SHKRIMTARI QË SHKRIU KUFIJTË MES POLITIKËS DHE LETËRSISË

SHKRIMTARI QË SHKRIU KUFIJTË MES POLITIKËS DHE LETËRSISË

SHKRIMTARI QË SHKRIU KUFIJTË MES POLITIKËS DHE LETËRSISË

 

Në ditët e Muajit të Letërsisë, Biblioteka “P. Budi”, në bashkëpunim me Klubin Letrar "P. Budi", Mat dhe Qendrën Shqiptare të Studimeve Letrare “P. Budi”, Tiranë, zhvilluan në Burrel një takim promovues rreth krijimtarisë letrare të një prej shkrimtarëve më në zë të kohës së sotme, Namik Dokle, i cili shkriu kufijtë mes politikës dhe letërsisë. Në emër të Klubit letrar “Pjetër Budi”, Mat foli sekretari i Klubit, poeti e gazetari Fatmir Neli.

Ju uroj mirëseardhjen në takimin e sotëm letrar me shkrimtarin e mirënjohur, Namik Dokle, në kuadër të muajit Tetor, muaji i Letërsisë! Ky takim na fton për t'u njohur me CV-në lertrare dhe jo vetëm të shkrimtarit, politikanit, parlamentarit dhe misionarit të paqes, Namik Dokle, i ftuar nderi në Festivalin tonë të 4-të Kombëtar "Muza Poetike Budiane", shtator 2019.

I ftuari ynë i nderit, edhe sot, Namik Dokle, për të gjithë ata që duan të dinë më shumë mbi CV e tij jetësore dhe letrare, është lindur më 11 mars 1946 në Durrës, në një familje me tradita të hershme patriotike në shërbim të kombit shqiptar. Ka mbaruar studimet e larta në dy fusha të ndryshme. Në vitin 1969 u diplomua në Fakultetin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Një vit më vonë, u diplomua në Fakultetin e Ekonomisë Agrare në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Pas diplomimit kreu trajnime e specializime në fusha dhe vende të huaja të ndryshme. Në vitin 1970, sapo u diplomua si gazetar, ushtron këtë profesion në Gazetën “Puna”, deri në vitin 1983. Në këtë vit bëhet kryeredaktor i kësaj gazete deri në vitin 1989. Ndërsa në vitin 1991 u bë kryeredaktor i Gazetës më të madhe të kohës “Zëri i Popullit”. Në gazetari numëron rreth 700 artikuj, ese, intervista në shtypin shqiptar dhe intervista në shtypin e huaj italian, grek, amerikan dhe spanjoll.

Përveç karrierës së suksesshme si gazetar dhe redaktor që nuk e braktisi asnjëherë, Namik Dokle është dhe politikan dhe parlamentar i suksesshëm. Në qershor të vitit 1991 u bë anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste të Shqipërisë, ku në vijim do të merrte një sërë përgjegjësish në këtë organizëm politik: nënkryetar i Partisë Socialiste, Sekretar Organizativ i saj, Sekretar i Përgjithshëm, zv. kryeministër në vitin 2004. Shkrimtari Dokle ka një CV të pasur dhe si parlamentar, duke marrë role të tilla si kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste; nënkryetar dhe Kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Krahas veprimtarisë partiake dhe parlamentare Namik Dokle ka një veprimtari shumë të pasur në politikën e jashtëme dhe përfaqësimi dinjitoz të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës si dhe në arenën ndërkombëtare. Gjatë karrierës profesionale dhe politike është dalluar si një personalitet me shpirt humanitar dhe ka dhënë kontribute të mëdha në ndihmë të komuniteteve, organizatave joqeveritare në mbështetje të njerëzve në nevojë. Dokle ka pasur një veprimtari të gjerë si misionar paqeje, i angazhuar në organizatën ndërkombëtare lobuese "Misioni Diplomatik Paqe dhe Prosperitet", pjesë e OKB-së. Në fushën e letrave, Namik Dokle është bërë shumë i njohur për librat, dramat që ka shkruar të cilat janë vlerësuar edhe me çmime kombëtare. Karrierën e nisi me tre libra narrativë: "Kur erdhi pranvera" (1971), "Miqtë e babait tim" (1973), "Kripë mbi borë" (1976). Në CV-në e tij letrare numëron shumë drama: "I paepur në stuhi", "Buka e pathyer", "Mungojnë dy fishekë", "Ne kurrë nuk dështuam", "Mjegulla e një dimri të largët", "Kthimi i mposhtësve", "Ura midis jetës dhe vdekjes", "Koha në gjunjë s’na ka parë", "Fantazma e Danubit", "Dënimi i dytë i Homerit", "Viti i qenit në 2009-tën", "Vetëvrasja e luleve", "Shën Maria e Beratit", "Varri i të gjallëve". Në literaturën e tij politike të shkruar, Namik Dokle pikasi në 2001 me librin “Piedestalet pa statuja”, i cili u vlerësua shumë nga kritika shqiptare.

Viti 2015 e në vijim e gjen Doklen krahas të tjerave të përkushtuar ndaj gjinisë së romanit. Ai vlerësohet nga panaire dhe promovime të ndryshme të librit brenda e jashtë kufijve të Shqipërisë, për romanin “Vajzat e mjegullës”. Në 2017 del para lexuesit me librin “Lulet e skajbotës”. Në 2018 sjell në jetë romanin “Ditët e lakuriqëve të natës”. Ndërsa në 2021, me romanin “Kolerë në kohë të dashurisë”, kushtuar poetëve të pushkatuar dhe të vrarë, por dhe atyre të vrarë shpirtërisht, fiton Çmimin “Romani më i mirë” në panairin e librit të Shoqatës së Botuesve të Kosovës.

Klubi Letrar “Pjetër Budi” Mat falenderon shkrimtarin Dokle për gjithë kontributin e dhënë në sferën e letrave shqipe, duke i uruar shumë suksese në penën dhe në jetën e tij shumëdimensionale!

Nga profili i Klubin Letrar "Pjetër Budi"