Kristaq Turtulli - Rrëfen përgjuesi i dosjes blu (pjesa parë)

Kristaq Turtulli - Rrëfen përgjuesi i dosjes blu (pjesa parë)
RRËFEN PËRGJUESI I DOSJES BLU
 
1
 
Pano Vorbulla për mua ish një bashkëqytetar i qytetit juglindor. Kisha vite pa e parë, ndaj u habita kur më doli përpara me hundën e madhe, vetullat e trasha, korb të zeza dhe, me hap si truc në tendosje.
Pano Vorbulla shiu buzët me shpinën e dorës dhe tha:
-Prindërit e mi zbritëm në qytet nga fshatrat e thella të Oparit.- tha:- Babai bleu tokë dhe ndërtoi shtëpi rrëzë kodrave të Buçimës. Përfundova dy vjeçarin e profilizuar dhe më caktuan të punoja në fshat. Prindërit vdiqën herët. Mbas disa vite pune në fshatrat e fushës, më caktuan ekonomist në ndërmarrjen e grumbullimit. Jeta rridhte në monotoni; shtëpi, punë, gjumë. Rrallë ndonjë kafe me shokët në lokalin e Takut dhe rrallë birrë, vetëm kur vapa zhuriste dhe gjuha thahej.
S’ka laraskë pa bisht dhe s’ka burrë që të mos ngjitet pas një femre. Lorenën e njoha rastësisht në mbrëmje vallëzimi. Trupi i saj i butë, i bëshëm, erë të këndshme, mu ngjit mbas trupit, më ndezi. Kërcyem gjithë natën së bashku. Kur e përcolla në shtëpi ishte ftohtë, mes dhjetori dhe ne bëmë seks të zjarrtë në shkallët e pista të pallatit. Mu tipos në mëndje se Lorena qe femra më e ngrohtë në botë. U martuam, por Lorena ishte e shtënë pas prindërve të saj pleq dhe më së shumti pasditen e kalonte me ta. Kur kthehej në shtëpi më dukej e fryrë prej mllefit dhe fillonte grindej për një fletë presh. S’ i ktheja përgjigje, merresha me macen qimebardhë, Pisika. Macja shtriqej kur i kruaja kokën, rrëzë veshit.
 Lorena qëlloi barkthatë, s’më dhuroi fëmijë, por prindërit e saj dhe armata e krushkave ma hidhnin mua fajin për mos mbarsjen e gruas. Hëm, kur vetë Lorena më kishte thënë, në vogëli kish vuajtur nga sëmundja e lisë së verdhë. Nuk ishte vetëm kjo, ta themi midis nesh, gruaja më tradhtonte fshehtazi me Viktorin, shefin e kuadrit. Këtë ma shtiu në vesh Takja shitësi i karameleve, i cili si me shaka, më tha; ‘Lorena jote hutohet shpesh, ngatërron rrugën e shtëpisë tuaj me rrugën që shpie në shtëpinë e Viktorit.E pashë Taken me inat dhe i bërtita:
‘Take, shkërdhatë muti, do mbyllësh halen apo të bëj hundët përshesh.’
Ai u zgërdhi, e dinte mirë, nuk isha nga ata që bëja hundët përshesh.
Dyshoja edhe më parë në pabesinë e Lorenës. E përgjova dhe e zbulova, shtëpia e Viktorit ishte strofull seksi e saj. Kafshova buzën dhe u drodha nga marazi. Lorena e kërkonte me ngulm hakmarrjen, mbarsjen. Viktori qe feminist i madh dhe beqar i stacionuar. Vite më parë e akuzuan për marrëdhënie seksuale me bardhoshen Sanie, kosovaren e bukur, të cilën e përlau, qysh kur ish pesëmbëdhjetë vjeçe, fill pas futjes në burg të Halitit, babait të saj. Unë për inat të saj iu qepa pastrueses të zyrave arixhofkës Xhixhe, gruas së karrocierit të komunales, çakërrit Remi. Arixhofka Xhixhe s’ta mbushte syrin, trupshqyer si patë. Ishte e pistë dreqi,  në seks të bënte pestil, më fuste mes këmbëve dhe më pëshpëriste:
 ‘Kolopuçi i Xhixhës, ke nevojë për pelë mbarsë. I gjori ti!’
Vonë më tha:
‘Hej fara jote është ngjitëse, po të gjeje arë pjellore do kishe një rreth me kalamaj.’
‘Sa fëmijë ke Xhixhe?’ E pyeta.
‘Katër,’ tha ajo, ‘Të pestin e kam këtu në bark’. Më shkeli syrin, Nuk guxova ta pyesja, me mua e ke apo me Remi çakërrin. Fillova t’i shmangesha, ajo më dilte përpara me barkun si tullumbace.
‘Xhixhe, i imi është ky qe ke në bark?,’ i pëshpërita një ditë kur i bëra atë punë që prapa.
‘Gjeje,’ ma priti ajo dhe ngriti brekët; ‘Mos u tremb, Xhixhe e ka një burrë, Remin dhe s’jam nga ato që marr në qafë të tjerët. Gruaja e fut shejtanin në shishe, por jo unë, Xhixhe, jam e mençur. Të jesh i qetë, ta lashë, të shkriva se më dhimbseshe. Ama palloshin e ke mashalla, ti mbolle një filiz. Hajt shko, nuk kemi më punë bashkë’.
Nuk mora vesh se çfarë lindi, djalë a vajzë, sa mori lejen e barrës s’u kthye në ndërmarrje. Xhixhe iku andej nga bregdeti dhe nuk u pamë më.
Pano buzëqeshi si me turp dhe kroi çaçkën e kokës.
Eh! Ç’ti bësh! Koha të qull, të bën helaq! Të gjitha këto duken hollësira banale
Të jem i sinqertë më trembte hakmarrja primitive e familjes dhe rrethit të gjerë fisnor dhe shoqëror, të Lorenës. Le të vazhdonte rrëkeja e jetës, hiq e mos e këput. U mësova me këtë mënyrë jetese, ndjehesha komod. Macja qimebardhë më çlodhte, dhe së bashku ndiqnim filmat vizatimore: Tomi dhe Xheri. Maces i pëlqenin filmat vizatimorë, shastisej dhe lëvizte me shpejtësi veshët e mustaqet. Ke parë ti, një herë më doli Xhixhe në ëndërr, mbante në krahë një burrë.
‘Xixe ç’e ke atë mashkull në krahë?’ E pyeta. Ajo hapi këmbët dhe zbardhi dhembët.
‘Është shëmbëlltyra jote,’ më tha.
‘Mos u tall Xhixhe!’
‘ Jo nuk tallem’, këmbënguli ajo. I thashë të afrohej ta dalloja më mirë. Xhixhe nuk dëgjoi, iku nëpër mjegull. E kërkova edhe herë tjetër Xhixhen të vinte në ëndërr, më kish harruar. Kurbatka më la vragë në shpirt...
 
2
 
Qetësia mu prish një pasdite vjeshte me shi. Pikat e shiut pikonin në strehë me zhurmë monotone. Qëndroja shtirë në divan, më vinte gjumë, ndërsa macja gërhiste në pëqi. Dëgjova trokitje të lehta në derë. Vështrova një hop piklat mëdha të shiut që rridhnin në xhamin e dritares dhe s’më bëhej të ngrihesha. Lorena si zakonisht qëndronte te ‘prindërit,’ të atin e kishte zënë përdhesi. Ishim bërë të huaj. Ajo vinte, zhvishej dhe hynte në shtroja. Unë përpiqesha te kryqëzoja këmbët me të, ajo shfrynte dhe më shtynte me mërzi. Isha gati ti bërtisja:
’Buçë, të ngopi Viktori ndaj më shtyn kështu.’ .
 
3
 
Postieri më zgjati një zarf të verdhë me katër vula katrore dhe dy pulla të mëdha. E mbajta zarfin një copë herë në duar pa guxuar ta hapja. Lashë mendimet të bridhnin në shtegun e enigmës. Me përtesë e hapa. Letra vinte prej Katër Pallacinave të frikshme të Degës së Punëve të Brendshme. Nga foleja e grerëzave. Një tjetër e quante rrethi i nëntë i ferrit të Dantes. Letra kërciti në gishtat e mi, shkau dhe ra përdhe. Përnjëherësh pësova pështjellim dhe hutim. E ngrita me nxitim dhe vështrova përreth, mos më kish parë kush. Isha vetëm në dhomë dhe macja qe mbledhur kutullaç në qoshe të divanit. Përse vallë më kërkojnë në atë ngrehinë të tmerrit? Vetëm të afrohesh pranë atij Blloku të zymtë, hijerëndë, të krijohet ankth dhe frikë dhe jo më të hysh brenda. Aty gjen mister dhe ankth. Nuk u besoja syve. Mos ish lajthitje e postierit dhe trokiti gabimisht në derën time? Emri dhe mbiemri im ish shtypur me germa të mëdha, makinë shkrimi. Në fund të letrës shkruhej:
 ’Mos paraqitja në datën dhe në orën e caktuar të vë përpara përgjegjësisë dhe ligjit.’
Jeta modeste pa pretendime më shtynte të hamendësoja në monopatin e errët të hutimit. Nga e gjetën emrin tim, nuk jam dalluar për bamirësi por e as për keq. Nëpunës shteti, ekonomist me pagë mesatare, rrogëtar i rëndomtë. Një herë në vit marr ftesa për mbrëmjen e vitit të ri. Lorena vjen me bezdi, kërcen pa e pasur mendjen dhe vështron meshkujt sikur do ti pijë. Një herë u deh. U detyrova ta mbaja në krahë deri në shtëpi. Gjatë rrugës më pëshpëriste në vesh. ‘Pano, keq më vjen, por duhet ta them, nuk je burrë për të qenë, shtrydhe tullumbin, shiko, jam, hamshore, të gjithë më shikonin në mbrëmje.’ Më vinte ta plasja në rrugë dhe t’ia mbathja. E përmbaja veten, s’i ktheja përgjigje. Vajtëm në shtëpi. Më thirri të bënim seks në shtrat, por më volli në gjoks dhe në dyshek. Nuk i kam bërë keq as mizës që zhuzhuritën në dhomë dhe miut që hyn tinëzish nga vrima e vogël në cep të murit. Më ka hyrë në pjesë Viktori, a ndonjë tjetër që nuk e di. Eh, lere mos e nga!
Gjumi mu arratis prej ankthit. Kujt t’i hapesha, tregoja për letrën mynxyrë, Lorenës. Ajo do ulërinte si gjithnjë dhe do ikte me vrap. Isha i vetmuari i botës së madhe, thirrja, paraqitja në Degë më kërcënonte.
 
4
 
Oficeri i shërbimit, një hundëzorrë, me puçrra në fytyrë, më vështroi me dyshim nga koka deri në këmbët dhe ton ashpër më tha të prisja. U rrëqetha. U ula në cep të stolit, mblodha gjunjët dhe kryqëzova duart. Tëmthat më rrihnin me vrull. Zemra më kërcente në gjoks.
Solla nëpër mend aktivitetin e përditshëm, bisedat e zakonshme, asgjë për të dyshuar dhe të pamenduar. Shtëpi, punë, gjumë. Leximi i gazetës: ‘Zëri i Popullit.’  Komentet e përditshme për ndeshjet e futbollit, diskutimet për kooperativat e tipit të lartë, rezultatet e larta në misër, grurë dhe asgjë për të shënuar. I matur, i kujdesshëm deri në shurdhëri. Nuk mund të dilja prej lëkurës sime. Vetëtimthi më shkoi mendja tek të afërmit të mi, mos kishin llapur dhe bërë ndonjë budallallëk.
Prej thellësive të nëntokës dëgjoja të bërtitura dhe rënkime rrëqethëse. Më ngjetheshin mishtë. Mos e bënin kastën të më kallnin datën? Muret shkundeshin, oficerët dhe punonjësit civilë të sigurimit të shtetit hynin dhe dilnin. Ndaleshin një moment më hidhnin vështrime zhbiruese, vendosnin duart në brez ku gjendej arma, e tundnin e shkundnin, përplasnin derën dhe iknin. Sa shumë oficerë dhe punonjës civilë kishin Pallacinat e degës së punëve të brendshme! Më qullej shpina nga djersët. Në krahun e majtë dëgjohej ritmika cingëritëse të makinës së shkrimit. Numrat metalike të makinës së shkrimit godisnin mbi trurin tim të lodhur.
Vonë, oficeri i shërbimit, hundë zorra, zë autoritar më thirri emrin. U ngrita menjëherë si me sustë. Oficeri më pa nga koka deri në këmbët, rregulloi koburen, më kontrolloi edhe njëherë dokumentet. U kollit rëndë. Hapi derën dhe më bëri me shenjë të hyja brenda. Një tjetër më priste, ky ish kockëmadh, ezmer si një gorillë, mëngë përveshur, më shoqëroi në një korridor të ngushtë. Nuk dëgjoja më ulërima, korridori i lagësht dergjej në heshtjen e nderë. Gorilla më shtynte me bërryl dhe unë përplasesha pas mureve. Më shtypte hija e Gorillës.
-Uluni,- dëgjova.
U përmenda dhe vështrova rreth e rrotull. Më kishin futur në një dhomë trekëndore, qëndrova i ngujuar te dera e trashë, veshur me shtresë metalike. O Zot, çfarë kam bërë që më futën në skëterrën metalike! Mos ndoshta Lorenës i kish rënë në vesh mëndje shkrepja ime me kurbatkën Xhixhe dhe vendosi pa ceremoni të më heqë qafe duke më dërguar në ferr?
-Uluni,- dëgjova përsëri.
Nuk mundesha, më dukej sikur gjendesha në mesin e një ure lëvizëse, që lidhte dy brigje poshtë në humnerë, rridhte rrëmbyeshëm një lumë i turbullt. Lëkundja e urës së ndehur në katër litarë dhe dërrasat e lagështa më shkaktuan të dridhura në trup. Duhej të vendosja, të shkëputesha prej qendrës së urës, ku dërrasat kërcisnin dhe kish rrezik të thërrmoheshin prej peshës sime.
-Ne presim, - dëgjova zërin e trashë:- Është detyrë qytetarie...
Detyrë qytetarie, murmurita me vete. Sa gjëra thuhen dhe bëhen me fjalët detyrë qytetarie.
 Ktheva kokën andej nga erdhi zëri. Mblodha qafën si breshkë, por kokën nuk mund ta fshihja. Me pendesë lashë kokën të më ftohej prej rrymave të ftohta që turreshin prej dritareve të hapura. Dy duar të mëdha më kapën prej krahëve dhe më ulën në stol. Prej erës së rëndë të gojës së tij më erdhi për të vjellë. Isha gati ti thosha, çfarë rrëke halesh derdhen aty. Kafshova gjuhën. Gorilla mezi priste të vinte në lëvizje panxhat e mëdha mbi trupin tim. Por edhe aty mu bë sikur nuk isha ulur në stol, por gjendesha në mesin e urës lëvizëse dhe gorilla më tundte mbi krye topuzin e madh. Në veshë dëgjoja zhaurimën e lumit të rrëmbyer që rridhte, dredhonte në shkëmbinj me potere.
Ta marrë dreqi, përse nuk ndërtuan urë metalike me kolona betoni të qëndrueshme, pikërisht këtë birucë trekëndore, por një palo urë të shpifur, me litarë të ngrënë nga koha dhe dërrasa të kalbura. Ç’mund të bëjnë katër litarë të ronitur, të tendosur forcërisht deri në çmenduri, lidhura me nyje në cepat e shkëmbinjve. Ja edhe litarët ndërmjetës janë si hallka, ku nëpër to janë vendosur dërrasat gjysmë të kalbura. Dreq! Të pështira hallkat e litarëve, shërbejnë nyje lidhëse mes dy brigjeve! Hallkat e litarëve shërbejnë për varje, mjet i hershëm asgjësues. Nga u gjenda në mes të urës lëvizëse dhe topuzi i gorillës, kërcënon kryet e mia. Të gjitha urat dridhen, si fatet e njerëzve, por kjo urë lëkundet tmerr...
-Partia ka besim..,- dëgjova.
-Vëzhgimi, vrojtimi, përgjimi, analizimi dhe raportimi janë pjesë përbërëse e përgjegjësisë dhe detyrës së qytetarisë.- Dëgjova të fliste i njëjti zë.
Ndërsa me vete shtova:’ Ndershmëritë janë banalitete të pështira.’
Zëri monoton vazhdonte të fliste: Me besueshmëri u përzgjodhe nga listat e më të mirëve, të besuarve. Vetë shteti, partia dhe qeveria mbështetet kryesisht në supet e njerëzve të përzgjedhur, të përbetuar.
Doja të kundërshtoja, por zëri pranë veshit buçiti:
-Nuk duhet të kalosh kohën me macen dhe mendime për tradhti bashkëshortore, dëgjove? Dije mirë, problemet shtetit dhe partisë janë më të mëdha.
Doja të kundërshtoja, s’keni të drejtë të hyni në çështjet intime. Ai më bleu mendimet, foli thatë.
-Personi që do mbani në përgjim, ka dosje të plotë, të detajuar. Mos beso ajo që duket, por ajo që fshihet...
-Unë nuk thashë, se pranova,- mërmërita.
-Në fund pyetjet,- ma preu ashpër dhe vazhdoi:- Pra, personi duhet të vihet nën mbikëqyrje. Vëzhgohet, vrojtohet, përgjohet, analizohet dhe në fund raportohet për çdo kafshatë që ha dhe për çdo hap që hedh.
Gjuha mu tha, kërkova ujë. Dikush më afroi gotë me ujë. Çfarë dreq liste është kjo që shënoi emrin tim! Më lanë një copë herë të shijoja ujin e ftohtë. Kisha frikë, më blinin mendimet, s’duhej të mendoja. Kërkova përsëri ujë. Ata më vunë përpara një brokë të madhe.
-Pi, - më thanë,- Emri yt është në dosjen Blu, të besuarve të partisë e të shtetit. Nuk pyete, kë duhet të përgjosh?
Ngrita supet. Isha krejt pasiv. S’ma mbante të thosha jo. Tashmë emri im ishte në dosjen Blu të Katër Pallacinave.
-Është fqinji yt, Musaf Jaku.
U drodha, shpina u bë akull, sikur më hodhën në trup një kovë të madhe me copëra akuj. Musaf Jaku. Përnjëherësh më doli përpara syve trupi i imët i Musafit, pardesy zbardhur, zhubrosur, gjatë deri në fund të këmbëve. Me pesë qime të grunjta në kokë, fytyrë ligur, rrethuar nga tufa e kalamajve, i çonte çdo mëngjes në kopsht dhe në shkollë. Me thënë të drejtën, një farë mënyre i kisha zili Musafin. Disave ara u mbin shumë shpejt. Ara e Lorenës mbeti e shterpë. Fqinji Musaf Jaku rridhte nga një familje të pasur, rënë nga vakti. Kishte studiuar në një shtet të Evropës për filozofi dhe shkenca shoqërore. Dikur jepte mësime private. Në shtëpinë e tij përdhese hynin dhe dilnin vajza dhe djem. Me thellimin e luftës së klasave iu ndalua mësimdhënia e gjuhës. Filloi punë në ndërmarrjen e lëkur- këpucës.
-Kërkohet analizë e kujdesshme edhe për poezitë e atij armiku, që fshin me pardesy rrugët e qytetit...
Kur do dilja pyeta me gjysmë zëri:
‘Vetëm për mua qenka kjo dosja Blu?
‘Gabohesh janë me mijëra. Më të mirët, besnikët...
U kapërdiva me vështirësi. Ku e çon mushka hajvanin Musaf Jaku që shkruan poezi dhe, merret me përkthime e filozofi. Ndërsa e shoqja hap këmbët dhe pjell fëmijë njëri pas tjetrit. Musafi fshin rrugicat e qytetit me pardesynë e gjatë të zhubravitur.
 
Pjesa e dytë vazhdon nesër