Sadije Aliti - IMAGJINATË E RRUGËTIMIT TË DASHURISË

Sadije Aliti - IMAGJINATË E RRUGËTIMIT TË DASHURISË
IMAGJINATË E RRUGËTIMIT TË DASHURISË
 
Vështrim letrar për përmbledhjen me poezi “Sytë e mallit” nga autori Bedri Halimi
 
Shkruan: Mr. Sadije ALITI, Tetovë
 
Fuqia e fjalës, si gjuhë e vetme simbolike për ta përceptuar dashurinë, është në konstelacion me botën e jashtme dhe atë të brendshme, dashuria është ndjenjë frymëzimi, burim kryesor e jeta nuk do të ishte me kuptimin e saj si jetë pa këtë ndjenjë, pa dashurinë, pasi që arrin të frymëzojë mendimet, shtyn më tej rrjedhën e jetës, nganjëherë arrin të bëjë edhe mrekulli. Ndaj mbetet i përjetshëm përkushtimi dhe e pavdekshme ajo ndjenjë, sё cilёs i kushtohet kaq shumё, dashurisë. Këtë ndjenjë e shpalos, e pikturon në një peizazh dashurie autori Bedri Halimi në vargjet e 101 poezive me motiv erotik, me tematikë të dashurisë në librin “Sytë e mallit”.
Poeti është i dashuruar në çdo kohë, e në çdo stinë të vitit, edhe në shi edhe në diell, andaj buzëqeshja e të dashurës i shndërit edhe natën e ia mbush me dritë shpirtin e etur për dashuri, pasi ata janë martirë të dashurisë edhe atëherë kur bukuroshja e fjetur ndihet e zemëruar ne lojën e shiut:
Këmbana e zemrërimit
Nuk e harron parajsën
Nuk vdes kujtimi për ty
As në mallkim mesnate
(Poezia: “DASHURI – KLITHJE E PËRSËRITUR”)
 
Përmbledhja e poezive “Sytë e mallit” nga poeti Bedri Halimi është një album poetik vlerash me tone lirike që ecën, e ndërtuar ndër vite, dashuria u krijua e u rikrijua nga autori me tone lirike të viteve më të hershme, apo të viteve të më vonshme, apo tone pa limite moshe, vetëm tone lirike dashurie. Ajo ndjenjë që lindi dhe krijoi botën, dashuria, e poeti i këndon në çdo stinë e çdo varg, është e lulëzuar në çdo kohë në breg të detit apo maje bjeshkë. Autori dashuron ashtu si në herën e parë, e kërkon atë edhe në hijen e ecjeve në rrugicat e pranverës, dhe asnjëherë nuk i trishtohet dashurisë, edhe pse ajo dashuri ishte vetëm me një shikim.
Poezitë paraqesin një portret me dashuri të heshtur, të buzëqeshur, të zhurmshme, po dashuritë nuk janë të heshtura, ata flasin e buçasin edhe kur duken si të heshtura. I këndohet dashurisë me një gotë verë e me një melodi të bukur, një dashurie idilike përrallore.
Poezia është si një bagazh i veçantë inspirimi me një mozaik të bukur të figurave letrare në vargje e në strofa, që vjen si një shpërngulje e ëmbël në botën e ëndrrave, me tingujt e dashurisë që përbëjnë një faktor vuajtjesh, përjetimesh e shpresash. Zemra e dashururar i ka rrahjet e përshpejtuara pas një takimi të sërishëm, e ky takim i ngjan një kocerti të dallëndysheve në shtëpinë e vetmuar, ku besnikëria ndaj aktit poetik i ik edhe zemrës së dashuruar.
Nëpërmjet tensionit të kohës, mendimeve dhe ndjenjave defilojnë ëndrrat, shpresat dhe iluzionet, përmes vargut të mbushur me talent, magji, punë dhe optimizëm, deshifrim i mendimeve që realizohen në dashurinë e humbur apo të harruar e që kërkon sërish ritakim pas sa e sa kohe.
Poezia është një instrument komunikimi emocional, ku ndërlidhet imagjinata krijuese, pasi përbëhet nga një botë e veçantë e mendimeve me subjekte të ndryshme, deshifrimi i sensibilitetit jetik për kohën e dashurisë, kohë e përshtatshme apo e vështirë për të rinjtë e dashuruar.
Vёllimi poetik lexohet me njё frymё, duke na dhuruar pёrjetime sa tё kёndshme aq edhe tё dhimbshme, tё cilat vetёm njё zemёr e dashuruar ka fuqinё t’i zbёrthejё apo t’i pёrkthejё nё njё domethёnie konkrete, kjo është vetëm në shtratin e imagjinatës krijuese të autorit Bedri Halimi. Vargu mbetet ëndërrimtar i shpirtit të humbur duke kërkuar shumë herë, por shumë herë i pa gjetur, dashnori pikëllohet e këndon këngë dhimbjesh deri sa ta zë nata, por dhimbja nga dashuria e vjetër i bën të rinj kur takohen dhe na rrёfen pa komplekse dhe pa drojё pёr emocione dhe ndjesi intime, tё cilat ai dikur i ka pёrjetuar ndryshe, ndёrsa sot tё gjitha ato janё veshur me petkun e largesёs, vetmisё dhe dalëngadalё harresёs, në dhomën e braktisur me mbrëmbje të stuhishme.
Unë shtegtari yt
Përfytyroj me pasion
Pranverën e shpirtit
 (Poezia: “KËNDOJMË KËNGËN E NATËS”)
 
Me anё tё njё figuracioni tё lehtё e tё kuptueshёm, autori shpreh shumёçka rreth njё tёrёsie ndjenjash qё fillojnё e mbarojnё tek i njёjti person, pёrjetime sa tё kёndshme aq edhe tё dhimbshme, tё cilat vetёm njё shpirt i vuajtur ka forcën e zbёrthimit me fjalë më të qarta e konkrete.
Mesazhet, porositë dhe imagjinata ndërlidhen me subjektin e seleksionuar për performanca nga ana e dashnorit apo dashnores që nuk i përfillin dridhjet shpirtërore për të kuptuar arsyen, se pse dashuria tani më larg, me ndjenjë të mallit të pa kalueshëm, pasi ndjenja e dashurisë së mohuar nga një zemër e etur, është e pa kapërcyeshme, pasi nëpërmjet ëndrrës i mban gjallë përkujtimet e një dashurie në një kohë, si kronikë dashurie të paharruar e kujtimi mbetët i përhershëm.
Autori na thekson se për të dashururarit, sakrificat janë në rrjedhën e kujtimeve, janë kutjime që shihen apo ndjehen në thellësinë e shpritit, ashtu siç ishin dashur apo duhen dy shpritra. Poeti e personifikon dashurinë si të pavdekshme, të përkryer e në veçanti në artin lirik, ajo është në kërkim hyjnor ku situatat na prezantohen në forma të ndryshme emocionale, herë në qetësi e mall, herë në shenjtësi, magji e mistere, në gëzim e hidhërim si bazë e proceseve më të thjeshta perceptive, sepse aty është aftësia e krijimit për të vazhduar kjo imagjinatë e rrugëtimit të dashurisë në udhët e jetës.