BIOGRAFIA E SHABAN PALLUZHËS

BIOGRAFIA E SHABAN  PALLUZHËS

SHABAN  PALLUZHA (1873-1945) 

Shaban Palluzha u lind në vitin 1873 në Palluzhë të Drenicës. Ishte i biri i Mustafë Rexhep Kastratit që kishte vetëm një vëlla, Dervishin, i cili vdes në moshë të re dhe nuk la trashëgimtar. Shaban Palluzha rrjedh nga një familje me gjendje ekonomike mesatare. Ai nuk pati mundësi të shkollohet, por, si i ri u inkuadrua në jetën politike, të cilën ia imponuan rrethanat dhe padrejtësitë e regjimeve pushtuese. U konfrontua me bullgarë e austriakë gjatë Luftës së Parë Botërore, dhe me regjimin e Jugosllavisë borgjeze.

Në kohën e mbretërisë SKS ishte inkuadruar në jetën politike, kryetar e deputet, dhe shpesh konfrontohej me qarqet e regjimit antipopullor dhe për një kohë u detyrua të kalojë në ilegalitet në Shqipëri.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte komandant i një pjesë te frontit në Mal të Zi, në Kolashin dhe në Sanxhak, ku u dallua për organizim e strategji luftarake. Ishte anëtar i Këshillit te Islihatit (Gjyqit pajtues) dhe me propozimin e Miftar Bajraktarit emërohet kryetar të Islihatit në Drenicë.

Trimi Shaban Polluzha kishte edhe taktikë politike e diplomatike. Ai me strategji politike kishte bërë njëfarë lidhje formale dhe mashtruese me qarqet komuniste, por në realitet ai, asnjëherë, këtë ideologji nuk e pranoi si ideologji që do të zgjidhte çështjen shqiptare.

Shpeshherë në mesin e shokëve dhe bashkëkohësve të tij thoshte: “Unë kam përvojë në bashkëpunim me serbët, siç jam munduar të bashkëpunoj me ta sinqerisht, po me kot, sepse besë dhe marrëveshje të sinqertë kurrë nuk kam mund të bëj me ta ». Prandaj, shton ai, duhet mbajtur njëfarë afrimi politik, derisa t’ia arrijmë qëllimit tonë ».

Për këtë, paria dhe këshilli organizativ i Kuvendit te Skënderajt e propozuan për Komandant të Brigadës së Drenicës, para dhe gjatë luftës se saj, deri në rënien heroike, midis natës së 21 e 22 shkurtit 1945.

Shtabi i Brigadës së Drenicës largimin nga Kosova do ta kushtëzojë me ndërprerjen e vrasjeve dhe të plaçkitjeve mbi popullsinë civile nga ana e ushtrisë jugosllave, mirëpo pas dështimit të nënshtrimit të Shaban Polluzhës më 25 janar nisin operacionet ushtarake në shkallë të gjerë për asgjësimin e Brigadës së tij. Në këto operacione antishqiptare morën pjesë divizionet 24, 26, 44, 46, 52 të Serbisë. Divizionet 41 dhe 50 të Maqedonisë, grupi i brigadave të Malit të Zi (brigada e I e Bokës dhe brigada e VI) 2 dhe repartet speciale të OZN-s të drejtuara nga Spasoje Gjakoviq.

Beteja vendimtare e Luftës së Drenicës u zhvillua në Tërstenik, në tri kullat e Dvoranëve. Lufta u bë e vështirë, u vranë nga të dy palët. Armiqtë nuk kishin çka të na bënin më me armë të lehta. U detyruan të sillnin edhe topa të rëndë nga Prishtina. Me ta erdhi edhe vetë gjenerali Petar Brajoviç. Togeri Mehmet Gradica e heton dhe e plagos nga një frëngji e kullës. Dhe, në fund, pas një qëndrese titanike, plagosën dhe ndërrojnë jetë edhe dy vigajtë e Drenicës: Shaban Polluzha e Mehmet Gradica…

Luftëtarin dhe udhëheqësin e shquar kombëtar, Shaban Polluzha, për kontributin e tij të lartë, më 1992, presidenti i Shqipërisë, e dekoroi me “Urdhrin e Klasit të Parë”.

Tek pas luftës çlirimtare të UÇK-së dhe shpalljes se Pavarësisë së Kosovës, pra, më 20 shkurt 2009, tribuni Shaban Polluzha u shpall “Hero i Kombit”.

Nga Enciklopedia e Krerëve të lëvizjes së armatosur për çlirimin dhe ribashkimin e trojeve shqiptare”