Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99” - Përjetimet e të dëbuarve me dhunë nga forcat serbe
HISTORI E HIDHUR E PLOT SAKRIFICA
Sherife Luta
Tash, edhe pas kaq shumë vitesh, ndihem krenare në përvjetorët e lirisë, e që mund t'ua rrëfej historinë time personale, shumë të hidhur e plot sakrifica, e cila histori është e ngjashme me atë të popullit tim të shumë vuajtur nëpër dekada e shekuj.
Është rrëfimi më i dhimbshëm i jetës sime, por ndihem mirë që sot mund të flas lirshëm, pikë së pari falë burrit tim dhe shumë burrave e grave të tjera të UÇK-së, të cilët gjatë viteve 1998/ 1999. kishin kapur armët për të luftuar për lirinë e popullit dhe të vendit tonë.
Por, asnjëherë nuk duhet dhe nuk guxojmë të harrojmë edhe mbështetjen e pakursyer të shteteve aleate, paqeruajtëse të NATOs, të cilët më 1999 i dhanë vulë lirisë sonë të shumëpritur.
Sot edhe mund të mos isha gjallë, sepse më 8 mars të vitit 1999, ora e ligë nisi jo vetëm për mua, por për të gjithë shqiptarët që jetonin në vatrat e tyre stërgjyshore...