Arben Iliazi - Recension

Arben Iliazi - Recension
“Eposi i Feniksit” i Angela Kostës, fati i një epoke në një poezi
 
Poezia e Angela Kostës ka privilegjin e bashkëkohësisë, duke depërtuar me lehtësi dhe me një frymë komunikuese te lexuesi. Ajo është poete e kohës, e përditshmërive tragjike, poete e njeriut dhe fateve njerëzore. Poezia “Eposi i Feniksit”, e sapo publikuar, është konceptuar në atë mënyrë që përfshin frymëzimin, krijimin, filozofinë, mesazhin, kuptimin, duke i zhytur ato në mbretërinë e artit të fjalës, duke i dhënë një origjinalitet që spikat.
“Eposi i Feniksit” të trondit, jo vetëm për nga origjinaliteti, por edhe nga harmonia brenda realitetit jetësor, ku mbarten konfliktet, deformimet, tjetërsimet, metamorfozat, zhgënjimet dhe shpërthimet. A. Kosta krijon imazhe të pafundme dhe të papërsëritshme të kësaj bote që jetojmë e për të cilën mendojmë. Forma e zgjedhur për qasjen ndaj një realiteti të tillë shkruar në gravura furtunash/ me dorën e hekurt të sundimit”, është shprishja e harmonisë “për të harmonizuar” parregullsinë, duke kënduar këngën “e feniksit gjakatar që globin rrotullon/ i etur nën petkun e ferrit/ nën rrënoja hirëzohet.../ e sërish rilind/ rilind botën të sundoj”.
Ky tekst sinkretik, ku kuptimi global del nga shuma e ligjërimeve, është një vizion që të rrënqeth duke kaluar përmes disa konotacionesh shoqrore, përmes shenjave të  veçuara të  përmbajtjes. Vetë  bota e përjetimeve të  poetes vjen te ne si një  botë me kuptim, e detajuar, si fushë e motivimeve tona. Realiteti, e vërteta, shihen më  shumë se efekt i kuptimit.
Poezia është  si një këngë që e këndojnë të gjithë pa zë, që del prej gjoksit e mendjes. Poetja fokuson motivet mbi fatin e një epoke, mbi fatin tonë kolektiv. Forma e zgjedhur për qasjen ndaj një realiteti të tillë është copëzimi i së tërës, duke i dhënë pjesës atributet e së tërës, duke shprishur harmoninë “për të harmonizuar” parregullsinë. Vargjet burojnë nga njohja, nga parregullsia e botës, duke i shërbyer rregullsisë së saj dhe ekuilibrit.
Poezia i ndihmon njerëzit  të mësojnë të zbërthejnë botën, duke e parë me tjetër sy, duke rivlerësuar lëndën që e përbën atë, me shtysat e pavetëdijes. E tillë ashtë edhe kjo poezi, që buron nga shpirti dhe shkund shpirtrat. Çrregullimet, moskuptimet, absurdi, dyshimet, abuzimet, mashtrimet, janë ndodhje të realitetit, janë  dukuri që mund të arrijnë deri aty sa të neutralizojnë gjithçka tjetër, për të mundësuar pushtetshmërinë e tyre në këtë pafundësi hapësire e kohe, duke i dhënë realitetit profilin e vet të pakëndshëm. “Globi që rrotullohet, i etur nën petkun e ferrit”, nuk është një botë e sajuar fantazie,qëndron në pamundësinë e komunikimit dhe të kuptimit. Është një botë reale që është në gjendje të rregullojë e të sistemojë gjithçka tjetër që nuk janë domen i saj, dhe të ndihmojnë fuqishëm në qartësimin dhe kuptimin e përbërësve të saj, për t’u ndjerë, shijuar dhe për të ndikuar në përsosjen e marrëdhënieve me realitetin jetësor.
Edhe pse në strukturë dhe konceptim është një poezi postmoderniste, referenca te “Eposi i Feniksit” është jo thjesht objekti real, por përjetimi i reales, me një alkimi komplekse. Niveli figurativ është më  pranë me referentin ekstrasemiotik, krahasuar me nivelin tematik. Niveli figurativ në  tekstin e poezisë  kthehet në mjet shprehës të  kuptimeve abstrakte.
Thënë  ndryshe niveli figuratiiv nuk ka rol thjesht zbukurues, por hyn në  marrëdhënie komplekse me nivelet e ndryshme kuptimore, duke figurativizuar nivelin më  abstrakt. Mund të themi se autorja ka aplikuar një  avancim figurativ të  ligjërimit poetik, që  nganjëherë  funksionon si një  formacion simbolik (Feniksi), që flet për një  arsyetim figurativ, që  funksionon me anë   analogjisë   drejtpërdrejtë, pa pasur nevojë  për ndërmjetësim logjik- abstrakt.
Duket sikur në këtë poezi ëndrra, fantazia, mençuria, marrëzia, dashuria, urrejtja, fytyrimi dhe shpërfytyrimi, përfillja dhe shpërfillja, e shkuara dhe e ardhmja, gëzimi dhe trishtimi, të gjitha bashkë hedhin vallen makabre, së cilës i prin me finesë e delikatesë dinamizmi i realitetit jetësor.
 
“Akoma vazhdojm të mbesim...
Gjurmë epikash pa lavdi
ngërdheshjen e falimentimit lëmë pas
peshën e kohës mbi supe mbartim
teksa mbllaçisim skëterrën e shpirtit
pa lotët e shekujve...”.
 
Këto vargje me mesazhe shungulluese, falë përdorimit me mjeshtëri të potencialit kuptimor të fjalës, kanë një shtrirje aq të gjerë, sa mbulojnë me kuvertën epiko-lirike gjithë kohërat e hapësirat, me ngarkesë të rrallë emocionale, tension dhe temperaturë të një shkarkese të përflaktë.
Si përfundim mund të shpreheshim se poezia ”Eposi i Feniksit” është shprehje eksplicite e një potenciali shpirtëror të pashtershëm, që  metaforizon ndjesinë e dekadencës dhe parabolën e rrënimit dhe që mund të  përkthehet dhe të  flasë  në çdo gjuhë   botës, me ndjeshmërinë  dhe logjikën e saj.
Krijimtaria e poetes A. Kosta ka një ngjyrim të spikatur dhe dëshmon gjithnjë e më shumë për seriozitetin dhe profesionalizmin e saj. Nëse poezia e A. Kostës të trazon ndjenjën dhe të vë në lëvizje mendimin, kjo ndodh për arsye se ajo zotëron mjeshtërisht mekanizmin e harmonizimit të shijeve dhe kërkesave shpirtërore, me ato të njerëzve të thjeshtë në të gjitha mjediset e situatat, duke marrë prej tyre frymëzim e duke ua kthyer në art.
 
EPOSI I FENIKSIT
 
Grimca diejsh nën krateret e pashuara
ngadhënjime të parrëfyera në eposin e kohërave
shkruar në gravura furtunash
me dorën e hekurt të sundimit
feniksit gjakatar që globin rrotullon
i etur nën petkun e ferrit
nën rrënoja hirëzohet...
e sërish rilind
rilind botën të sundoj.
Dhe ne heshtim...
unë hesht...
e pafuqishme
t'i përballem mëshirimit
të sfidoj kohërat ku ne mbetëm
me koka të prera, pa sy...
Sot...
akoma vazhdojm të mbesim...
Gjurmë epikash pa lavdi
ngërdheshjen e falimentimit lëmë pas
peshën e kohës mbi supe mbartim
teksa mbllaçisim skëterrën e shpirtit
pa lotët e shekujve...