Sadri Fetiu - VEPËR QË ÇMISTIFIKON RRJEDHAT E POLITIKËS SË SOTME

Sadri Fetiu - VEPËR QË ÇMISTIFIKON RRJEDHAT E POLITIKËS SË SOTME
VEPËR QË ÇMISTIFIKON RRJEDHAT E POLITIKËS SË SOTME
 
Recenzion per romanin JETA E DYFISHTË te autorit Reshat Sahitaj
 
Studiuesit e letërsisë kaherë kanë konstatuar se për të krijuar një roman të suksesshëm është e domosdoshme që autori të ketë përvojë të pasur jetësore dhe në mënyrë të veçantë, përvojë në fushën e krijimtarisë letrare. Të dy këta përbërës të suksesit i ka autori, Reshat Sahitaj, romanin e të cilit, “Jeta e dyfishtë” do ta trajtojmë brenda këtij vështrimi. Ai është sprovuar shumë në jetë, sepse që nga fëmijëria e ka përjetuar skamjen dhe vuajtjen, në rini është ballafaquar me dhunën dhe shtypjen nacionale, pastaj edhe jetën e rëndë të mërgimtarit dhe luftën për të çarë përpara si individ në planin e ngushtë personal dhe si pjesëtar i Lëvizjes Kombëtare për lirinë e Kosovës.
Reshat Sahitaj edhe në fushën e krijimtarisë letrare deri sot ka dhënë prova të suksesit me ty përmbledhje të tregimeve dhe me dy romane. “Jeta e dyfishtë” – romani i tij i tretë tashmë dëshmon për pjekurinë e tij të plotë në këtë fushë të vështirë të krijimtarisë letrare.
Duke përfunduar kaptinën “Synimet e romanit Protej”, studiuesi i njohur i “Historisë së romanit modern”, Rene Maria Alberes, konstaton “veçoria dalluese e një romani gjendet pa dyshim në fuqinë dhe besueshmërinë e atij vizioni që na ofron, të atij zëri që flet, ose edhe të atij konstruksioni arkitektural që na imponohet vetvetja, duke i zbuluar disa karakteristika të hapësirës imagjinare”.
Duke u nisur nga këto konstatime mund të themi se romani “Jeta e dyfishtë”, me vizionin e tij te paraqitjes së ngjarjeve bashkëkohore, më në fund, si edhe shumë vepra të suksesshme të letërsisë, nuk mund të përkufizohet thjesht brenda llojit të caktuar. Ai është kallëzim, rrëfim i mirëfilltë që flet me besueshmëri të plotë për njerëzit dhe kohën në rrethana të caktuara historike.
Si krijim i veçantë autorial në të gjitha aspektet e ka trashëguar mitin dhe epopenë. Si roman i ri, në kuptimin e mirëfilltë të teorisë së romanit, ndonëse flet, rrëfen, për ngjarje bashkëkohore, mund të thuhet edhe për të sotmen e drejtpërdrejtë, për njerëzit që janë në jetë dhe në skenën e politike, autori ka meritë të veçantë, sepse e ka ruajtur me shumë sukses distancën emocionale, qetësinë karakteristike dhe paanësinë që e karakterizon eposin. Ai pothuajse në asnjë rast nuk i vlerëson drejtpërdrejt heronjtë e veprës së tij, por vetëm rrëfen për ta, për veprimet, për botën e tyre shpirtërore, për mendësinë dhe pasionet e tyre. Për ta bërë më të besueshëm rrëfimin e tij, ai në strukturën tekstore të romanit sjell edhe pjesë thjeshtë dokumentare, duke krijuar trajta të veçanta të palimpsestit brenda struktura të ndryshme tregimtare.
Trashëgimia mitike edhe në këtë rast, siç ndodh përgjithësisht me mitin si kuptim i veçantë në raport me artin, lidhet drejtpërdrejt me besueshmërinë. Kështu, romani me mënyrën gati dokumentare të paraqitjes përmban në vetvete mitin modern, që njëkohësisht veron si proces i çmitizimit, i cili në përmasa të përgjithshme të rrëfimit e bën çmistifikimin e rrjedhave politike të kohës sonë, i nxjerr në sipërfaqe të gjitha trillimet, mashtrimet dhe përgjithësisht veprimet e errëta, tinëzare e tradhtare të njerëzve të kohës sonë, kryesisht të shqiptarëve të Kosovës dhe armiqve të tyre.
Në pjesët e strukturës tekstare, kur autori nuk merret drejtpërdrejt me personazhet, brenda kallëzimit veprojnë intermecotë si struktura eseistike e poetike, ose thjesht si dokumente që, bashkë me krijimin e atmosferës së përgjithshme, e pasurojnë strukturën tregimtare me llojllojshmëri të reja shprehëse.
Të gjitha këto shpërndërrime të rrëfimit imagjinativ për ngjarjet, të dokumenteve faktike që shtrihen në kufijtë e dëshmive reale me të dhëna themelore që lidhen në kohën konkrete, të shpjegimeve të përgjithësuara për njerëzit dhe mjediset e ndryshme nga pozicioni i rrëfimit të narratorit të gjithëdijshëm, romanit i japin veçoritë proteike që e provokojnë imagjinatën e lexuesit.
Në të vërtetë, lexuesin e shqetësojnë jo vetëm njohuritë e reja që gërshetohen brenda rrëfimit, por edhe mëdyshjet për vërtetësinë e tyre. Këto mëdyshje që nxisin mendimin, bëhen edhe më provokuese, kur brenda formave të nduarduarshme të rrëfimit janë edhe personat realë, figurat e njohura të politikës bashkëkohore. Situatat e këtilla realizohen më së shpeshti me mjete të shprehjes origjinale të një ironie të hollë, që vende-vende shndërrohet në groteskë, duke i zgjeruar kështu përmasat satirike të romanit.
Në shikim të parë duket se vepra është një rrëfim spontan për njerëzit dhe kohën, megjithëse romani ka një strukturë të planifikuar në mënyrë të plotë, që formalisht ka edhe pamje të një ditari. Kjo përshtypje krijohet, sidomos kur shihet se kaptinat e romanit, në të shumtën e rasteve, nuk kanë tituj të veçantë, por identifikohen sipas vendit dhe kohës në të cilën bazohet rrëfimi.
Dhe koha e drejtpërdrejtë e ngjarjeve të romanit ka një shtrirje të plotë tridhjetëvjeçare, por rrëfimi është përqendruar në dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit XX dhe në fillim të shekullit XXI, mu në kohën kur brenda hapësirës shqiptare, ballkanike dhe evropiane ndodhin ngjarje të mëdha dhe hapen procese që nuk kanë përfunduar ende.
Romani “Jeta e dyfishtë” ka strukturë të plotë tregimtare dhe disa personazhe që me sjelljet dhe veprimet e tyre paraqesin shtyllat e konstruksionit arkitektonik të saj. Bartës i tërësisë së rrëfimit është Arsimi, protagonist që është krijuar në bazë të parimeve themelore të romanit të personazhit.
Arsim Shaqir Berisha, siç identifikohet vetëm në një rast brenda romanit, është veprimtar i Lëvizjes Çlirimtare të Kosovës. Arsimi është figurë e plotë me përmasat e heroit të veprës, me të cilin fillon dhe mbyllet tragjikisht rrëfimi në roman. Në bazë të shumë shenjave identifikuese është e besueshme se ky personazh përmban shumë segmente autobiografike të autorit të veprës dhe sigurisht është edhe bartës i ideve të tij.
Me sukses të plotë, krahas Arsimit, është ngrehur edhe figura e antagonistit të tij shpirtëror dhe ideor, Bujarit, gazetarit, agent të rrezikshëm të shërbimit sekret serb. Duke krijuar me përmasa të plota figurën e Bujarit në bazë të parimit të epizmit klasik, ai ka bërë një personazh krejtësisht origjinal në traditën e romanit shqiptar. Në këtë mënyrë atë bashkë me Stanishiçin, që paraqet nyje të veçantë për ngjarjet e romanit, i ka ndërtuar si personazhe të plota letrare dhe romanin e ka larguar nga klishetë karakteristike për romanin policor.
Brenda hapësirës imagjinative të rrëfimit për Arsimin dhe Bujarin veprojnë edhe shumë personazhe reale dhe të imagjinuara që paraqesin tërësinë komplekse te rrjedhave politike brenda hapësirës shqiptare. Janë realizuar me profilin e plotë sidomos figura e Mehmetit, politikanit tradicional të Kosovës që vepron ne dy etapat e rëndësishme të historisë së saj, te kohës së monizmit dhe fill pas saj, pastaj ajo e Zanës, e Vjoses, e Jerës e te tjera. Autori i ka përcaktuar qartë me veçori dalluese edhe njerëzit e njohur realë të kohës sonë, sidomos figurat e njohura te skenës politike të Kosovës dhe të Serbisë bashkë me dy protagonistët e saj, Ibrahim Rugovën dhe Sllobodan Milosheviqin.
Brenda pjesës dokumentare të këtij romani nuk janë pa interes edhe figurat politike evropiane dhe amerikane, reale dhe të imagjinuara, të cilat, pos të tjerave, dëshmojnë edhe për nivelin e veçantë veprimit politik bashkëkohor në krahasim me naivitetin dhe meskinitetin e veprimeve të politikanëve shqiptarë e ballkanikë.
Ecuria artistike e rrëfimit proteik brenda romanit “Jeta e dyfishtë” pëson ndërrime të skajshme: nga ngrohtësia e dhembshme për fatin e njeriut, dashuria njerëzore për jetën, nga shëmtia e tradhtisë e pasionet e ulëta epshore, diagrami i rrëfimit lëviz drejt paraqitjes ironike e sarkastike të realitetit, në të cilen bashkëjetojnë mendësia e robit – shërbëtor i të huajve që është i gatshëm të bëjë çdo gjë për të realizuar favoret e veta dhe karakteri i lartë i heroit e gatishmëria e tij për flijim për ideale me të larta për lirinë dhe bashkimin kombëtar të shqiptarëve.
Këtu me ndjeshmëri të theksuar dhe me qëndrim karakteristik te epikës tradicionale është paraqitur edhe lufta e UÇK-së me të gjitha nuancat tronditëse, madhështore dhe tragjike. Edhe përmasat e kësaj lufte i karakterizon qëndrimi objektiv i autorit dhe ndërtimi i suksesshëm i situatave konfliktuoze dhe i atmosferës së përgjithshme të pjesëmarrjes së faktorit popull në këto rrethana tragjike, të realizuara jashtë skemave të njohura të veprimeve ushtarake të paraqitjes bardh e zi të realitetit në romanin shqiptar të luftës.
Brenda shpërnderrimeve të konkretësisë reale jetësore dhe fiksionit të procesit krijues, për të cilin flet Rexhep Qosja në Parathënien e veprës, vend të veçantë ka përmasa politike e romanit. Mund të thuhet se duke krijuar personazhet reale nga jeta dhe ato të imagjinuara, që janë fort lehtë të identifikueshme, autori nuk e ka kursyer askënd, madje edhe njerëzit e tij të identifikueshëm nga rrethi i ngushtë familjar.
Ky dimension i romanit do të bëjë veprën më të lexueshme për shkak të kureshtjes së njeriut tonë për ta njohur të sotmen, sidomos përmasat e politikës bashkëkohore, por do të hapë edhe diskutime që do të dalin jashtë sferës së artit.
Megjithatë, romani nuk guxon kurrësesi të identifikohet me pamfletin politik, sepse me të gjithë përbërësit e strukturës së vet është vepër e artit, është roman i ri në kuptimin e mirëfilltë teorik të kësaj fjale, që si lloj i veçantë i ka munguar letërsisë sonë. Prandaj, duke përfunduar këtë vështrim të shkurtër për veprën, mund të themi lirisht se romani “Jeta e dyfishtë” i Reshat Sahitajt është vepër që synon të hapë shtigje të reja për artin shqiptar të kohës sonë.