizohesh,
Sepse nuk ke lindur
Me një brez mëndafshi të lidhur rreth belit.
Pa çadër, në ditët me rrebesh,
Je i destinuar të përmbytesh nga shiu.

Duke mbajtur shpirtin tënd qull,
Të vërtetën kërkon.
Çfarë sheh?
Trupa bosh që enden nëpër rrugë.

9. TAKIM ME VETVETEN

Një derë e panjohur,
Ti hyn brenda,
Atje ku nata ende nuk ka rënë.
Brenda saj vetveten takon.

Ecën përgjatë një shtegu
Të pjerrët e të përdredhur malor,
Asnjë lule në horizont,
As ndonjë udhë që të çon në bregun tjetër.
Me tela gjembash
Një gjuhë të papërshkrueshme, thur...

10. ARTI

Me etjen e vetmisë, shkrumbojnë horizontin,
Me duar dhimbjeje,
Njollosin muret e indiferencës.
Kanë nevojë të jetojnë,
Nevojë mes ngjyrave të psherëtijnë.

11. JETA

Si ta fshehësh vuajtjen
Dhe të shkruash fjalën “jetë” mes luleve,
Për t’iu shmangur frikërave të natës së thellë,
Atje ku lotët bëhen aromë
Dhe jastekët mbushen me erë të ëmbël,
Të shqiptosh fjalë që askush nuk i dëgjon.
Nuk është mister:
Disa fjalë
Nuk ishin menduar kurrë për faqet e historisë.

12. BANESA E SHPIRTIT

Banesa e shpirtit tim
Dritaret e saj të pafund përtej poezisë hap,
Deri aty ku shikimi nuk mund të depërtojë.
Përtej dyerve edhe më fisnike
Duhet të ketë dhoma të panumërta,
Si një atdhe misterioz.
Vizitorët e saj i ngjajnë butësisë së verës,
Megjithatë, kur zgjas dorën time të vogël,
Të gjitha dyert e mbyllura, ndesh...