SHPESHHERË NDIHEM BOSH
Ka ditë, nga ato ditët ku kujtimet janë mbiveshje totale e trurit aq sa receptorët e tij nuk funksionojnë njëjtë momenteve të caktuara, aty ku shpirti punon më shumë se ai. Rastis që të duket se je në rregull në çdo gjë, funksionalisht të duket se i ke kryer të gjithë detyrat e ditës, e në sytë e jashtëm je totalisht në rregull, por përmbushja e brendshme ,ajo shpirtërore përtej dukjes së jashtme nuk është në koherencë me buzëqeshjen që të është bërë e zakonshme ,si armë e ftohtë për të mbrojtur ngrehinat e brendshme shpirtërore. Për një ngrehinë të tillë, sot më shumë se kurrë, kam nevojë të flas me veten, me zërin e ndërgjegjes i cili më shkund nga tundimet e të vetqënit në koherencë me të tjerët, por me veten jo. Në një ditë si kjo mu desh të qesh dhe qaj njëherësh. Ish një ditë e zakonshme, ku freskia e mëngjesit të drithëronte shpirtin, i cili qe mpiksur nga gjakprishjet e një dite më parë, në mos të them nga molepsje mërzitish të stivuara gjatë në një kohë të shkurtër. Si zakonisht dita nis me shkapërcimet e veta ,ku domosdoshmërisht të duhet të kesh një paraqitje të denjë të vetes në angazhimet personale. Në fund të një ditë të ngarkuar emocionale, përpos të tjerash në bisedë me miq, rikujtuam situata nga kohët dikur të ndodhura mes miqsh e familjarë. Në rrjedhë të humorit e të bisedës, ku një mik çdo situatë e bënte aq komike sa edhe të mos doje të qeshje, bëheshe pjesë e situatës pa dashtë. Mu kujtua një hop një histori e fëmijërisë të cilën nuk ngurrova ta ndaj me humor me ta, pasi më pëlqen kur ditën e ndaj me humor ,dhe qeshemi pa fund, dhe teksa e tregoj shpengushëm ata qeshnin bashkë me mua, ndërsa unë qeshja e qaja njëkohësisht pa u vënë re ,e kamufluar mes ngritjeve dhe uljeve të intonacionit të zërit. Lotët i fshija nën justifikimin e situatës së krijuar, por kujtimet e asaj ngjarje më risollën të gjitha ndijimet e brendshme. Përjetim i trishtë, ku shpirti qan dhe pse buza qesh, dhe që shpeshherë ndihem bosh, aq bosh sa kam nevojë të fal veten, për të vazhduar përpara.