Fatmir Minguli - Pèrsiatje pèr romanin "Dimra lufte- Hotel Balzak 73"

Fatmir Minguli - Pèrsiatje  pèr romanin "Dimra lufte- Hotel Balzak 73"
DYZIMI- SHPREHJE ARTISTIKE E EKZISTENCIALIZMIT NË ROMANIN BASHKOHOR
 
(Përsiatje  për romanin "Dimra lufte- Hotel Balzak 73" të Thanas Dinos, Neraida, Tiranë, 2021)
 
Gjethet e tij janë duart e mia,
Rrënjët e tij janë zemra ime, trungu i tij janë vitet e mia,
Qumështi i tij, pikon pik, pik, është jeta
Arkitektura e tij e çuditshme është gjuha ime.
Poezia "Unë jam fik deti" nga Thanas Dino
 
Unë rebelohem, ndërkohë ekzistoj.
Albert Camys
 
U desh thjeshtë një telefonatë që të "ritakoja" pas kaq vjetësh shkrimtarin dhe publicistin Thanas Dino. u deshën vetëm dy ditë kohë që në duart e mia të vinte romani i fundit i tij " Dimra lufte- Hotel Balzak 73" që kanë nëntitullin " Dy romane në një".
Edhe pse të  bashkuar dy romane të veçantë, në shikim të parë ata janë ashtu veç e veç, por pas një leximi intensiv apo të ngadaltë do kuptosh se romani i dytë është vazhdim i të parit. Kjo ndoshta është dhe artifica  mjeshtërore  e "Fikut të detit" që tjetër duket e tjetër është.
Jo më kot solla poezinë e Thanas Dinos në krye të kësaj përsiatje. Është  vetë thelbi i narracionit të këtij romani.
Nëse në pjesën e parë "Dinra lufte - 1942-1944" jepen skanime artistike të ngjarjeve të atyre dy viteve  luftë në Gjirokastër, në pjesën e dytë "Hotel Balzak 73" kemi remineshencën e pjesës së parë., ku lufta vazhdon…me pleniume që “presin koka” ….ndoshta një roman i tretë brenda këtij romani do të vazhdonte me “fitoren” e bolshevikëve…
 
Dhe Bedri Spahiu ligjëron para popullit të Fushë Bardhës: “Ne kemi zgjedhur kampin ku është Bashkimi Sovjetik, vend i madh i popujve të bashkuar që ngre socializmin, rendin e ri që do të sundojë botën….”
Dhe reagimi i Ismail Golemit, një prej popullit, por bashkëthemelues i Ballit Kombëtar.
Dëgjoni, popull i Fushës së Bardhë,  të bukura i ka fjalët Bedri Spahiu, po s’e dini ç’kular ju hedh në qafë. Jua shtroi me lëvozhga karpuzi, po ta dini se ç’gjarpër ju pleks për gryke, do veni të mbyti në lumë sot.”
Por para se të kaloj në mendimet e mia për këtë roman dua të sjell një përcaktim tejet të saktë nga dr.prof, Josif Papagjoni për shkrimtarin dhe publicistin Thanas Dino:
"Pena poeTike letrare e Thanasit e futur thellë në xhepin e brendshëm të xhaketës, nuk gjente as lirinë e kërkuar si kusht krjimi të çlirët, as frymëzimin e vetvetishëm e pa kushte. Por siç ndodh me shumëkë tjetër pas vitit 1990 ajo penë doli sërish prej xhakete dhe Thanasi, me frikën dhe panikun e vonesës teksa koha na plak, u sul arës së letërsisë për të thënë e shprehur ato që më parë s'mundej assesi."
Dhe profesor Josifi me të drejtë e quan Thanas Dinon "Bard i penguar në letërsinë shqipe.". I penguari që nuk botoi më poezi. Ja shihni bibliografinë e tij:
Romani që po diskutojmë, pjesa e parë, është një kronikë e skanuar në qytetin e gurtë ku jeta e qytetit është dhënë ashtu si në një film hipotetik të viteve ' 60 nën efektin e neorealizmit. Njerëz realë dhe njerëz të sjellë nga mendja e autorit lëvizin në rrugicat e nën çatitë e gurta të shtëpive gjirokastrite duke predikuar kush për nacional- çlirimtaren e kush për nacionalistët. Ndoshta është hera e parë që në një roman artistik shqiptar që nga vitet ‘60 , të ndeshemi me këtë lloj paraleleje, që autori e sjell me një vërtetësi klasike.
Bedri Spahiu e Tahir Kadare bëjnë xing me Golem Golëmin  nacionalist dhe Tërmet Tërmetin nacional -çlirimtar. Musine Kokalari, Hasan Dosti. Ashtu siç i përshkruan ngjarjet e atyre viteve të vrullshme e në një vërtetësi të ndriçuar prej publicisti mjeshtër, autori na tregon se "Njerëz që kanë marrë pushkën për një luftë çlirimtare dhe, në rrethana të ndryshme bien në llogoret e luftës civile."
Autori me stil të vrullshëm, bazuar në dialog e shumë pak në përshkrime të kota jep saktë tharmin e ndarjes konceptuale ideologjike mes dy partive shqiptare. Ishte Jogosllavi- shpjegon bukur autori që e prishi gjithçka dhe Shqipëria ra në grackën dhe robërinë pansllaviste. Me mijëra faqe janë shkruar për këtë ndarje e prapë ka për të diskutuar por pena e Thana Dinos e ka të fortë mellanin dhe bukur e thotë nëpërmjet gjuhës së popullit.
 
Në romanin e dytë është po ai rremb, edhe pse ndodhesh ne vitet ‘70 shfaqet hijet trashëgimtare të nacionalistëve e sidomos të fanatikëve konseratorë komunistë, ex nacianal- çlirimtar. Janë po ato skema- thotë autori duke komentuar personazhet sa në zyrat e shtëpisë redaksionale të letërsisë aq edhe dhomat e hollin e hotel “Cajupi” allias “Balzak” në Tiranën e atyre viteve. Duket sikur autori na e sjell Gjirokastrën me të gurtën e saj në Tiranë.
Në këtë libër Thanas Dino shfaqet me një narracion tripleks ku ndërthuren e shkrihen mes tyre ritmi i tregimit të legjendave të moçme, frymëzimi poetik dhe dialekti puritan gjirokastrit. E veç këtyre të mos harrojmë se publicisti nuk shkëputet dot nga vetja dhe herë herë forma të ngjashme  me publicistikën e tij origjinale feksin mes rreshtave të romanit.
 
Në romanin e parë ka një begati personazhesh ku bën sy Qemal Karagjozi e ndërsa enumeracioni  i emrave të krijon bindjen se autori sikur kërkon një algoritëm e pret të gjej zgjidhjen e dilemës së komunizmit të vjetër e të ri.
Dhe romani ndjek romanin. Nuk është fati i vetë Thanas Dinos që u dënua nga vetë Enver Hoxha por është fati i qindra e mijëra të rinjve që në vitin e mbrapshtë 1972 morën dënime pa fund për liberalizëm. Një liberalizëm që u luftua për të mbrojtur xhaketat e vjetra të partisë së lugës së floririt.
Thanas Dino me këtë roman i bën skanim edhe ngjarjeve të kohës së pleniumit të katërt të Partisë së Punës në vitin 1972. Me një tis transparent ai mbulon dhe zbulon ato që ngjanë e jo vetëm për Thanas Dinon por dhe për Faik Ballancën, Viktor Qurkun, etj. Pjesa e romanit të dytë është pikërisht për luftën mes plenuimeve konservatore dhe mendimit të lirë jo vetëm të artistëve ku fenomeni “spiunim” ishte ngritur në nivele të frikshme, që o përshkruan aq bukur autori nëpërmjet marrëdhënieve me Savën, bashkëpunëtore e tij në zyrat redaksionale. Aq tronditëse janë këto faqe saq+ edhe vetë autori shkëputet pa dashje nga stili i qetë i narracionit dhe shpërthen në stilin ritmik që të kujton faqet e romanit të parë me luftë. Ai edhe atë periudhë e quan luftë. Simbolika e Thanas Dinos është origjinale herë në emrat e personazheve e herë me verë personazhin si Allamani, shok klase me Hitlerin. Është një simbolikë që bazohet në “fjalën” e me të vërtetë po të shikosh titujt e librave publicistikë të Thanasit do gjesh shpesh fjalën “ fjalë” e jo më kot edhe ky roman i ri ka në strukturën e tij dialogun, përplasjen e mendimit me fjalë.
Vetë dyzimi i ngjarjeve, e vetë futjes se dy romaneve në një janë shprehje e një eksiztencializmi të veçantë që autori e trashëgon që nga rinia e tij e goditur. Vetë poezia e tij “Jam fik deti” është inspiruesi kryesor i këtij romani. Ai ishte dhe është ekzistencialist sepse e kupton thelbin e jetës dhe rebelohet duka na e dhënë romanin mbas tridhjetë vjetësh pas vitit të shembjes formale të komunizmit shqiptar.  Komunizmi shqiptar u quajt në literaturën e sotme sociologjike dhe maoizmi shqiptar aq shumë ndikoi në psikologjinë e shteteve të Europës, sllavizëm dhe maoizëm e kurrsesi perëndim, oksident.
Gjithçka pranohej por jo shkelja e parimeve të partisë!
 
Durrës gusht 2022