Adem Demaçi (1936-2018)
AFISHJA E KATËRT E POETIT
O vargu im pusho vajin
pusho vajin se na qesh bota
Nuk do të mbetemi prore fëmijë
fëmijë që vetëm do të qajmë e ankohemi
Fluturo o vargu im
fluturo mbi kullat e Jasharajve në Prekaz
dhe lexo afishen e Sat Nokshiqit
Afishen e shkruar me gjak në bore
O Shaban Jashari ngrehu ore nga varri
se prapë po ta rrahin Drenicën
ngrehu ore nga varri
se prapë po t'i burgosin djelmoshat
O Hamzë Jashari ngrehe zërin o burrë
se Drenica është zënë në kërpnaja
se Drenica është pulitur
se Drenica ka humbur udhën në oborr të vet.
Drenica shpresonte se gjaku i saj
se gjaku i saj do të mbillte farën e lirisë
Drenica shpresonte
por shpresat e Drenicës sikur po davariten
O Adem Jashari ngrehu ore nga varri
Ngrehu nga varri e shiko rreth e rrotull
Shiko e fole një fjalë prej stralli
se më ka marrë malli
Por s'e di a dëgjohet ende fjala jote
Dardania e bukur me Drenicën në zemër
është bërë një livadh i shkretë
që e kullosin kuajt e verbër
ku hyjnë e dalin derri e dosa
ku kotet drapri e flen kosa
Ngrehuni ore nga varret
se kanë filluar
shumë hilexhinj e dallaverexhinj
të kullosin mbi varret tuaja
Mbi varret mbi varret mbi varret
Tung vargu im