Rudina Papajani - PUTHJA (tregim)

Rudina Papajani - PUTHJA (tregim)
PUTHJA
 
Kur ndodh diçka e bukur, gjithçka zbret si ujëvarë nga flokët në rrahjet e shpeshta të zemrës. Këto flutura përshkojnë çdo kulm njerëzor, zbresin kodrinat shterp duke krijuar jehona të bukura mbi lisharshin e jetës. Dikur më pat thënë një mike e vjetër, se ti ke vesh të majtë për të kuptuar ishujt me gishtat shkumë që mundojnë shpirtin. Nuk di pse mu kujtua puthja e asaj dite. Po ecja në trotuarin e njomur nga vesa e sapo rënë, aty këtu lulet sapo kishin çelur nga një ngrohtësi e parakohshme e stinës. Flutura të verdha vërtiteshin mbi lulet e parkut ku po ecja e përgjumur. Me tërhoqi vëmendjen një plak i kërrusur që i zënë për dore me miken e tij i këndonte ëmbël pranë veshit. Mbi flokët e tij të bardhë binin petale lulesh nga një erë e lehtë qe sapo kish filluar. Nuk di pse ai plak mu duk si stina e marsit që këngën e kërkonte në qiell dhe puthjen te rrezja e diellit. Sapo isha njohur me Fredin dhe në ato takime sporadike po mundohesha ta njihja më mirë. Seç kishin sytë e tij, një shkëlqim, një dritë që buronte nga brendësia. Sa herë e shikoja për çudi zbuloja një enigmë. Një ndjesi. I kuptoja lulet e shpirtit, fjalët e heshtura që flinin brenda por zgjateshin nga drita e syve. Rrinim shumë herë pa folur, shiheshim në sy. A thua enigma po zbulonte nektarin, gjurmët e fshehura. Pësoja një dridhje sa herë e shikoja, duart më dridheshin dhe fryma më mbahej në atë gulshin e padale. Po afrohesha te stoli ynë, aty afër një trëndafili që vizitohej çdo ditë nga një trumcak i vogël. Sa herë ai largohej era e trëndafilit përhapej më shumë, a thua po merrte jetë dhe mbushej me energji të reja. Fredi ishte aty, më priste. E ndjeva se diçka po linde brenda meje, vetëm se ajo ndjesi tulatej, flinte, zgjohej sërish për të mos qenë më vajza e ndrojtur. U kapëm lehtë nga duart dhe Fredi desh të më thoshte diçka rrëzë veshit, por fjalët humbën kontrollin, u trazuan me gjuhën e lagur dhe u shndërruan në një puhizë të lehtë që era e përcolli më tutje. Ne ecëm më gjatë dhe mijëra dehje u shpërndan në parkun me lulet eremirë. Gjurmët tona u fshinë, por u zëvendësuan me të tjerë hapa që u ulën në stolin tonë. E sërish puthje. Mijëra aroma dehëse...