Stefano Polo (Përktheu Angela Kosta)

Stefano Polo (Përktheu Angela Kosta)
ANGELA KOSTA PËRKTHEN VARGJET E POETIT ITALIAN STEFANO POLO
 
Stefano Polo ka lindur në Genova (Itali), në qytetin e Shën Eusebio, ku aktualisht jeton me familjen e tij. Prej disa vitesh ai i është afruar poezisë për t'i dhënë shprehi ndjenjave të tij më intime. Stefano shkruan poezi online në: "La pergamena dell'anima - Pergamena e shpirtit".   
Kohët e fundit, një nga poezitë e tij "Il coro - Kori", u botua nga Shoqata Kulturore "Luna Nera". Në të kaluarën, ka marrë pjesë me tekstet e tij në disa evente publike. Me Shtëpinë Botuese "La Caravella Editrice", botoi përmbledhjen me poezi: "Çelësat e zemrës sime". Stefano ka marrë pjesë në antologjitë "Anime in poesia - Shpirtra në poezi" botuar nga Irda Edizioni, "Senza trucchi né ritocchi - Pa makiazh pa riprekje " botuar nga Cassandra Edizioni (2012) dhe Sopravvissute - Të mbijetuara, nga Shtëpia Botuese G.C. L Edizioni, (2024). Në vitin 2013, botoi "Dëshiroj të jem argjilë" dhe "Kopshti i dëshirave të mia". 
Po në të njëjtin vit, u përzgjodh ndër dhjetë finalistët e konkursit "Salice d' Oro". Botimi i tij i fundit daton që nga viti 2014 me përmbledhjen poetike: "Si një balonë në qiell" 
 
ËNDRRAT E MIA PREJ FËMIJE
 
Ëndrrat e mia prej fëmije
njëmijë nuanca vallëzuese ishin.
Zemra ime e sapo lindur
një botë me ngjyra ëndërronte
plot me balona
që lart në qiell ngriheshin. 
 
Një botë ylberesh
të të gjitha ngjyrave ëndërroja 
në të cilat mendimet tona 
ishin pikturuar
të të gjitha ditëve
plot dashuri, jo me urrejtje.
 
Këto ëndrra në kaltërsinë e padjallëzisë përhumbeshin
ku të gjithë fëmijët sikurse mua 
një botë të lumturuar ëndërronin.
 
Tashmë vogëlush nuk jam
por brenda meje ai fëmijë ende ka mbetur.
 
HESHTJA
 
E akullt hyn heshtja në këtë dhomë
sikurse e zbrazët të ish, pa jetë
pa dashuri, por edhe pa urrejtje...
 
Bosh ndjehesh 
asnjë tingull nuk e ndriçon zemrën tënde
rrugëve të zbrazëta brenda shpirtit tënd të ftohtë
si ngricat e para të dimrit.
 
Brenda teje është indiferentizmi
sikur shpirtin tënd ta ketë pronësuar,
në një portë të ftohtë, të burgosur.
 
Por një ditë brenda teje dielli shfaqet
dhe papritur indiferentizmi zhduket
brenda teje do të ngrohet shpirti yt i ftohtë 
dhe dashuria do të rikthehet.
 
TË QENURIT HIÇ
 
I humbur ndihesh në atë dhomë të ftohtë
vetëm një mur, trishtim sheh
ndjenjë zbrazëtie brenda zemrës
të një ngrice të egër, 
si një fushë e pambjellur
dhe një vranësirë e errët brenda shpirtit tënd
e sy të fikur si një cigare
në tavllën e sapo vendosur.
 
Por në zemrën tënde një ditë
do të rikthehet të shkëlqejë sërish dielli
jeta tek ty në sipërfaqe do të vij 
dhe i qenurit hiç, ajo ndjenjë e ftohtë
kurrë më s'do të rikthehet.
 
Një buzëqeshje si qielli plot yje
në fytyrën tënde do të shfaqet 
dhe në pasqyrë do të shohësh
refleksin e të qenurit i rilindur. 
 
Përktheu: Angela Kosta Drejtore Ekzekutive e revistave fizike: MIRIADE, NUANCES ON THE PANORAMIC CANVAS, BRIDGES OF LITERATURE, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese