Vazhdim nga pjesa e parë
RRËFEN PËRGJUESI I DOSJES BLU
5
I trembesha jetës. Gjendesha mes rrokopujës, pështirosjes dhe mizeries.
Musaf Jaku blinte te qoshku i vjetër gazetat zyrtare’ Zëri i Popullit,’ ‘Bashkimi,’ dhe veprat e të madhit të partisë dhe të popullit. Ecte me ceremoni në rrugët e qytetit. Ulej në stolat e lulishtes ‘Rinia’, u tregonte bashkëqytetarëve se ai, Musaf Jaku, bir kulaku nga nëna dhe borgjezi nga i ati, qe i përkushtuari dhe besniku i aspiratave të mëdha. Hipokriti.
E shoqja Lola, kuqalashe, një cironkë e thatë, gjoks dërrasë, gjithë ditën e ditës lante dhe shpëlante teshat, shtytkat e fëmijëve në postafin e ronitur të tullumbit. Kur lodhej drejtonte trupin, ngjante si degë e thyer dhe zë holluar i fliste Musafit të kontrollonte fëmijët.
Kaq të tmerrshëm dhe të rrezikshëm këta njerëz, që shteti e partia i vendosi në përgjim dhe përndjekje të vazhdueshme?
Përnjëmend besova se, te e përditshmja dhe e rëndomta fshihet tinëzia dhe ligësia e llahtarshme. Armiku s’ka brirë, fshihet dhe në bythën e buallit. Vallë sa e madhe mund të jetë poshtërsia e njerëzve që fshihen pas përuljes dhe gojë kyçjes?
Operativi i Katër Pallacineve më fliste zë autoritar:
-Ndjehet e nevojshme të bëhet lavashi i zemrave dhe mendjeve të njerëzve...
Gjithçka më ngjante me urithët, ardhur rastësisht në këtë botë, rend, përgjo në labirinte. Koka më buçiste. Më duhej të bëhesha i afërt me Musaf Jakun dhe familjen e tij. Ti hapja biseda, të çaja gardhin e rëndë të heshtjes. Derisa ta kapja si miun në çark. Këta thanë se, macja është krijuar të kapë minj! Por edhe çargjet, leqet kapin minj, lepuj, dhelpra. Pjesë e një hallke të një zinxhiri të pafund. Bëëërrr, sa e pështirë është hallka e zinxhirit!
Një moment hezitova, ndjeva pendesë kur pashë të dergjej e paralizuar në karrocën me rrota vajza e vogël e Musaf Jakut. Lola e zbehtë e ushqente, i bënte shërbim. Fëmija përplaste kokën sa majtas djathtas. Prandaj ajo lante dhe shpëlante tesha gjithë ditën në postafin e tullumbit dhe nga lodhja i fliste të shoqit zë holluar...
Përgjoja Musaf Jakun, e provokoja, shaja qeverinë. Më vështronte nëpër mjegull dhe s’fliste. Më kthente shpinë, ikte, i shkoja pas duke dërdëllitur pa u mërzitur. I hyja si rastësisht në shtëpi. Aty ishte rrëmujë, e sëmura dërdëlliste. Trup përkulur në cep të shtëpisë Musaf Jaku studionte, dhe, fëmijët i kacavirreshin mbi shpinë. Nuk gjeja asgjë të dyshimtë. Mu shtua inati dhe ankthi, nuk dija ç’ti kapja atij njeriu. Në mendje më vinin dhe shkonin gjithfarëlloj marrëzirash. Lorena indiferente si gjithnjë e ftohtë, s’ më linte të bëja gjë me të. Indiferente nuk shihte tallazin tim. Ndërkohë në qytet bëri bujë kapja flagrancë e Viktorit me vajzë e re, Petrinën e Mapos. Lorena u tërbua, theu pasqyrën:
‘Prandaj pushti s’më dilte në takim’, bërtiti dhe vështroi e egërsuar nga unë, si të isha shkaktari që, kurvari Viktor u kap në flagrancë me Petrinën e bukur.
‘Ha mut tani’,- i thashë.
Dola jashtë. Më mundonte prej kohësh e mos folura. Tërbimi i tradhtisë së dashnorit ia zbrazi barkun Lorenës. Por unë sa vite kisha që gëlltisja nënvleftësimin e saj të poshtër, s’ durova, dhe ia zbraza: ‘Ha mut tani’.
Hyra në lokalin më të parë dhe, porosita birrë. Mu duk e athët, pa shije. Ndjehesha bosh s’isha i gëzuar dhe as i trishtuar. Lorena mund të gjente një tjetër Viktor. Përsëri humbës. Ta hajë dreqi s’dija ç’ të bëja. Burrë jam apo burr-ac, qull-ac, jam çdo gjë që mbaron me - ac.
6
Në tavolinë u ul një fytyrë me pulla fendë ujku, sy vëngër, i panjohur. Pa më përshëndetur, ton rëndë tha:
‘Jam i dërguari sekret i Katër Pallacinave. Merru me poezitë e personit në fjalë. Poetët zbulojnë veten.
Ai shtyu gotën e ujit dhe hungëriti:
‘Jam koordinator nga Dosja Blu dhe ti, ke shkruar poezi!’ mu gërmuq sikur të kisha bërë krim të rëndë.
‘Nuk e di, nuk më kujtohet...’
‘Ne e dimë. Pardje shkarravite diçka në letër’.
Luajta kryet pa e pasur mendjen. Domethënë dhe unë isha në përgjim. Pardje pas masturbimit shkarravita në ethe disa vargje. E kisha shpirtin plagë.
U mata ti thosha: ‘Përse s’më thua të përgjoj Viktorin, ta rras brenda? E di, kodoshi është bythë e brekë me ju kalesa të Katër Pallacinave.
‘Të gjithë jemi kalesat e Dosjes Blu,’ më tha.
Heshta. I dërmuar u mbështeta në tavolinë por atje ishte lagështirë, pellg.
7
Vazhdova përgjimin, Lola si deçkë e këputur ankohej, lante shpërlante njëmijë shtytka dhe pelena. Musaf Jaku tundte fëmijët dhe jashtë frynte erë e fortë.
Qëndroja nën dritare, brenda në dhomë shamatë e madhe shkaktuar nga fëmijët. Përse të përgjohet ky, që është gjynah dhe jo Viktori? Musafi s’i hyn kujt në pjesë. Viktori më shkërdhen gruan?!
Jetesa është luftë e vazhdueshme me veten. Ja, kjo është jeta. Hallka dhe shorte marramendëse. Dikush duhet të përgjohet, të dënohet, tjetri është përgjuesi, zbatuesi i ligjit, i më të fortit. Dikush punon, rropatet për bukën e gojës, tjetri, më i shkathëti pasurohet. Dikush ka shumë fëmijë, tjetrit i është tharë tullumbi dhe zjarri në vatër po i shuhet. Më thoni ju lutem përse mes dhembjesh Krishti tha:
‘Fali o Zot se nuk dinë se ç’bëjnë!
-S’hyn në këtë mes fjala e Zotit,- i thashë.
- Ashtu, -foli si piskamë, dhe shtoi me dhembje:- Sigurisht ju s’pranoni, por secili nga ne ka dritë dhe hijet e veta. Dikush mbart errësirën mbi shpinë, si hamall, paçka se fytyra i qesh, ndoshta zgërdhihet. Tërheq zvarrë gjysmë hijen e tjetrit, me gishta skifteri i rreh shpatullat. Fatkeqii ka hedhur mbi supe si pelerinë të shqyer çerek hijen e tjetrit dhe vështron me përdëllimin e një asketi.
A nuk jemi fajtorë në korkolepsjen e mallkuar të ngarendjes së tërbuar për të mbijetuar? Jemi pjesë e mekanizmit të urës së shkalafitur. Ndoshta jemi kufoma e skeleteve të pandërgjegjshëm që kapemi në faj, ngaqë nuk kuptojmë se duhet të veprojmë ndryshe...
8
-Të gjithë jemi hallka të një zinxhiri të pafund, atëherë kur mendojmë që i përkasin botës së përtejme, shpirtrave që dirigjojnë botën e të gjallëve, jemi asgjë.
Ju thoni a ndjej pendesë? Sigurisht, paçka se pendesa është diçka abstrakte. Në radhë të parë pendesë duhet të ndjejë sistemi me mekanizmat që vunë në punë. Vetëm duhet ta dish mirë, kur dilte emri në listë, është njolloj sikur të shfaqet, kërcënueshëm, në horizont vdekja me kosore.Keni dëgjuar për dhjetëshen romake? Lindi si domosdoshmëri, paçka se ish e pamëshirshme, gjakësore brenda radhëve të ushtrisë romake. Atyre që u binte shorti në dhjetëshe, duhej të ekzekutoheshin.
-Do thuash se emri në listë është domosdoshmëri?
-Çdo sistem ngrihet mbi lista. Për mirë ose për keq, për mbrojtur sistemin, ngritjen në detyrë ose ekzekutim. Në rastin tim, dalja e emrit në listën e mbikëqyrjes, përgjuesve të dosjes Blu mbarte mynxyrë. Nuk mund të shmangesha, s’kisha nga të ikja. Isha i mbërthyer prej hallkave të pazgjidhshme të zinxhirit.
9
Me beso, më zë ngërçi në fyt kur flas, njeri jam dreqi e mori. Jeta ime u zvarrit në jerm, në makth. Emri i Muja Jukes iu fshi nga listat e qytetit, u vu një numër tjetër në listën e burgut. Lorana përsëri iu ngjit si pullë poste Viktorit. Ai e sillte vërdallë, i mbyllte derën, dilte me femra të tjera, ndërronte kostumet çdo ditë. Ngandonjëherë gëzohesha që ai e sillte vërdallë. Më dukej sikur në një farë mënyre hakmerrej dhe për mua. Lorena s’tërhiqej, i hynte në shtëpi nga avllia. Në shtëpi kthehej flokë prishur. I dridhej buza. Një natë më erdhi keq, doja ti thosha pse i bëhesh lepitkë moj e zezë. Po të kthehesh te unë nuk të përzë. Grua të kam mos të paça. Ishte e kotë, do më shihte me urrejtje. Nuk ndjeja dhembje dhe as mëshirë.
S’mu besua kur arrestuan Viktorin, edhe pse kish një dajë dëshmor. I nxorën një vandak me akuza. Vështrova nga Lorena. S’i luajti qerpiku, ishte e qetë.
‘Gëzohesh?’ pyetëm, ‘Hakmarrja është syri i djallit.’
S’u ktheva përgjigje. Nuk ndjeva hakmarrje për Viktorin. Truri im ishte shndërruar në lëmashk moçali.
Binte shi. Rrëketë e shiut më ngjanin lot të mëdhenj. Nuk e kuptoja kë lotonte shiu, të gjorin Viktor, mua apo qytetin e tërë që ish futur në guaskën e kërmillit.
Ata më afruan të pi çaj kinez me limon. Ika. Bëra të dilja nga dera e prapme e godinës hijerëndë të Katër Pallacinave. Zakonisht, dera e prapme, dhe rrugina e ngushtë ishte dalja jonë për të mos rënë në sy të qytetarëve. Çadra nuk po më hapej dhe shiu i vrullshëm po më qullte qafen. Kur mu hap çadra dëgjova hapa të nxituara që ecnin në rruginën e ngushtë drejt meje. Mënjanova çadrën dhe u shtanga, kur pashë Lorenën.
‘Po ti këtu!’ Klitha.
‘Edhe ti!’ mu gërmuq ajo, dhe më shtyu pas murit.’
U kthye vonë, pa më parë në sy me ton të rëndë tha:
‘Nuk dua të më pyesësh për asgjë.’
‘Jo,’ i thashë;’ As ti’.
‘As unë.’
Lorena u hakmor me Viktorin. Shpesh më kapte frika. Hakmarrja e femrës është hakmarrja më e keqe. Gruaja e fut shejtanin në shishe, siç e futi Viktorin. Ai ishte delikat si femër dhe përfundoi shumë keq në burg.
Mundohem të harroj. Pendesa më ndjek pas së bashku me pështjellimin. Jam plak siç më sheh. Një grusht me eshtra. Lorena nevrikoset dhe mallkon. Zë veshët, dal jashtë. Edhe pse këmbët i kemi të ftohta, nuk i ngrohim me njëri tjetrin. Nuk e di kë mallkon Lorena, por gjithnjë mallkon. Pardje ia thashë në sy:
‘Shtrigë, fajtore je ti, për gjithçka të kam bërë.’
Kur hapa sytë e kuptova, isha në gjumë. Edhe pse jeta ime është boshe, përsëri më trembin mallkimet e saj. Eh, ç’të them, jemi dy parazitë, humbur në moçalishte...
2010 - 2023