Sadik Bicaj - NJË VËLLIM POETIK I SHKRUAR ME GJUHË DHE STIL TË VEÇANTË

Sadik Bicaj - NJË VËLLIM POETIK I SHKRUAR ME GJUHË DHE STIL TË VEÇANTË
Vështrim
 
NJË VËLLIM POETIK I SHKRUAR ME GJUHË DHE STIL TË VEÇANTË
Maxhun Osmanaj, “Si troket vjeshta?”,  poezi për fëmijë dhe të rinj
                                       
Maxhun Osmanaj është shkrimtar  i njohur në letërsinë shqipe për fëmijë dhe të rinj, ndërsa për  kontributin e tij dyzet vjeçar, në krijimtari letrare dhe publicistike, është nderuar me mirënjohje, shpërblime dhe çmime të shumta.
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, njëri ndër themeluesit e Klubit letrar” Podguri” në Istog, pjesë e librit “ Leksikoni i Shkrimtarëve Shqiptarë ( 1501- 2001), të autorit Hasan Hasani, pjesë e librit antologjik “ Autorë të letërsisë shqipe për fëmijë ( 1886- 2017) të bashkautorëve Prof. Dr. Astrit Bishqemi, Mr. Migena Arllati, si dhe pjesë e disa antologjive të tjera të botuara në Kosovë dhe Shqipëri. 
Deri, më tani,  ka botuar këta libra: “ Zgjimi i dhembjes”,  poezi për të rritur ( 1998), “Këngë zemre”, vjersha për fëmijë ( 2000), “Çka i tha Toka Diellit”, tregime për fëmijë, 2003, “Buzëqeshja e natyrës”, poezi për fëmijë ( 2004), “ A flet atdheu”, vjersha për fëmijë dhe të rinj ( 2016), “ Nga dritarja e klasës” ( 2018) , poezi për fëmijë dhe të rinj, “  Udhëtimi i pafund”, poezi ( 2019), “ Kush banon në vjershën time”, vjersha për fëmijë dhe të rini (2020,  “ Rrugët e jetës”, tregime për fëmijë dhe të rinj ( 2021), “ Bregu i shpirtit”, tregime për të rritur ( 2022), etj.  
Në vëllimin  poetik “ Si troket vjeshta ?”  trajtohen tema dhe motive të ndryshme, si: malli për vendlindjen, malli për fëmijët e  lagjes,  dhembja dhe pikëllimi  për  shkrimtarët të letërsisë shqipe për fëmijë, që ikën nga kjo botë, dashuria ndaj gjyshit, gjyshes, nxënësve, natyrës dhe stinëve të vitit, në veçanti vjeshtës,  etj.  të cilat edhe janë realizuar mjaft mirë.   
  Në vëllimin poetik “ Si troket vjeshta ?”  malli ndaj vendlindjes trajtohet me një ritëm dhe stil të veçantë në poezinë “ Malli, kalë  pa fre...”, si:    
“ Sa herë shkoj në fshat,
Oborri m’i hap dyert,
Mallin reciprok
E ruajmë në shpirt...” ( Malli kalë pa fre...”, f. 41)
Autori i këtij libri, në vazhdim,  me mburrje dhe krenari iu këndon disa shkrimtarëve të letërsisë shqipe për fëmijë që vepruan për shumë vjet në kuadër të Karvanit të Shkrimtarëve  të Kosovës për fëmijë, të cilët tani fizikisht nuk janë në mesin tonë,  si: Agim Devës, Avdullah Thaçit, Gani Xhafollit, Sadri A. Kelmendit,  Rifat Kukajt, Vehbi Kikajt, Arif Demollit, Gani Xhafollit, Zejnullah Halilit,  Rexhep Hoxës, e ndonjë tjetri.  
Dhembja dhe malli për humbjen e këtyre poetëve, miq të autorit, trajtohet me zemër të thyer,  pikërisht,  në poemën  me titull” Kam me folë  për ju...”.
“Kam me folë për Ju,
Në çdo takim letrar,
Ishin të përzemërta,
Plot dhimbje, plot mall”. (  f. 19)
Në brendinë e këtij vëllimi poetik e   kemi  edhe poezinë “ Letër nxënësve të shtrenjtë”, e cila u kushtohet nxënësve të tij të dashur,  në kohë pandemie ( 2020).    
“ Në këtë betejë, jemi bashkë,
Për çdo detyrë në komunikim,
O nxënës të shtrenjtë
Për Ju kam adhurim...! “ ( f. 33)   
Në faqet e  të këtij libri zënë vend edhe poezitë  kushtuar nipit, mbesës, gjyshit, gjyshes,  mbesës, etj. Por, një dashuri të zjarrtë dhe të dyanshme  e gjejmë edhe te poezia “ Eja gjysh të shkojmë në shkollë !”
Vargu i kësaj poezie  “ Unë dhe Ti të shkojmë  në shkollë” është simbolika e unitetit për një të ardhme  të ndritur të nipit dhe gjyshit, gjyshi, tash më, si pishtar arsimi.        
“ Eja gjysh për herë të parë
Unë dhe Ti të shkojmë në shkollë,
Mos mendo, nuk bëjmë garë
Të mbaj mend në këtë shtator.”  (  f. 53)
Padyshim, poezi të arrira artistikisht  janë edhe ato që iu kushtohen   vjeshtës, lejlekut, bletës, borës, erës, etj., të cilat nuk shkojnë ndaras, por bashkë  me stinët e vitit.  Poezi të  tilla janë:   “ O lejlek, o lejlek”, “ Kur lind Dielli”, “ Bletë, o bletë ” dhe  “ Si troket vjeshta?”.  
“ Vjeshtë, moj stinë e gëzuar,
Na sjell dardhë, na sjell mollë,
Porse zilen s’ ka harruar,
Tring -  tring na fton në shkollë”  ( “Si troket vjeshta?, f. 59)
Për fund: Vëllimi poetik” Si troket vjeshta?” është shkruar në gjuhën standarde, në një stil të ngritur e të veçantë, që dallohet prej librave të tjerë të kësaj fushe.
Ky vëllim poetik, gjithashtu, është i pasur edhe me figura të ndryshme stilistike, si: epitete, krahasime, simbole, metafora, etj., të cilat vetëm sa ia shtojnë edhe më shumë vlerën letrare këtij vëllimi  poetik.  
 
Sadik Bicaj