Sofia Arapaj, Redaktoi dhe përgatiti Angela Kosta

Sofia Arapaj, Redaktoi dhe përgatiti Angela Kosta
CIKËL POETIK NGA SOFIA ARAPAJ 
 
Sofia Arapaj ka lindur në fshatin Mekat i dytë, Vlorë më 6 Dhjetor 1969. Shkollën tetë - vjeçare e mbaroi në fshat dhe më pas vazhdoi studimet me bursë nga shteti në gjimnazin e përgjithshëm të Himarës. Pas mbarimit të gjimnazit 1984 -1988 u rikthye në fshat. Botimi i poezive të para ka qenë në ''Zëri i Vlorës'', emisione rinie etj. Në 1991 iu dha mundësia dhe vazhdoi studimet e larta pashkëputje nga puna, në Gjirokastër, në degën Gjuhë - Letërsi, po nuk mundi ta mbaronte. Në vitin 1994 emigroi në Greqi me bashkëshortin dhe familjen në Tylisso të ishullit të Kretës ku ende jeton. Pas një shkëputjeje të gjatë, në vitin 2007 botoi librin e parë: Ifestio" në Shtëpinë Botuese "Detoraki". Meqenëse libri u prit mirë, sepse u lexua nga kanalet radiofonike ku ishte dhe e ftuar, Sofia vendosi të rifillojë të shkruajë poezi në gjuhën shqipe dhe botoi: 
- ''Brishtësi'' (Botimet Emal, 2010)
- ''Vrullimi i flakës'' (Shtëpia Botuese LNSHA, 2014)
- ''Nëntë detet e Orfeut'' (Lenagrafik - Prishtinë 2016)
- ''Shegët pëlcasin nga vetmia" (Klubi i Poezisë - Tiranë, 2018)
- "Terminal" (Botim nga Rexhep Shahu dhe Klubi i Poezise - Tiranë)
- "Terminal'' në gjuhën amtare, rrëmënesht, përkthyer nga Kristo Goci.
Sofia ka botuar gjithashtu poezi në Antologjinë Atunis Galaxy - 2022, Anthology Contemporary World Poetry, Atunis Poetry, tregime të botuara në Antologjinë e Tregimit Shqiptar, etjer.
 
TË DIELËN...
 
Të dielën nuk martohem!
Nuk do të ketë gazmorë, të më prekin fustanin 
nuk do ketë sazexhinj, që do i bien për mua
as misra dhëmbë floriri të ngulur në mur,
as kurorë dafine, as shegë e as ftua
vetëm një këngëtar guguftu,
gu-gu ftu, gu-gu ftu...
 
Shtriga e ka ngrënë tërë xhadenë 
rrukullis draka-druk tenxherenë 
ndërsa dhëndri nuk vjen dot këtu
gu-gu ftu, gu-gu-ftu, gu-gu-ftu...
 
***
Kur Minoa i dashuruar, 
po fërkonte kurbanin,
siç isha, e braktisur diku,
pas qypave gjigande të verës,
më zuri tehu i mëkatit,
për faj të syrit të hënës...
Koka m'u shkëput në çast,
Ma la mua trupin ashtu,
të digjej prej tringëllimës,
vraponte nën dritën që verbonte,
për faj të syrit të hënës...
 
Nën rrobën e tejdukshme të mbretit,
u kacavirr gjaku im i nxehtë i florinjtë, 
ndërsa kurora e syrit tim të dalë,
si për inat të syrit të hënës,
afrohej edhe më, duke i buzëqeshur...
 
Ma ngriti kokën nga sheshi mbreti,
ma pastroi plot dhembshuri,
ma vuri syrin në vend,
ma ciku me buzë ''flokun'' e mëndafshtë, 
më lëshoi me kujdes... me kujdes,
përmbi mermerin e ftohtë...
 
Pak më tej, klithmat e gjoksit tim,
min-ao, min-ao, min-aooo,
unë jam këtu, unë do jem këtu...
 
Minoa i pallatit, u pikëllua,
më puthi tri herë në faqe,
më shtrëngoi dhimbshëm,
ma bekoi fytyrën Arëmëne,
e më la përsëri mbi mermer...
 
***
Ujku më ruante 
fshehurazi në errësirë
më shihte të tërën  
kur lahesha në lumë
më nanuriste si puhizë 
kur shkoja e ktheja dhinë
më mbështillte me lepushka, kur flija gjumë...
 
Ujku u mbyll i vetmuar 
e i tretur nga inati
pse nuk qëndisa futën, futën e një ftoi
pse nuk u rrahëm bashkë të nxirrnim gjalpin
pse nuk i vodhëm fiqtë  
t'i ndanim tek përroi...
 
***
Oh... oh...
Të humba o zemra ime, 
o përkëdhelja mbi gju,
Vuaj, o vështrimi im i ëmbël, paqen e syve të tu,
të dashuroj, o shiu im i ëmbël,
e vërdallisem kuturu,
po shkalloj o cipa ime e zemrës, 
e më dhemb këtu...
 
***
Trin- trin- trin...
Orfeu, i zemrës o yll,
Eja po të do Sibilë...
Oh...
Ngjeshëm mua lehtë në brinjë
Lozëm mua, me gishtërinj
Tinguj ëmbël kanarinë...
 
Orfeu me nëntë tela
Më duaj si tënden lirë
Sa të bjeri, nata e mirë
Vreshtat të pikojnë verë.
 
Eja, Orfe si atëherë
Sibila të zbukurohet
Kiparisë të ëmbëlsohet
Ujk e dele të dashurohen.
 
Ngjeshëm mua lehtë në brinjë
Lozëm mua, me gishtërinj
Tinguj - ëmbël kanarinë
Çuditi, kush ven' e vijnë...
 
Redaktoi dhe përgatiti Angela Kosta Akademike, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese