Bukra Hysenukaj Kastrati - NJI NATË NDËR VORRE (tregim)

Bukra Hysenukaj Kastrati - NJI NATË NDËR VORRE (tregim)
NJI NATË NDËR VORRE
 
Duhet t'jem kanë 10 ose 11 vjeç. Ishte koha kur resojshin (lulojshin) kshtajt. Qershor ndoshta. Janë dy-tri javët ma t'lakmueme për bletart. Për hir të faktit se n'Gashë ndodhet nji prej kashnjeteve ma masiv n'rajon, jam rrit në nji shpi ku mjalti i kshtajs nxirrej me kuintal. Bletët ishin gjithmonë t'miqve t'babs. At sene, prunë aq shumë bletë, sa baçja jonë si nxuni, e vendosën me i lanë n'at që n'katund tonin e njohim si kodra e vorreve. Jo ma shumw se 250 metër prej shpie. Aty janë vorret shekullore t'vllaznisë tonë. Megjithëse nuk kishim asnji detyrim për sigurinë e bletve, babën e zuni maraki. "Duhen ruejt se koritem me na i vjedhë kush bletët n'derë t'shpisë" tha, dhe sajoi nji strehë me dushk kshtaje e poshtë saj nji shtrat t'ngritun shumë prej toke, bash n'kodrën e rrethueme prej vorreve. Nuk e besova se e ka seriozisht, derisa sa at natë muer teshat shtret e u nis pak mas darke për te vorret. Edhe pse isha fmij i guximshëm, vorreve iu tutsha fort. Kisha ndigjue se t'dekunit çohen natën. Pata frigë për babën e ju ndova mbrapa. Nuk mu desht me ju lut shumë, e pranoi me m'marrë me veti. "Vetëm sonte" tha. Hana at natë ish e zbehtë e qetsia e frigshme. Ndigjohej vetëm kanga e nji turreci. Sa ramë n'shtrat, babën e zuni gjumi. E kuptova prej frymëmarrjes ndryshe e aty m'kaploi tuta. Po dridhesha. Bana llogaritë me veti. Me u struk te baba, rrezikoheshim të dy. Po rri ulë n'shtrat e baj roje. Jo bletve, po vorreve. Vorri ma i ri, për fat ish i ma t'vjetrit t'katundit. Xhok i thanshim (shkurtim i mixhokit).  Burrë i urtë e i meçëm. E kam dasht shumë. I kish shkollue tan fmijtë e tij, djelt e sidomos çikat, e veç nja prej tyne jetonte n’katund. Kish pak muej që kish dek, e natyrshëm v’mendjen ma merrte ma shumë vorri i tij. Dikur edhe turreci fjet. Heshtja u ba edhe ma e frigshme. Filloi nji erë e lehtë. Isha me sytë bash te vorri i Xhokit, kur nji masë e bardhë fluturoi prej te kryet e tij. U çue Xhoki…! Diqa, u bana për vorr. E luejta babën, po baba s'lujti. I përmysa llogaritë e hershme e u futa e tmerrueme n’gji t'babs. Nuk di kur mund t’kem fjetë. N'nadje ndiej zanin e nans ka thrret prej te shpia. Baba ish çue herët i kish ardhë gjynah me m'çue, ç'ka nans s'i ardhke kurrë. U çova. U kfjella. Sytë prap te vorri. Msyna prej tij me vrap. Asgja s'kish luejt. Pash kah fluturoi "fantazma" natën. Sytë m'zunë diçka t'bardhë te ara ngjit me vorre. Kapërceva gardhin. Çka me pa! Nji kunorë e bame me nji masë kartoni t'bardhë ku shkruhej nji dedikim prej fmijve t'Xhokit që jetojshin n'qytet, e që nji ditë ma parë i ishin kanë te vorri. Çfarë lehtsimi!  Aty ja bana vorrin edhe frigs teme t'vetme, n'at kohë...se sa ma shumë rritesh aq ma fort tutesh...