Lumo Kolleshi - Cikël i datës 7 prill

Lumo Kolleshi - Cikël i datës 7 prill
GRAMATIKË PRILLI

(Cikël i datës 7 prill)

Që të mos shkas në humbëtirë e ti te jesh e tëra valëzim,
Me ata qerpikë të ngrirë ia hiq thonjëzat trupit tim.
Dhe, kur kësaj grmatike nuk ke çfarë t'i heqësh më,
Pasthirrmat nis tek perënditë e t'i lësh pa frymë e zë.

07.04.2014
.....................................

TË THASHË,MOJ PJERGULL

Të thashë të mos çelje kaq herët,moj pjergull,
Të thashë,sa gjuha m'u bë copë,
Ti pe qershinë që ngriti vetull,
Shpërthimin nuk e mbajte dot.

Të thashë se mali si dreq mbledh dëborë
E fjalët m'i more për trill.
Të them sot e gjithmonë:
Harro të çelësh më shtatë prill.

07.4.2015

ËNDRRA

E vetmja kështjellë mbetur tek unë
Dhe unë fill i vetëm brenda saj,
Herë lumturisë i zë brumë,
Herë lotit të kripur i hedh vaj.

Atë s’e lëkund tërmet e mbret,
Me turp tërhiqet çdo ushtri,
Ajo veç qiellit lejë i jep,
Hedh dritë atje ku syri ka uri.

Dhe syrin mpreh prapë nga frëngjitë,
Të mos kenë zemrat drithërim.
Një jetë që rri roje në pritë,
Një jetë e shkrirë në ëndërrim.

07.04.2016
.....................................

Eshtë fyer rëndë raca e qenve,
Ua vodhën lehjen njerëzit me imunitet.
Hidhu,o popull,kockën e fundit mes këmbëve,
Së paku,të hahen e të shqyhen si qenër të vërtetë.

07.04.2017
.....................................

VARGJE NË KOHË BEZDIE

Eh, çuditshëm fryn një erë,
Në facebook të faqes sime,
Qenkan sulur shumë bankierë,
Deri dhe në Filipine.

Më kërkojnë miqësi,
Nga gjithë bota veç bankierë,
Sikur shufra me flori,
Me lesh xhami kam mbështjellë.

Eh,moj dreqkë që s'po më ndahesh,
Si në pemë një majmun,
As me hudhër nuk më hahesh,
Vdis Stambollin,moj Fusun!

Po, s'mërzitem,në tastierë,
Ka per fat dhe një "delite",
Fshi e fshi për ditë bankierë,
Sa vet fshesa m'u mërzit.

07.04.2021