Rrahman Hyseni - VARGJE ME DEDIKIM PËR VENDLINDJEN

Rrahman Hyseni - VARGJE ME DEDIKIM PËR VENDLINDJEN
VARGJE ME DEDIKIM PËR VENDLINDJEN
 
Poetesha Majlinda Shaqiri ka të drejt kur shkruan: “Ajo çfarë më shtyu të shkruaj këtë libër në vargje dedikim vendlindjes dhe atdheut tim është dashuria e madhe ndaj popullit tim, kombit dhe gjuhës shqipe si dhe flamurit Kuq e Zi. Vuajtjet e vendit tim, padrejtësitë e bëra shekujve me radhë ndaj popullatës shqiptare janë pika e dobët e ndjenjave të mia, vullkani im i cili përmes pendës thërret dhe thur britma për ti dal në ndihmë.”
Edhe poezia e saj kuptohet, si mesazh për paqe dhe tolerancë, për dashuri dhe sakrificë njëkohësisht. Poezia e saj na dhuron emocione mjaftë të fuqishme, prandaj na cytë për ta lexuar e vlerësuar sepse janë “Vargje dhe fjalë zemre të thurura aq bukur me një stil të veçantë!
Vargjet e këtij libri fillojnë me poezinë “MEDVEGJË”, ndërsa mesazhi i saj përjetohet si klithmë që shpreh shqetësimin poetik, jo vetëm poetik për shqetësim intelektual e nacional të Majlinda Shaqirit, tashmë në cilësinë e poeteshës:
Mos i mbyll sytë,
Para grushtit me zjarr,
Do ju mallkoj një ditë,
Loti shqiptar,
Medvegja po thërret,
Jo, nuk jam vet…!
Poezia, MEDVEGJË, faqe 7.
Porosi të qarta që janë materializuar nën sintagmën ideomatike të bashkimit, qoftë të degëve me degët e të të njëjtit lis, ose për bashkimin e motrës me të vëllain! Ndërsa vargu poetik përcakton edhe vendin: Ku tjetër përveç në Medvegjën e saj dhe të tonë, sepse kjo trevë e atdheut ka rrezik për të mbetur vetëm si shprehje Topike, dhe për tu kujtuar si metaforë e dhembjes nëpër vargjet e poetëve. Por, vargjet e Majlindes shprehin të kundërten, ato janë mbushulluar me krenari dhe apelojnë për bashkim nën një komb dhe flamur.
Erdhi koha të betohen Dardanët,
Nën një lis nën një flamur,
Në një Komb dhe një Gjuhë,
Se liria nuk vjen ndryshe,
Pa u bashkua lisi me degë,
Nuk ka liri për shqiptarin,
Pa u bashkua motra me vëllain!
Poezia, SKA LIRI PA ILIRI, faqe 11.
Vargjet e tilla trajtojnë çaste dhe tablo nga më të ndryshmet të jetës dhe realitetit, qoftë ky i hidhur ose i gëzuar, por mesazhi i saj është i qartë: “Ne duhet vet ti ndihmojmë vetes për të na ndihmuar tjetri, e jo të shkatërrojmë vendin për të na pushtuar tjetri”. Në anën tjetër këto vargjet flasin për pjesën më të mirë të kohës, siç është rinia, pastaj flasin për punën, veprën, vështirsitë, gëzimet, hidhërimet, dashurinë, trimërinë e bujarinë, që “bashkë, dhe vetëm bashkë ia dalim!”, është shprehur ajo.
Këto motive dhe mjaftë të tjera i gjejmë në këtë libër me poezi të Majlinda Shaqirit, e cila poezitë kryesisht ia dedikon vendlindjes – Medvegjës.  
Nga Tullari që më shqip nuk flet,
Kroi i Bungajës thërret për jetë,
Nga Gërbaci te Kapiti,
I do burrat që kjo tokë i rriti,
Sijarinë, Sfircë e Tupallë,
Oh sa shumë për ju kanë mallë,
Të mblidhen bashkë në Kuvendin Shqiptar…
Poezia, LOTI I TOKËS, faqe 39.
Mesazhe të tilla janë të shprehura edhe në poezitë kushtuar bijëve – heronjë të sakrificës dhe liririsë së atdheut!
Nga parajsa thërret Florimi,
Amanetin tim e harruat,
Ku mbeti fjala e Zotit,
Dhe besa e dhënë,
Ku mbeti pushka e ushtarit,
Varri i dëshmorit,
Vaji i bilbilit,
Vallja e fitores,
Poezia, THIRRJE NGA PARAJSA, faqe 42.
Ose vargjet:
Veli Dedi
Medvegjë,
Princesha ime,
E bekuar nga Perëndia,
Lindi heronjë të pavdekshëm,
Me të cilët mburret historia,
Trim mbi trima,
Hjeshi e rrallë,
Gjeneral Dedi,
Nga zemra e Dediqit shqiptar,
Poezia, VELI DEDI, faqe 43.
Në poezinë kushtuar ngjyrës së Flamurit kombëtar, poetesha arrinë të fut tërë historinë e lavdishme, luftrat dhe traditën shekullore të cilën nga brezi në brez e trashëgoi kombi ynë, së këndejm edhe shqiptarët e kësaj treve, ndër më të dhembshmet të Atdheut.
Jam gjaku yt Flamur
Në prehrin e fjalës,
Gdhendet historia,
Në vargun e kohës,
Loti ndërton kullën,
Dhimbja shkrihet në det,
Nga zjarri i pushkës,
Jam gjaku yt Flamur,
Me krenari valëvitëm mbi Kullë,
Rrugën drejt teje qëndisa,
E imja Shqipëri,
Jam dëshmitare e kohës,
Do të thuri Historinë!
Poezia, JAM GJAKU UY FLAMUR, faqe 61.
Kurse vargjet vijuese kanë motivin e kthimit që shprehet edhe si apel edhe si lutje për t’u kthyer në Vendlindje, qoftë në Medvegjë, por mesazhi vlenë edhe për ë tjerët, kudo të mërguar.
Dora që tundi djepin,
Rriti trimin e lirisë,
Tek dera e stinëve pret,
Ti kthehet ushtari nga rrugëtimi,
Kthema ujin e Parajsës,
Ta ushqej Lirinë,
Mbeti e uritur,
Pa diellin e Dardanisë!
Poezia, UJË PARAJSE PËR LIRINË, faqe 70.
Poezitë e Majlinda Shaqirit, kurdoherë ftojnë për paqe, tolerancë, respekt, mirëkuptim ndaj njëri-tjetrit kudo që jemi e kudo që të ndodhemi. Kjo poeteshë shkrin forcën e saj krijuese duke shfaqur shpirtin artistik përmes muzës poetike. Ajo, është gazetare hulumtuese, kërkuese e pa epur, por me vargun artistik, fjalët e saj duken më të fuqishme më përmbajtjesore. E thjeshtë, modeste dhe konkrete, me sinqeritetin e saj shpërfaq atë që ndjen, dëgjon, sheh dhe në fund me zemërbardhësinë poetike, qoftë për të mirë, e qoftë për padrejtësitë ajo apelon: “Shqiptar Zgjohuni!
E, pastaj shtrohet pyetja sugjestive: “Edhe sa vjet, dekada, shekuj duhet të ikin e ne Shqiptarët, pastaj të zgjohemi nga gjumi?”, nga letargjia që na ka pllakosur. Andaj, “Për hir të ZOTIT dhe Atdheut! Sa herë kam thënë dhe kam shkruar të jemi bashkë, të punojmë bashkë për idealin tonë“, kurse:
Medvegja, të mos përbuzet, harrohet nga vet shqiptarët!
Medvegja të mos harrohet!
…të mos harrohet!
Zgjohu!…
E përsërisim testamentin e saj se “Ne duhet vet ti ndihmojmë vetes për të na ndihmuar tjetri, e jo të shkatërrojmë vendin për të na pushtuar tjetri”, mesazh kuptimplotë që në formë të ndryshme del nga motivi i vargjeve të poeteshës medvegjase Majlinda Shaqiri. Ajo është e bindur se “Bashkë vetëm bashkë ia dalim!” Ky është apeli më kuptimplotë për Medvegjën e saj, për Medvegjën tonë… i cili si mesazh del nga përmbledhja me poezi “Zëri im për ty Medvegjë”.
Mund të përfundojmë: Ky shpirt i butë poetik, kur duhet bëhet edhe emocional, madje ndonjëherë shpreh edhe revoltë. Pa dyshim, poezitë janë relizime të mira artistike, shprehin dëlirësi si vet shpirti i autores, kurse vargjet janë të mbështjella me vellon e mirësisë për paqe, tolerancë, e mbi të gjitha për mirëkuptim!…
Prishtinë, 15 mars 2023.
Rrahman Hyseni, redaktor i librit të autorës Majlinda Shaqiri me titull “Zëri im për ty Medvegjë”