Aziz Mustafa - MOS E HARRO JAPONINË, SUZANË (roman)

Aziz Mustafa - MOS E HARRO JAPONINË, SUZANË (roman)
MOS E HARRO JAPONINË, SUZANË
Roman
                                                             (Pjesa 1)
-Kolegëve otorinolaringologë në të gjithë botën, të cilët për çdo ditë bëjnë luftë me sëmundjet
(Historia personale e njeriut është, në fakt, histori e luftës në mes të sëmundjes dhe shëndetit të tij, ashtu siç është historia e botës histori e një pandemie të përhershme).
                                                            Autori
 
PROLOG
1.
Në të martën e tretë të nëntorit, shtatëmbëdhjetë vjet pas fillimit të mileniumit të tretë, dr. Leonard Malaj, dyzet e pesë vjeç, mjek otorinolaringolog, i martuar, baba i një vajze pesë vjeçe, u zgjua rreth orës gjashtë të mëngjesit dhe, pasi bëri një dush të shpejtë, bëri një kafe nga makina e ekspresit dhe, pasi e shijoi ngadalë, para se të dilte nga banesa, shkoi në banjë që t’i lante dhëmbët. Fryu hundët me forcë dhe u kollit që ta pas-tronte fytin dhe ta nxirrte këlbazën, por këlbaza i doli me fije gjaku.
Në fillim u shqetësua shumë por, meqë ishte mjek i specializuar për probleme të tilla, e qetësoi veten. Deri tani kishte gëzuar shëndet të mirë. Një herë në vit i bënte analizat e gjakut, hematologjike dhe biokimike, patjetër edhe një kontroll te kardiologu. Secila analizë që kishte bërë i kishte dalë mirë, prandaj s’shqetësohej shumë për shëndetin e vet. I edukuar dhe i mësuar të kujdesej për shëndetin e të tjerëve, nuk ishte prej atyre që ankohej për vetveten. Kishte raste kur, pas kujde-starisë së lodhshme, ndalej të bënte operacion ndonjë rast që kishte pritur më gjatë apo të bënte zëvendësim për kolegun që kishte fëmijën e sëmurë, apo ndonjë orë kujdestari që u kishte mbetur borxh kolegëve. Por, kjo pështymje gjaku i erdhi e papritur dhe e shqetësoi.
Rrugës për në spitalin ku punonte, për një çerek orë vozitje në veturën e tij, dr. Leonardi i mendoi të gjithë shkaktarët e mundshëm të pështymës gjak: tuberkulozi, kanceri i trakesë dhe bronkeve, kanceri i laringut, kanceri nazofaringeal, granulomatozëm Wegener, bronkiektazitë, koagulopatitë e mundshme e gjithçka tjetër. Asnjëra nuk i dukej e mundur. Më së paku sëmundje nga mushkëritë. Nuk kishte shkuar muaji që kishte bërë analizat dhe nuk kishte asnjë analizë që çonte ujë në mullirin e dyshimit në ndonjë sëmundje të mushkërive. Te laringu dyshonte më tepër. Gjatë vitit të fundit kishte pasur dy-tri episode të humbjes së zërit. Zëri i merrej nga dy deri në tri javë dhe i vinte prapë. Përdorte mjaltë me çajra të ndryshme dhe e ka-lonte. As kontroll te kolegët në klinikën ku punonte nuk kishte bërë. Duhan nuk pinte. As kishte pirë kurrë në jetë. Alkool po por, me masë. Ndonjë raki në raste të rralla, ndonjë gotë verë të kuqe bordoje, bashkë me bashkëshorten Suzanën, holandezen e bukur që kishte ardhur nga Holanda të jetonte me të dhe me vajzën e tyre, Flakën.
Parkoi veturën dhe hyri në spitalin ku punonte. U vesh dhe shkoi në repart. Së pari vizitoi disa pacientë që ishin në gjendje më të rëndë, dy të operuar dhe një që e kishte sot në program, pastaj shkoi në dhomën e vogël të repartit që ishte si depo, pa dritare, nja katër-pesë metra katrorë, në të cilën pinin kafenë e mëngje-sit dhe tregonin gjëra të reja, ndonjë shaka, ndonjë thashetheme pa zarar dhe shkonin në bibliotekën e repartit ku mbahej mbledhja e mëngjesit.
Mjeku kujdestar i ditës së kaluar raportoi tri pra-nime të reja, katër konsulta jashtë klinike dhe një intervenim urgjent në sallë, një gjakderdhje të rëndë te një grua me tension të lartë të gjakut. Drejtori dr. Luani, i cili e udhëhiqte mbledhjen, një burrë rreth të pesëdhjetave, laringolog i njohur, pasi bëri disa pyetje rreth trajtimit të rasteve të pranuara gjatë natës, lexoi programin operativ të ditës dhe e deklaroi mbledhjen të mbyllur.
Secili shkoi në repartin e vet për ta bërë vizitën e pa-cientëve të shtrirë, pastaj secili aty ku ishte caktuar sipas programit. Dr. Lulzimit, shokut të tij të dhomës e që gjatë mbledhjes ulej afër tij, iu duk sikur te Leo kishte diçka që nuk shkonte por, nuk i tha gjë.
Për dr. Leon e marta ishte ditë operative. Kishte në program një burrë gjashtëdhjetë e pesë vjeç, një rast të rëndë me kolestetomë në vesh, me parezë të nervit të fytyrës, një komplikim shumë i keq. I kishte analizuar gjatë gjithë mbrëmjes imazhet e tomografisë së kom-pjuterizuar në diskun që kishte marrë nga kartela e pacientit. I kishte analizuar në shtëpi të dhënat ima-zherike, në të tria planet e dhëna dhe kishte bërë një plan se si do t’i qasej kësaj sëmundjeje të rëndë në veshin e pacientit, e cila, përpos që i kishte paralizuar anën e majtë të fytyrës, po përpiqej edhe t’ia merrte jetën plakut.
Pas vizitës shkoi në dhomën e vet, i veshi rrobat e sallës operative, mantelin e bardhë dhe shkoi në sallë. Në dhomën e instrumentarëve takoi kolegët. Duke folur, vërejti se zëri i kishte ikur sërish, edhe pse kollë nuk kishte. Ato e pyetën, por dr. Leonardi u tha se ishte vetëm një ftohje e zakonshme. Ashtu shpresonte me zemër.
E filloi dhe e kreu operacionin, duke folur me instru-mentaren vetëm për punën. Zëri mezi i dëgjohej. Në operacion ishte caktuar instrumentistja Remzije, me
dyzet vjet përvojë në instrumentim. Në shumicën e rasteve nuk kishte nevojë fare të fliste.
- Pincetën anatomike.
- Hape këtë aspirator se u mbyll.
- Ekaterin vetëmbajtës... ups, nuk po bën mirë. Ma ndërro, të lutem!
- Irrigim. Vazhdojmë me nr. 8.
- Edhe një herë frezën diamant.
Kështu, hap pas hapi, operacionit i erdhi fundi. Por, zëri doktorit nuk i erdhi. E qepi plagën, i ndihmoi instrumentistet ta lidhnin fashën dhe hoqi dorëzat dhe maskën. Lau duart nga pluhuri i dorezave dhe priti derisa pacientin e hoqën nga salla. Shikoi orën. Katër orë pa dhjetë minuta kishte zgjatur operacioni. Kaloi në sallën e parë, ku drejtori ishte duke kryer një ope-racion. Një rast me kancer laringu. E kuptoi se duhej të bëhej larinektomi totale. Nuk kishte zgjidhje tjetër. Drejtori e pyeti se çka ishte puna e zërit të tij.
- Nuk di, drejtor. Prej sot në mëngjes jam kështu - iu përgjigj.
- Ta bëj një laringoendoskopi sapo ta mbaroj këtë plastikimin e faringut. Qepjen e shtresave po ua lë asistentëve - i tha drejtori dhe vazhdoi operi-min e pacientit.
Dr. Leonardi e priti derisa drejtori e kreu operimin, pastaj shkuan në sallën e endoskopisë për të bërë një endoskopi. Ia kapi gjuhën dhe, pasi ia tërhoqi pak jashtë, futi laringoskopin brenda dhe pa në ekran atë që shihej.
Dr. Leonardi po shikonte edhe ai ani pse paksa me vështirësi. Në kufirin midis një të tretës së përparme dhe të mesme të plikës së majtë vokale, të dy vërejtën një masë tumoroze disa milimetra. Tumor, mendoi. Asistentja, ndërkohë, po xhironte pamjet.
- Si tumor po duket, Leo - i tha dr. Luani dhe fytyra iu vërejt. - Nesër do ta bëjmë biopsinë. Mos ha asgjë në mëngjes, kurse analizat shko bëji sot sa nuk ke ngrënë.
Dr. Leonardi doli nga salla shumë i mërzitur. Ishte i lumtur që kishte kryer një operacion shumë të rëndë te një pacient, por tani nuk po mendonte për pacientin. Frika për jetën e vet e kaploi para çdo ndjenje dhe mendimi tjetër. Shkoi në dhomë, u ndërrua dhe u shtri në kolltuk. Pas dhjetë minutash hyri edhe kolegu i dhomës, dr. Luli.
- Cimo, çka ke sot? - e pyeti duke ndezur cigaren. Duhani ishte i ndaluar në spital, por për dr. Lulin ky rregull s’vlente. Disa herë e kishin dënuar inspektorët, por aq i bënte.
- Nuk di, cimë - ia ktheu dr. Leo. - Në mëngjes pështyva gjak, zëri më ishte ngjirur. Drejtori më bëri pak më herët një endoskopi dhe në tel të majtë të zërit po shihet një tumor.
- Jo bre çfarë hamam tumori! Nuk e keni parë mirë.
- Shko shikoji pamjet te salla e endoskopisë. Të xhiruara janë. Nesër duhet ta bëj biopsinë.
Kur i dëgjoi këto, cimeri i dhomës u bind. U vërejt dhe vazhdoi ta thithte cigaren. Nuk kishte më çka të thoshte.
 
(vazhdon)