Kujtim Hajdari - Recension

Kujtim Hajdari - Recension
VEÇORI TË ROMANIT “SHPIRT I BURGOSUR” TË AUTORES ANGELA KOSTA
 
Nga Kujtim Hajdari
 
Angela Kosta, tashmë e njohur nga të gjithë si në vendin e saj po ashtu edhe në një shumicë vendesh në botë për veprimtarinë e saj si: gazetare, shkrimtare, poete, promovuese dhe përkthyese, që në veprat e para të saj, spikat me talentin dhe artin e të shkruarit, duke na dhënë vepra të tilla si romani “Shpirt i burgosur” që të lënë mbresa, impresione dhe të sjellin në faqet e tij dhe njëkohësisht para lexuesit ngjarje, përshkrime, dialogje që janë në resonancë të plotë me realitetin e kohës që përshkruan dhe bën që lexuesi të interveprojë me këtë realitet dhe personazhet që sjell, të jenë sa real aq dhe të besueshëm, saqë herë - herë, lexuesi e ndjen veten një ndër ata, kalon në përjetime që jo vetëm bëhen aq tërheqës dhe shprehëse por dhe lënë gjurmë në kujtesën e tij, duke i dashuruar personazhet dhe duke kërkuar t’u përngjaj.

Dhe me këtë, romancierja arrin detyrimin e lartë që ka çdo artist dhe shkrimtar njëkohësisht, që të pasqyrojë realitetin në mënyrë të natyrshme, të besueshme dhe në mënyrë të bukur artistike, d.m.th. krijuese duke e shprehur atë edhe me aftësinë dhe forcën e fantazisë së saj, duke arritur kështu detyrën më të rëndësishme që ta bëjë veprën e saj një etalon edukimi për lexuesin, që të gjej në vepër jo vetëm një përshkrim të bukur e të arrirë të këtij realiteti, por të mbajë dhe një qëndrim analitik dhe psikologjik bindës të shkrimtarit, që jo vetëm ta ngacmojë lexuesin, në kuptimin e mirë të fjalës, por dhe t’i lindi një obligim moral si edhe kënaqësi për të mësuar nga personazhet.
Do të thoja se kjo veçori, vihet re gjatë gjithë romanit; si një skulptor i mirë që gdhend me art e kujdes veprën e tij, ashtu dhe romancierja do të shohë me kujdes e me syrin e artistes çdo skene, çdo ngjarje, çdo dialog do të shtoja dhe çdo fjalë në veprën e saj. Është vështirë të gjesh në roman gjëra të tepërta, apo siç i quajmë shpesh “ujëra”. 
Duke i ndjekur ngjarjet me këtë kujdes, si në planin kohor ashtu dhe në atë hapësinor, ndërhyn shpesh me mendimet e analizat e saja, duke shpërfaqur e zbërthyer më mirë botën e personazheve, duke pasqyruar më me bukuri dhe më me force ngjarjet dhe teatrin e ngjarjeve, dhe ajo që është mjaft pozitive, se kurrë nuk e rëndon ngjarjen me ndërhyrjet e saja. Si autore, ajo shkon si bashkëshoqëruese, duke rrezatuar shtigjet e rrugicat ku ajo dëshiron të kalojë vepra e saj. Këtë e shohim edhe kur ndjek e udhëheq me kujdes në të ardhmen personazhin kryesor të romanit, Vilmën, e cila pasi ka humbur gjithë familjen në fatkeqësinë e Kanalit te Otrantos e njëkohësisht dhe shpresën e saj deri edhe dëshirën për të jetuar, autorja e çon në kontakt me njerëz të mirë dhe në ambiente të tilla, që ky personazh i mbytur shpirtërisht, dalëngadalë fillon të ndjejë prapë dashurinë për jetën e të ushqej shpresën, të rrisë vullnetin për të përballuar të ardhmen, dhe jo vetëm por për t’u bërë diçka për veten, por dhe për ata që s’janë më, që sigurisht do të ndjeheshin shumë krenar e të gëzuar ta shihnin të tillë. Përpara saj kalon gjithë jeta, e kaluara në Shqipëri, fatkeqësia e tragjedisë së Otrantos, ditët në spital, ndihma e infermieres Sabrina dhe motrës së saj Barbara, afrimi dhe ndihma shpirtërore mbi të gjitha edhe të shoqeve të tyre Sara, Cinzia etj. Si në ekran i dalin kampi i pritjes së emigranteve me përgjegjëse Loredanën, sa mikpritëse aq dhe e preokupuar ta ndihmoj, skena e dhimbjes së papërshkrueshme e identifikimit të kufomave, dhe të gjitha këto e bëjnë të reflektoj, t’u bjerë këmbanave të ndërgjegjes se ajo duhet t'i justifikojë këto sakrifica të të gjithëve me studimet dhe punën në të ardhmen e saj. 
Të gjitha këto i hapin dyert e shpresës, i rikthejnë dëshirën dhe vullnetin dhe ajo merr zotimin që të mos zhgënjej asnjë, në radhë të parë familjarët e saj që sakrifikuan jetën, pastaj veten dhe gjithë shoqërinë që bënë aq shumë për të. 
Dhe ajo, atë “Shpirt të burgosur”, nga dhimbjet (nga i cili ka marrë titullin edhe romani), e çliron për të marrë në dorë jetën e saj.
Nuk po ndalem në hollësitë e skenave për të mos ju hequr kuriozitetin dhe kënaqësinë e leximit, por doja të sqaroja se duke ndjekur personazhin kryesor hap pas hapi dhe në rrugën që ajo i ndez semaforët, realizon njëkohësisht dy ide të rëndësishme dhe aktuale që kudo në botë, ka njerëz të mirë dhe të predispozuar për të ndihmuar të tjerët në fatkeqësi, edhe në mënyrë indirekte me thirrjen që çdokush duhet ta shoh shoqërinë me këtë sy, të ndihmoj e të bëjë atë që mundet për t’u ardhur në ndihmë të tjerëve.
Këto ide i shohim të realizuar me linjat dytësore të romanit, si ajo e Sabrinës, infermieres, e motrës së saj Barbara, që punon në kampin e emigrimit, të Loredanës, përgjegjëses së kampit, autoriteteve shtetërore të cilët e ndihmojnë të pajiset me leje - qëndrimi dhe dokumenta.
Në roman do të gjeni skena e ngjarje të shkruara me finesë që të prekin me kulturën e sjelljen e tyre, me afërsinë dhe ndihmën qe i afrojnë Vilmës, krahas problemeve të tyre familjare që nuk mungojnë në asnjë vend të botës.
Po me kaq mjeshtëri, në roman janë dhënë dhe keto linja dytësore, si ajo e motrave Sabrina e Barbara, me dashuritë dhe fatkeqësitë e tyre, si dhe ajo e Sarës me Antonion, që zë një vend të konsiderueshëm në roman dhe realizon ide të rëndësishme të një shoqërie moderne, se para interesave të mëdha jetike të familjes, mund e duhet të falet ndonje gabim në çift, aq më tepër kur dashuria është e fortë nga të dy. Me këtë linjë, autorja na sjell ndërmend se familja duhet parë si e shenjtë, ashtu siç duhet të jetë sikurse celulë e shoqërisë.
Po kështu shihen dhe problemet në linjën e çiftit tjetër Cinzia-Aleksandër, duke nënvizuar me këtë linjë se Dashuria duhet ushqyer e mbajtur gjallë, krahas punës e detyrimeve të tjera familjare, ndryshe ajo ftohet, zbehet, mbaron.
Duke përfunduar, doja të shtoja diçka për gjuhën e romanit dhe sintaksën e tij. Në këtë vepër, nuk do të ndeshni fraza të rëndomta, përsëritje të panevojshme, banalitete apo barbarizma. Edhe pse autorja ka dekada që jeton jashtë, ajo e ruan të pastër shqipen, i zgjedh fjalët me kujdes edhe nga ana leksikore. Nuk do të ndeshni krahinizma të rënda për t’u kuptuar, apo fjalë të vështira dialektore, pasi Kosta përdor gjuhën e pastër zyrtare, të cilën e kombinon me sintaksën e fjalive dhe të periudhave, duke e bërë sa më shprehëse. Nga ana sintaksore gjithashtu, është për t’u vënë re, se fjalitë e periudhat nuk të lodhin e vihen gjithmonë në shërbim të skenave dhe amfiteatrit ku zhvillohen ngjarjet.
Duke e parë në tërësi, romani është një vepër shumë e arrirë, me interes për cilindo, për mesazhet që përcjell dhe rëndësinë e vlerave që ka, si ato shoqërore po ashtu edhe ato letrare artistike.
I uroj autores suksese e me vepra të tjera edhe më të bukura.
 
(Kujtim Hajdari - Janar, 2025)